Artan Imami aktor i Teatrit Kombëtar. Spikatur në rolet te: “Zbutja e kryeneçes”, “Kthimi i Doruntinës”, “Don Zhuani”, “Darka e gabuar”, Art”, “Doktor Shuster” etj.
Vezullim ndjenjash, afshe deri në arratisje agonie, kapërcime idiomash të pazbërthyeshme deri pickime fiziologjike nën lëkurë. Përjetime të cilat “zhveshin” misterin mes dy partnerëve. Në realitetet e jetuara, aventurë apo jo, ndjesia pas zbrazëtisë së epsheve, ndikon në qartësinë ose zbehjen e interesave mes palëve. Mund të ketë një hap para, por mund të ndodhë edhe e kundërta. Lidhjet e shkurtra mund të funksionojnë për aq sa japin e marrin. Në nënvetëdijen e tij, aktori i njohur Artan Imami, nuk ka frikë të pohojë se i ka provuar të këtilla situata. Është “ndeshur” me kapërthimin pas ndjenjës akute, ka guxuar përmes marrëdhëniesh, për t’i vijuar apo lënë aty për aty. Në fund të fundit është njerëzore. E drejtë apo gabim, gjykimet mbeten personale. Sikundër tregohet pozitiv për të na rrëfyer perceptimin e tij real, Artan Imami pohon se parapëlqen që lidhjet pa qëllime afatgjata t’i cilësojë si “shthurje e emancipuar”. “Në të gjitha lidhjet, qofshin ato afatgjata, treçerekëshe apo të shkurtra, personalisht i parapëlqej. Ajo që e shoh si pozitive në to, është kur ndodh midis njerëzve të rritur e të ndërgjegjshëm. Është si një lojë midis nevojës për komunikim, për vetëafirmim dhe dëshirës për kënaqësi të lëkurës”. Përballë një realiteti provokues, gjykues e pse jo të gatshëm për të të gozhduar dhe vënë në gijotinë, individë që ndërgjegjshëm preferojnë lidhjet afatshkurtra, kush e di se ku do të përfundonin. Në ndërgjegjen dhe botëkuptimin e tij, të gjitha sa më sipër rrëzohen. Qoftë mashkull apo femër ai që e bën një zgjedhje të tillë, për Imamin, do të përkthehej më tepër në një sjellje frike për t’u dhënë e për t’u përfshirë emocionalisht. “Unë gjykoj se secili në këtë dynja ka të drejtën të bëjë me trupin e tij çfarë t’i ketë kokrra e qejfit!”. Pikëpamjet e aktorit dukshëm referojnë kundrejt dhe asaj që shoqëria e sotme përjeton dhe ndez debatet e herëpashershme rreth martesës apo bashkëjetesës, për martesën me dashuri apo dashuri nga martesa. Në vlerësimin që Artan Imami i bën institucionit të familjes duhet të jetë kështu: Sigurisht, martesë nga dashuria dhe shumë dashuri në martesë. Gjithmonë nëse dhe kur martesën e dashuron”.
Botuar në revistën Psikologjia, Maj 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.