Zhvillimi i të rinjve shqiptarë në këto vite të tranzicionit nxori në pah dhe trendin e fundit të ndërhyrjeve plastike. Këto ndërhyrje shihen si një shpëtim nga të rinjtë për të qenë në qendër të vëmendjes së shoqërisë, por edhe në krijimin dhe ruajtjen e lidhjeve shoqërore, si dhe për të ruajtur vendin e tyre në grupin social ku ata bëjnë pjesë. Ne jemi një popull që njihemi si një prej racave me tipare antropologjike të veçanta dhe të spikatura për nga natyra e bukurisë. Kjo tregohet në mjaft gojëdhëna, që nga koha e lashtësisë dhe deri në ditët e sotme.
Çfarë është bukuria dhe si kuptohet ajo nga të rinj të në ditët e sotme ?
Të jesh i bukur, për ta do të thotë pushtet, forcë, rreth shoqëror më të madh, realizim i ëndrrave. E pra, forma jonë e të menduarit është e lidhur ngushtë me atë se si na shohin të tjerët. Çfarë mendojnë ata për ne? A jemi ne në lartësinë e duhur për nga pëlqyeshmëria e tipareve? Në fakt, shumë studime na tregojnë se njerëzit e pashëm kanë tendencën të pranohen më lehtë në shoqëri, por edhe e kanë më të lehtë të realizojnë ëndrrat e tyre. Të gjithë e mbajmë mend filmin “E shëmtuara Beti”, e cila ishte një vajzë e shkolluar dhe me mjaft njohuri në profesionin e saj. Mirëpo e meta e saj ishte se nuk ishte e bukur dhe kjo e bënte atë të shihej me një sy tjetër dhe të ishte pjesë e shakave të grupit social ku ajo bënte pjesë. Në shumë kultura, e bukura stimulohet dhe mbrohet. Por a është kjo bukuria për të cilën të rinjtë po rendin drejt ndërhyrjeve estetike? Unë do të thosha jo. Të rinjtë tanë kanë krijuar modele dhe po udhëhiqen prej tyre. Këto modele janë të ngulitura që nga adoleshenca. Dhe janë pikërisht këto imazhe të personazheve të njohur, të cilët i joshin drejt asaj që quhet ndërhyrje estetike. Media është një nga influencat më të mëdha në formën e të menduarit tek adoleshentët dhe tek të rinjtë. Imazhet e femrave dhe meshkujve me tipare absolute dhe pa kurrfarë defekti, të cilët kanë arritur të bëjnë diçka në biznesin e modës, i tërheqin të rinjtë psikologjikisht dhe emocionalisht drejt atij modeli. Erik From shprehet se “një komponent i rëndësishëm për mirëqenien tonë është nevoja për konfirmim ose aprovim nga shoqëria”. Mendoj se kjo i shtyn të rinjtë tanë, të cilët nuk e kanë nevojën shëndetësore, për të bërë një ndërhyrje estetike. Por a është kjo e lidhur me vetëbesimin që ata kanë? Apo mos ndoshta ky vetëbesim ka humbur? Në fakt, individi e fillon zhvillimin e tij që nga fëmijëria dhe është një ecuri shumëdimensionale.
Zhvillim, i cili ka të bëjë dhe me krijimin dhe rritjen e vetëbesimit tek individi. Mënyra se si prindërit, shoqëria, shkolla na trajton, lë gjurmë të thella në psikologjinë tonë. Dhe ndonjëherë, mënyra se si na krahasojnë, nuk është ajo e duhura, duke na vënë përpara dyshime mbi atë që ne besojmë se jemi në aftësitë tona. Është pikërisht kjo formë, e cila thyen vetëbesimin e fëmijës dhe, më pas, atë të të rriturit mbi atë çfarë është dhe çfarë mund të bëjë. Por realiteti social, të cilit të rinjtë i referohen, tregon se, nëse ata nëpërmjet ndërhyrjes do të ndihen më mirë, kjo do t’i bëjë më të pranueshëm dhe më të realizuar nga ana profesionale. Shpeshherë e vendosim theksin mbi format e edukimit te brezi i ri. Si duhet ta kuptojnë ata të bukurën dhe si duhet ta vlerësojnë atë?
Modelet që duhet të ndjekin, të cilat janë gjithmonë një debat diskutimi mbi esencën e të qenit të bukur si fizikisht dhe mendërisht. Në fakt, shumë studime na tregojnë që trendet kanë kohën e tyre të lulëzimit dhe më pas veniten sikur të ecësh me makinën e kohës në hapësirë. Kjo lëvizje në hapësirë ka dhe pasojat e saj psikologjike, por edhe sociale në shoqëri. Keqpërdorimi i ndërhyrjeve plastike për t’u dukur edhe më të bukur, e ka transformuar qenien njerëzore nga një bukuri natyrale në një bukuri vrastare mbi atë se si janë transformuar tiparet njerëzore. Rinia është periudha më e bukur në zhvillimin jetësor të individit. Do të thotë forcë, energji pozitive, lëkurë e lëmuar, aktivitet i plotë fizik. Të korrigjosh një defekt, i cili të bën të ndihesh mirë psikologjikisht, do të thotë të ndihesh mirë me veten, por të bësh një ndërhyrje se, ashtu e kanë bërë dhe të tjerë, do të thotë se ti akoma nuk e gjetur veten dhe ende s’e di se cili je.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.