Marrëdhënie

February 10, 2016 | 8:28

Dëshmi/ Alfred Trebicka:Dashuria ime 25 vjeçare me Violetën!

2Sekreti i dashurisë që nis me alkimi, afeksioni që  nxitet jo vetëm nga pamja e jashtme, por që vjen si rrjedhim i ngasjeve të brendshme, e që në psikologji njihen si sinjale drejt një dashurie të vërtetë është vetëm një sentencë e gjithë raportit njerëzor dhe afektiv mes dy partnerëve. Aktori dhe regjisori i mirënjohur Alfred Trebicka, rrëfen për raportin e tij ndjesor me bashkëshorten Violetën, njohjen e hershme qysh se 25 vite të shkuara, një marrëdhënie me baza të shëndosha që është formësuar pa dyshim më tepër edhe me ardhjen në jetë të frytit të dashurisë, vajzës Keit…

Intervista:

Sekreti i një dashurie të lumtur…cili është për ju?

Kam përshtypjen se një nga sekretet e një dashurie të lumtur duhet të jetë harmonia psiko-fizike midis partnerëve, kjo harmoni është edhe baza e jetëgjatësisë së marrëdhënies. Vetë dashuria është një fenomen shumë kompleks, aq më tepër që kjo dashuri të jetë e lumtur, megjithëse dashuria është gjithmonë e lumtur. Fundi i saj, ose kur ajo merr fund, atëherë ka forma të ndryshme dhe të kundërta të shpërfaqjes. Një dashuri e lumtur ka një mori sekretesh dhe pikërisht këto sekrete e bëjnë të lumtur. N.q.s nuk do të kishte sekrete, dashuria nuk do të ishte e tillë. Dashuria e lumtur apo lumturia në dashuri konsiston pikërisht në faktin që ka sekretet e veta apo është edhe vetë sekreti; një sekret i dy të dashuruarve ndaj ambientit që i rrethon, etj. Flasim për dashurinë në çift sigurisht, sepse dashuria është një nocion shumë më i gjerë shoqëror. Sekreti i një dashurie të lumtur konsiston në faktin që nuk mjafton vetëm flirti apo afeksioni hormonal, dy të dashuruar duhet të jenë shokë të mirë, miq të mirë, bashkëpunëtorë të mirë, të hapur dhe luajalë me njeri tjetrin për çdo gjë. Pra, sekreti i një dashurie të lumtur është që të mos ketë sekrete midis të dashuruarve.

Nëse kthehemi pas në retrospektivë, në përjetimin e raportit tuaj me Violetën, sa përfshihesh emocionalisht?

Njohja jonë është e hershme, që në vitet ’80, në vitet e gjimnazit, kemi qenë të dy në gjimnazin “Partizani”. Pas shumë viteve njohje erdhi, shumë natyrshëm ndjesia, emocioni, nevoja për të qenë pranë në çdo moment, dhe kjo ka ndodhur në fundin e viteve ’80, fillimin e viteve ’90. Punonim bashkë në një projekt teatror si partnerë, dhe koha e qëndrimit bashkë ishte relativisht e gjatë, ne të dy me një dëshirë të brendshme e bënim akoma më të gjatë. Ndjeja që na shijonte çdo gjë bashkë, është ajo lloj ndjesie që të zhbën çdo lloj gjëje që të rrethon. Më pas çdo gjë që bëhej mendohej si do ta bënim të dy. Në verë e vitit ’91, vendosëm që të shkonim të pushonim bashkë në bregdet, në Borsh, mirëpo në atë kohë nuk ishte diçka normale të shkoje me të dashurin në plazh, kështu që Leta do të shkonte me familjen e një shoqeje të saj, ndërsa unë me një grup shokësh, më pas u mor vesh që ne kishim qenë bashkë, sigurisht nuk kishte ndonjë tragjedi, por mentaliteti ishte i tillë. Ajo verë ka qenë shumë e çuditshme, mbaj mend që në kohën kur ne ishim në Borsh, qindra refugjatë shqiptarë kapërcenin detin drejt Italisë dhe ne na dukej vetja si heronjtë e romanit të famshëm të Gabriel Garsia Markes “Dashuri në kohën e kolerës”. Në fakt epidemia e kolerës kishte të paktën një vit që kishte kaluar. Më pas bregdeti Jonian u bë pjesë e përhershme e pushimeve tona, Borsh, Dhërmi, Qeparo, Himarë dhe pa dyshim Vlora që tashmë e kemi një vendbanim të dytë.

Një moment vërtet emocional ka qenë Shtatori i 1995-ës, kur erdhi në jetë vajza jonë Kei. Në atë kohë punoja me kolegun Bombaj për realizimin e nje filmi artistik me T.V.SH-në, kam qenë vërtet shumë i hallakatur, aq i shpërndarë kam qenë sa kam shkuar në maternitet me drejtorin e prodhimit të filmit, këtë e kam konstatuar më vonë , kur kam parë fotografitë, dhe i them Letës: -Po ky çdo këtu?! Në gati 25-vjet njohje dhe dashuri, bashkëjetesë dhe emocion, natyrisht që ka me dhjetëra e qindra momente të bukura, emocionuese, të mira, të vështira, problematike, konfliktuale apo harmonie.

Çka do të thotë që pati një alkimi mes jush, hynë në lojë hormonet, që në psikologji njihen si ngasja përtej anës vizive, imazhit?

