Marrëdhënie

April 12, 2016 | 9:22

Dëshmi/ Aida Shehu: Të mirat e një gruaje politikani

Të jesh gruaja e…Tritan Shehut

Të jesh gruaja një politikani, sigurisht që ka të mirat e veta. Ama edhe problemet e një rruge plot pengesa e vështirësi, ndonjëherë dhe të pakuptimta. Kjo do të thotë gjithashtu se, edhe kur nuk do, të duhet të vihesh përpara disa detyrimeve, qoftë personale por dhe familjare, për t’i dhënë kësisoj më shumë kohë partnerit të merret me angazhimin që ka zgjedhur. Por si ndihet në të vërtet Aida, bashkëshortja e Tritan Shehut, e cila ka të paktën 30 vjet që e ndjek pas, burrin e saj të jetës, në çdo hap të përvojës tij, qoftë si mjek, por edhe si politikan aktiv. “Të jesh bashkëshortja e një politikani do të thotë impenjim dhe shumë kujdes, për një imazh dhe prezantim dinjitoz në publik”, rrëfen Aida. Sipas saj, e veçantë në këtë marrëdhënie duhet të jetë dhe kujdesi që jo vetëm personi publik, por edhe familja e tij duhet të tregojë. Por si ka ndikuar kjo sjellje në përditshmërinë e tyre, në takime dhe evente të ndryshme. Për Aidën kjo periudhë, që i përket shumë viteve angazhime në politikë të bashkëshortit, është bërë tashmë pjesë e rutinës. “Ndodh shpesh që Tani duhet të jetë i pranishëm me ose pa mua në takime, por pas 20 vitesh që ai merret me politikë, nuk besoj se kanë ndonjë ndikim të veçantë.

***

Ajo rrëfen se shpesh i duhet të prezantohet e tillë. Sigurisht që nga njëra anë ka privilegjet e veta, por ajo që vlen të theksohet, është se Aida i ka shërbyer Tritanit në shumë aspekte. Është vetësakrifikuar dhe ka marrë mbi supe edhe atë ngarkesë që për të mirën e bashkëshortit të saj ia ka vlejtur. “Ne kemi 30 vjet bashkë. Qëkurse jemi njohur, pothuaj çdo gjë e kemi bërë të dy: që nga urgjencat mjekësore në rrethe të ndryshme, puna për doktoraturën (asnjë nuk ia kuptonte shkrimin Tritanit, kështu që ia diktoja unë daktilografistes). Bashkë kemi qenë në lëvizjen për përmbysjen e komunizmit, kemi qenë pjesëmarrës aktivë në lëvizjen demokratike. Të dy kemi qenë mjaft aktivë në periudhën ‘92-‘97, bashkë në periudhën jo më pak të vështirë të pas këtij viti e në vazhdim. Të dy edhe në jetën e përditshme për edukimin e fëmijëve dhe mbarëvajtjen e familjes. E megjithëse është kështu, për mua nuk përbën ndonjë problem që të prezantohem apo të më prezantojnë si gruaja e Tritanit, nuk mendoj se kjo e cënon personalitetin tim. Nuk kam komplekse. Të qenit person publik nuk më bën shumë përshtypje, sepse jo domosdoshmërish nënkupton që je i nderuar dhe i respektuar. Sigurisht të vjen mirë kur ke në krah një njeri të vlerësuar nga opinioni. Këtë ndjesi e kam pasur qëkur jam njohur me Tritanin, pasi duke qenë mjek, kudo që shkonim, shumë njerëz e njihnin dhe e respektonin”.

***

Mes dy bashkëshortëve Shehu, Aida është ajo të cilës i ka takuar t’i përkushtohet maksimalisht familjes. Me ndërgjegje ama, për t’i lënë më shumë kohë të shoqit. Për bashkëshorten e politikanit Shehu, nënë e dy fëmijëve, Loran 26 vjeç dhe Alk 21 vjeç, kjo ka qenë një sakrificë morale. Edhe pse bashkëshorti politikan ka sakrifikuar jo pak me pozicionin e tij, sipas Aidës, “Tritani nuk shpenzon aq kohë sa do të dëshironte me familjen, pasi është shumë i përkushtuar. Kështu ka qenë edhe kur nuk merrej me politikë. Ndërsa unë, ndonëse kam punuar gjithmonë, por jo me impenjimin e nivelit të Tritanit, jam kujdesur për mbarëvajtjen e familjes. Kjo ka qenë zgjedhja ime: të jem para së gjithash një grua dhe nënë e mirë, e më pas një profesioniste e mirë”. Sa i takon djemve, të cilët sot janë bërë burra, është e habitshme të ndodhë që babai i tyre të gjendet ndonjëherë me ta. Ama vetëm fizikisht. Për ta komunikimi është shndërruar në biseda të gjata telefonike. “Tritani i çmend me telefonatat e tij. Çfarë po bën? Ku je? Hajdeni më takoni…etj”, rrëfen Aida, e cila mungesat e të shoqit në familje është e detyruar t’i përballojë vetë. “Janë mësuar qëkurse Tritani punonte mjek, që babanë në shtëpi e kanë parë vetëm në darkë dhe mëngjes herët, kështu që u duket normale. Edhe kur rastis që ai të vijë në drekë në shtëpi ose pasdite herët, i thonë: Ç’do në shtëpi ti?”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.37

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top