Në fokus

February 20, 2016 | 6:30

Dëshmi/ Arbana Xharra: Grua e guximshme

Arbana Xharra, kryeredaktore e gazetës “Zëri” në Kosovë, ka marrë titullin nga Mishel Obama si një nga femrat më të guximshme në botë.

Të marrësh një çmim ndërkombëtar, siç është ai për “Gra të guximshme” nga Sekretari Amerikan i Shtetit nuk është thjesht një privilegj, por shumë mund dhe sakrifica, ndoshta dhe jashtë parashikimeve. Për të ka qenë një ndjesi që do t’i mbetet gjatë në kujtesë. Në fakt, kjo jo vetëm se ka bërë detyrën, (nëse do ta konsideronim në plan të parë kështu), por ka guxuar, duke e shtrirë mbështetjen e përkushtimin e saj kundrejt kauzave të shumta të shoqërisë kosovare. Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra ia ka kushtuar jetën si gazetare zbulimit të korrupsionit dhe ndryshimit të shoqërisë pa dhunë. Ajo ka raportuar gjithashtu mbi ekstremizmin fetar dhe fjalët e saj e kanë nxitur qeverinë të përballet me probleme të tilla. Ajo pohon se asnjëherë nuk do të heq dorë nga misioni për të cilin kërkon më të mirën e vendit të saj.

Çfarë do të thotë për ju të qenit gazetare e një terreni të vështirë?

Kam nis të merrem me gazetari shumë herët, qysh në moshën 19-vjeçare në vitin 2001. 14 vite jam rritur me këtë profesion. Gjatë kësaj periudhe, kur ndodhën edhe shumë ngjarje në tranzicionin e stërzgjatur të Kosovës, jam sfiduar gjithherë nga temat e mëdha, ato që kërkojnë hulumtim duke “ndjekur paranë” e deri tek ato të religjionit. E, sidomos në llojin e gazetarisë ku preken interesa financiare, atëherë predispozitat për kërcënime e shantazhe janë të mëdha. Nuk ka gazetari hulumtuese pa e marrë guximin e ballafaqimit me të papriturat. Nuk është aspak e lehtë, sidomos në situatën me të cilën po ballafaqohet Kosova.

Cilat ishin kauzat që ju ngacmuan dhe ju vunë ballë këtij terreni?

Për këto shumë vite tranzicion, ishim dëshmitarë të denigrimit të lirisë, e cila u fitua me shumë sakrifica. Derisa aktorët e saj na shfaqeshin dita-ditës e më tepër në stilin e kapadainjve. Nisën me marrjen e pozitave pa merita, duke vazhduar me keqpërdorimin e parasë publike, derisa shndërrimi në milionerë brenda natës ishte lehtësish i vënë re. Mjaftonte të përcillej veprimtaria dyshuese e tyre për të nxjerrë në shesh manipulimet jo rrallëherë milionëshe.

E keni nisur me një temë me ngarkesë siç është ekstremizmi fetar? Pse pikërisht nga feja dhe cili ka qenë rezultati konkret?

Me të përfunduar lufta në Kosovë, kemi qenë të fokusuar në ndërtimin e institucioneve, rrugëtimin e të pasurit shtet. Njëkohësisht, Kosova e varfër u bë terren perfekt për grupe radikale fetare. Shtrirja e një ideologjie të re fetare e pa njohur për ne. Kosovën e kishin vërshuar organizata turko-arabe, të cilat ofronin kurse pa pagesë të kompjuterëve dhe gjuhës angleze, por njëkohësisht, duke kërkuar nga ata fëmijë të praktikojnë fenë. Dhe në një shtet me 40% papunësi dhe 17% varfëri ekstreme, normalisht që shpërthejnë të gjithë ekstremet. E në këtë rast për më shumë se një dekadë u punua në heshtje shtrirja e

ekstremizmit fetar dhe sot si rezultat kemi 300 kosovarë në ISIS. Në vitin 2012 kam bërë një kërkim për tetë muaj në Kosovë, Maqedoni dhe Londër ku kam gjetur emrat e personave të përfshirë në rrjete, organizata që kanë sjellë të holla në emër të ndihmave, por me prapavijë. Ndërkohë kam vazhduar intensivisht të merrem me këtë çështje edhe pse e shpallur nga grupet e tyre “Islamofobe”.

Ju keni hulumtuar edhe për korrupsionin në Kosovë. Sa ia keni dalë me punën tuaj të përçoni zërin në veshin e duhur?

Me punën time kam arritur që të ngre lart vetëdijen qytetare për matrapazët e politikës. Kam sjellë para lexuesve të mi qytetarë të Kosovës, fakte për njerëz dhe grupe të fuqishme në skenën politike, por edhe lidhjet e tyre me nëntokën. Jam e lumtur që sot ka shumë të tjerë që guxojnë të ngrenë zërin kundër të korruptuarve, qofshin ata edhe përfaqësues të lartë politik apo njerëz me ndikim.

Nëse mund të na tregoni diçka për ndonjë çështje që po merreni konkretisht?

Kam nisur një hulumtim për gratë që po i bashkohen luftës në Siri me Shtetin Islamik. Hulumtimin do ta zgjeroj nga Kosova në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnje.

Çfarë ju bën të jeni kaq e guximshme dhe çfarë ju tremb?

Nuk më tremb asgjë. Guximi më shtohet sa herë përballem me të keqen!

Jeni kërcënuar edhe me vdekje? Çfarë do të thotë për një femër të përballet me këto situata, në emër të një shoqërie më pak të korruptuar dhe shëndoshjes së saj pa dhunë?

Më janë bërë aq shumë raste të kërcënimeve të llojllojshme nga thirrjet me telefon, përcjelljet me veturë, futja në banesë ku edhe më kanë marrë kompjuterin, paditë ku më kanë kërkuar 700 mijë euro, kërcënimet se do të mi vrasin fëmijët, sa që më është bërë normalitet. Më vjen keq kur shoh që po ky shtet nuk ndëshkon këta persona, duke ju ofruar kështu komoditetin në vazhdimësi të kërcënojnë.

Po familja sa ju ka mbështetur në këtë drejtim?

Fatmirësisht mbështetja e familjes më ka dhënë lehtësira që të merrem me këtë profesion. Më kanë qëndruar afër gjithmonë.

Kush ju ka qëndruar përkrah këtyre kauzave?

Kam pasur fatin të punoj në media besueshmërish të pavarura, më kanë dhënë hapësirën dhe mbështetjen e madhe që të eci tutje.

Keni menduar ndonjëherë të tërhiqeni?

Jo, asnjëherë!

Çfarë ju ka mbetur peng që do të donit t’i jepni zgjidhje?

Ajo çfarë pendohem është koha jashtë të qenit gazetare, nuk kam jetuar shumë përtej angazhimeve të mija. Kam lënë shumë çka anash për profesionin. Po të kthehesha pas, do t’i kushtoja më tepër kohë jetës përtej shkrimit.

Botuar në revistën Psikologjia, nr 98

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top