Sigurisht, ngasja ishte përtej anës vizive. Ana vizive dhe imazhi ka të bëjë me një kategori estetike që është e bukura, dhe të bukurën e pëlqen çdo njeri, por dashuria përfshin edhe ndjesinë, që është diçka përtej bukurisë fizike apo edhe psikike. Mendoj se dy partnerë duhet të plotësojnë njeri tjetrin sa emocionalisht po aq edhe psiko-fizikisht për të krijuar atë harmoni në çift që dashuria të jetë jetëgjatë.

Por, çfarë ju tërhoqi tek Violeta në momentin e parë që shkëmbyet biseda apo takime?

Fillimisht ishte thjeshtësia, zgjuarsia, shkathtësia e pse jo edhe bukuria, pastaj na lidhi puna dhe pasioni për aktrimin, prandaj them që në lidhjen tonë çdo gjë rrodhi shumë natyrshëm dhe pa sforcime. Dashuria në një marrëdhënie bashkëshortore nuk është vetëm flirt, por një mori marrëdhëniesh në familje, burrë grua, shoqërore, miqësore, intelektuale, profesionale, etj. Dhe ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti të gjitha këto konsolidohen, sigurisht ato kanë edhe momentet e veta të vështirësive, por vështirësitë kapërcehen, kur thelbi i marrëdhënies është solid. Shumë cilësi të Violetës i kam kuptuar dhe perceptuar që në fillimet tona të hershme, e plot të tjera gjatë viteve që ne jetojmë bashkë.

Shembulli juaj si një bashkëshort i denjë, një baba shembullor për vajzën tuaj, por ndonjëherë vlejnë edhe ato vëmendjet e imta ndaj dhuratave apo ditëve speciale për të dhënë shembullin e një mashkulli të kujdesshëm. Cila është surpriza më e bukur që keni marrë?

Ky është një moment që nuk mund ta gjykoj unë vetë, unë përpiqem që të jem i tillë, por asgjë nuk është absolute. Çdo gjë është relative, dhe sipas mendimit tim është më mirë që gjithçka të jetë e tillë. Me thënë të drejtën surprizat kanë qenë më të shpeshta nga Violeta dhe vajza (Kei) ndaj meje sesa unë ndaj tyre, surprizat e mija janë të rralla.

Si natyrë, jeni romantik apo racional?

Duke qenë se jam me teorinë e relativitetit, për disa gjëra jam racional, por për shumë të tjera jam romantik, mund të them se balanca anon më tepër nga kjo e dyta. Nuk jam romantik klasik, le të themi romantik bashkëkohor.

Gjërat e përbashkëta, apo të kundërtat mes njëri-tjetrit, kanë shërbyer për ta konsoliduar raportin?

Raporti në një marrëdhënie në çift ka nevojë edhe për të përbashkëtat edhe për të kundërtat. Ne kemi tashmë mbi njëzet vjet që jetojmë bashkë dhe e njohim njeri tjetrin jashtëzakonisht shumë mirë, merremi vesh pa folur. Mund të them që Violeta është më perfekte se unë për shumë momente të marrëdhënies që kemi bashkë, dua të them se është karakter më i fortë, qoftë në analizën apo marrjen e vendimeve. Unë jam më i duruar, shpesh herë durimi im kapërcen çdo kufi. Pas kaq viteve që jetojmë bashkë, sigurisht që kemi marrë shumë nga njeri tjetri, madje Violeta më thotë shpesh: Nuk e mbaj mend sa vjet ka që të njoh! Të kundërtat ka kohë që kanë filluar të minimizohen, sigurisht që ato e ngrenë kokën herë pas here, por edhe kjo ka bukurinë e saj, mua më pëlqen sepse ka të bëjë me karakterin, me personalitetin, me individualitetin, pa të cilat nuk mund të ketë marrëdhënie jetëgjatë dhe të shëndetshme.

Flasim për dashurinë, por një pyetje e rastit: A e festoni Shën Valentinin? 

Natyrisht që e festojmë. Ose më saktë e respektojmë më shumë, sepse duke e respektuar, respektojmë njeri tjetrin. Shën Valentini është një festë që ka një dimension njerëzor pa limit dhe pikërisht kjo e bën një nga festat më të larmishme. Zakonisht festat kanë të bëjnë me ngjarje apo evenimente, ndërsa Shën Valentini është një festë e ndjesisë e emocionit, festë e të dashuruarve.

Sa i takon dhuratave, ka qenë një objekt simbolik, apo plotësim i ndonjë kërkese vetjake?

Në më të shumtën e rasteve dhuratat kanë qenë një objekt simbolik, por edhe rastet e tjera nuk është se kanë munguar. Dhurata më e shpeshtë e imja është një libër, ku surpriza është tek autori apo zhanri i librit. Mua personalisht më ka qëlluar të udhëtoj shumë jashtë kufijve të Shqipërisë, që në fillimet e lidhjes me Violetën dhe dhuratat kanë qenë gjithmonë tepër simbolike, flas në kontekstin gjeografik të vendeve në të cilat kam qenë. Violeta është vërtet shumë më e kujdesshme me dhuratat, mund t’i mendojë edhe 3-4 muaj përpara dhe më e bukura është se: është stoike në mbajtjen e sekretit, pra që surpriza të jetë sa më e këndshme.

Po këtë Shën Valentin, si keni menduar ta kaloni?
Sigurisht, që Shën Valentini do të jetë sërish në fokusin tonë. Besoj se do ta kalojmë duke punuar mbi një projekt teatror, bëhet fjalë për një vepër të Ruzhdi Pulahës “Gjitonët”, ku unë jam regjisor dhe Violeta do të realizojë një karakter shumë interesant, dua të them nuk ka dhuratë më të bukur për një aktore sesa angazhimi në një projekt skenik.

 

Botuar në revistën Psikologjia, shkurt 2012

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top