Marrëdhënie

April 11, 2017 | 14:23

Deputetja Esmeralda Shkjau: Prindërit gjithmonë më kanë lënë të fluturoj me krahët e mi

Deputetja e Durrësit Esmeralda Shkjau ka folur në studion e Rudinës për eksperincën e saj si deputete, lidhjen e fortë me fenë islame dhe familjen. Që fëmijë, ajo është rritur dhe është edukuar me dashuri për besimin dhe për të gjitha fetë, por pas disa viteve studime, veten do ta gjente shumë pranë besimit mysliman dhe fesë islame. Sot, ajo është një besimtare praktikante dhe kjo është gjëja që i jep shumë qetësi shpirtërore.

1

“Unë jam një besimtare modeste, që mundohem të gjej paqen shpirtërore. Feja myslimane është diçka që më përmbush dhe më jep një qetësi të jashtëzakonshme, sepse nëse ke besim tëndin, çdo lloj besimi, ai të jep mundësi të jetosh në paqe dhe dashuri. Besoj se çdo i ri dhe çdo e re që beson në fe, është një e mirë më shumë për shoqërinë…” – tregon Esmeralda duke shtuar se besimi islam e ka bërë të jetë me këmbë në tokë, i ka falur një qetësi të jashtëzonshme: “Besimi të ndryshon edhe stilin e jetës. Cilado fe të jep një paqe dhe një dashuri më shumë ndaj njëri-tjetrit.”

Një prej xhamive në të cilat Esmeraldën mund ta shohësh shpesh, është Fatih në Durrës – vendi ku deputetja e PS-së ndihet e qetë dhe siguron paqen dhe qetësinë e munguar në çdo vend tjetër të jetës së përditshme. Gjithmonë përpiqet që të gjejë mundësi për t’u falur pesë herë në ditë, sipas obligimit të fesë islame, por edhe nëse ndonjëherë kjo është e pamundur, është një sfidë për të nesërmen.

Edhe pse tashmë është deputete ajo jeton ende me prindërit dhe motrën.

“Unë kam pasur mundësinë të jetoj vetëm kur kam qenë në Gjermani dhe aty jam ndjerë jo keq, por disi ndryshe. Gjëja e parë që bëja sapo dilja nga shkolla telefonoja mamanë time dhe t’i shpjegoja gjithçka që kisha bërë dhe më mungonte jashtë mase dhe aty e kam kuptuar vlerën, sakrificën, investimin, lodhjen…Le të themi një autodestruktim që kanë prindërit shqiptarë për fëmijët e tyre. Janë gati të bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre dhe unë nuk  e kam parë tek asnjë prind në mbarë botën. Kështu që prindërit shqiptarë për mua janë kult, me përulje i falenderoj të gjithë ata që japin jetën, nuk bëjnë pushime, gjithmonë sakrifikojnë, kursejnë, që fëmijët e tyre të edukohen në mënyrën më të mirë. Dhe nuk e di ku t’i gjej këta prindër veç Shqipërisë! Jam shumë krenare dhe ky është një aspekt shumë i fortë. Dhe ne fëmijët, brezi i ri duhet të jemi shumë mirënjohës”.

Pyetjes se me cilin prind ka lidhjen më të ngushtë ajo përgjigjet: “Me të dy. Por, sigurisht nëna është shumë e rëndësishme, sepse është ajo që të ka dhënë jetë, ajo që preukopohet për ty çdo ditë, por babi është babi, babin e kam dobësi gjithashtu.”

Nëse ato kanë qenë prindër autoritar me të Esmeralda thotë, “Jo. Unë kam pasur dy prindër shumë liberal dhe gjithmonë më kanë dhënë mundësinë që të jem një fëmijë i lirë, që të bëj zgjedhjet e mia, madje kur kishin frikë në lidhje me formimin e shkollës , Medresenë, thoshin, “sikur nuk të takon ty, sepse je një fëmijë shumë i lirë etj ,etj…”, por kanë qenë shumë liberal dhe gjithmonë më kanë lënë të fluturoj me krahët e mi. Kam pasur suportin e tyre, por kanë qenë dhe janë liberal.”

Me motrën Esmeralda ka 8 vite diferencë, për shkak se vëllai i saj u nda nga jeta në moshë të vogël.

“Unë kam mbërritur në një moment të jetës sime kur mendoj se të gjitha gjërat që ndodhin, ndodhin për një arsye dhe është dikush që i organizon të gjithë fatet dhe jetën e njerëzve. Çdo besimtar i cilësdo feje të jetë e pranon vullnetin e Zotit dhe unë mendoj se shumë njerëz e shohin vdekjen si një pjesë shumë të keqe, ashtu siç e shoh edhe unë. Ai na mungon pafund por është një vullnet i zotit dhe të gjithë ne duam apo s’duam e pranojmë. Për prindërit ka qenë momenti më i keq i jetës së tyre, aq sa u dukeshin edhe eshtrat të dyve në momentin që im vëlla ndërroi jetë, por që tani Zoti na dha një bukuroshe, një dritë dhe për ne është gjithmonë e vogla, edhe pse sot është 25 vjeç. Është studente në Mjekësi dhe do të shkojë të punojë vullnetare atje ku ka nevojë dhe është një gjë shumë e bukur, sepse është rritur me shumë dashuri dhe përkujdesje e të treve ne,” tregon Esmeralda.

Ndërsa në lidhje me jetën e saj private ajo shprehet se tani për tani nuk ka asgjë për t’i ofruar publikut.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top