Marrëdhënie

July 9, 2016 | 6:30

Dëshmi/ Arben Skënderi: E ndryshmja në çift, adrenalinë!

Arti ishte pika e fortë që i bashkoi. Prej këtu nisën të hidheshin themelet e para. Një bazament i rëndësishëm që u ngrit në këmbë me gjithë diferencat që mund të kishin ata nga njëri-tjetri. Asokohe për violonçelistin shqiptar me famë botërore, me qëndrim në Francë, biletat e avionit dhe udhëtimet e shpeshta as që viheshin re. Mjaft të ishte pranë njeriut që zemrën ia kish bërë për vete. Sikundër kjo zgjedhje do të ishte po kaq inteligjente dhe nga ana e partneres, e cila në sytë e tij do të shihej me admirim. Muzikanti Arben Skënderi rrëfen se në bashkëjetesën me psikologen e njohur Denata Toçe gjithçka u formësua sipas një kujdesi dypalësh. Ata janë një çift, të cilët respektojnë cilësitë e njëri-tjetrit duke u ndjerë të barabartë. Siç thotë dhe Arbeni: “Njohja me Denatën ka ndodhur rastësisht, dhe ishin pikërisht diferencat që na afruan tek njëri-tjetri. Në fakt, diferencë në gjërat e përbashkëta që ne të dy ndajmë. Tek ajo admirova këndvështrimin e ndryshëm dhe inteligjent në atë që e gjenim kaq të ngjashëm tek ne të dy”. Ata janë shumë të kujdesshëm sidomos sa i takon unicitetit në cilësitë që kanë, “duke i dhënë prioritet atyre gjërave që janë shumë të rëndësishme për ne” nënvizon Skënderi. “E dashuruam njëri-tjetrin pa kushtëzim që të ndryshojmë te ne ndonjë cilësi. Kjo na bashkon çdo ditë e më tepër”. Sigurisht që fillimet kanë qenë gjithashtu të ndryshme, sikundër shijet apo interesat nuk diheshin. Por, sot, me admirim, siç shprehet Arbeni, gjykimi ia vlente, sepse ata kanë mësuar më shumë nga prania mes të dyve. “Kam mësuar shumë prej saj. E ndryshmja tek Denata është si adrenalinë për ndjenjën dhe lidhjen time me të. Tani, gjithnjë e më tepër surprizohem sa shumë përshtatem me atë që është e ndryshme, sepse nuk është asnjëherë e mërzitshme. E keqja është se Denata më është dukur gjithnjë si 10 vjet më e madhe sesa mosha që ka në pjekurinë dhe arsyetimet që bën, sikur të ishim në të njëjtën moshë. Personaliteti i saj nuk më sjell nevojën për të menduar se sa më e vogël se unë është. Përkundrazi, ndjehem i barabartë dhe shumë i sigurt në pavarësinë e saj. Sigurisht që ajo shprehet e kënaqur për eksperiencën që unë ndaj me të për shkak të moshës dhe kjo është një e mirë e provuar nga të dy ne. Kjo ndoshta ofron sigurinë që vlen në një çift”. Sa i takon përshtatjes së preferencave personale, Arbeni rrëfen se shijet janë tejet të përputhshme. Denata ka një preference ndryshe nga unë për ambientet me shumë njerëz, pasi i preferon më të qeta, por kjo nuk na pengon t’i alternojmë. Shijojmë çdo kënaqësi organikisht me njëritjetrin, pa cenuar aspak ato që na ndajnë në shije”, vlerëson muzikanti. Tashmë jetën e tyre e ka plotësuar dhe ardhja në jetë e djalit, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Samuel.

Botuar në revistën Psikologji, nr. 72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top