Ai e ka mjaft mirë parasysh kur thotë se arkivimi i dijeve që marrim në shkollë me realitetin janë teorema, pas së cilës ka nevojë për shumë ushtrim. Sipas Artan Minarollit, shkolla është një proces që ndihmon në zhvillimin e intelektit. Ndaj, për të, jo domosdoshmërisht shkolla korrespondon me realitetin passhkollor. “Nuk është e thënë që leksionet ose provimet gjatë viteve të shkollës të gjejnë zbatim në jetën passtudentore, madje në një aspekt ato duken të harruara dhe pa ndonjë vlerë konkrete në praktikat që kërkon ekonomia e tregut, por janë idetë dhe shëmbëllimi i tyre që shërbejnë në çdo kohë”. Ndaj dhe ky proces për regjisorin ndikon në pasurimin e sistemit të të menduarit dhe metodikën drejt profesionit. “Nëse këto shkojnë sinkron me eksperiencat, atëherë vitet që duken sikur kanë shkuar dëm gjejnë rrugë dhe kontribuojnë jo vetëm në teknikat e profesionit, por edhe në krijimin e vizioneve të qarta profesionale”.
Zhvillimi përtej mediokritetit
Për Artan Minarollin, truri është materie që ka potencialin e ndryshimit nga një formë në tjetrën. Në aspektin filozofik, të menduarit është atribut për të kaluar përtej mburojës së realitetit. Ndaj dhe zhvillimi në të vërtetë, sipas tij, ka të bëjë me tentativën për të parë përtej një realiteti të dhënë, përtej vulgaritetit, mesatares dhe mediokres. “Ky kapërcim ka të bëjë me idenë për të menduar dhe parë përtej vetvetes, asaj të përditshmes. Edhe kënaqësia e njeriut, që në të vërtetë varet nga shkalla e interesit për të bërë këtë kapërcim”. Në këtë rol, hapësirë nxë edhe mësimdhënia. Dhe ai thotë: “Praktikisht njeriut i mjafton një zonë veprimi ku rregullat e lojës janë të qarta dhe talenti në këtë fushë arrin të sigurojë më shumë të mira materiale. Përtej praktikës, shtrihen fusha të tëra ku individët zhvillojnë betejat e tyre personale për pushtimin e territoreve të panjohura, që më rëndom kanë të bëjnë me çështje të personalitetit, frikës dhe seksit. Por midis këtyre zonave të errëta dhe të mbushura me emocione, ndodhen edhe lëndinat e bukura të ideve, imagjinatës, krijimtarisë dhe arsyetimit njerëzor që jo të gjithë kanë fatin t’i shohin dhe ndjejnë”. Sa i takon rolit të tij si prind, regjisori thotë se: “Prindi nuk është psikolog. Ai përçon dalëngadalë modelin te fëmija, kolaudon dhe vulos karakterin e dhënë duke orientuar drejt marrëdhënieve të ardhshme sociale. Prindi mbështet natyrën bazë drejt së mirës dhe shoqëron me kujdes zgjimin e një modeli deri në formimin e tij plotë”. E në këtë përkushtim, ai sheh si zgjidhje versionin se praktika është e pandarë nga teoria, edukimi shkollor. “Learn by doing është sot një moto për shumë shkolla europiane. Të paktën në shkollën e kinematografisë, të cilën e njoh mirë, edukimi i kineastëve të rinj është i lidhur shumë me zbatimin në praktikë të leksioneve. Është e nevojshme të krijohen minimodele. Pra, edukimi dhe praktika duhet të jenë të pandara dhe të shoqërojnë njëra-tjetrën. Vetëm në këtë mënyra shkolla nuk do të mbetet pas e harruar dhe të krijohet përshtypja se nuk hyn në punë në të ardhmen”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.76
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.