Për studiuesen e komunikimit, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, në profesion ashtu si edhe në familje vlen prova e trefishtë e logjikës, etikës dhe emocioneve. Siç e pohon edhe në këtë intervistë, ajo është gjithnjë e më udhëhequr në angazhimet e saj, qofshin ato me natyrë publike apo ato më vetjake, nga përmasa të tjera si etika, ndjesia e bashkë me to edhe intuita, empatia e humanizmi, duke i llogaritur në deontologjinë e vetes.
Profili juaj ka të bëjë pikërisht me këto dy shtylla të të menduarit. Sa ju ka ndihmuar të zbërtheni dhe të çoni përpara pritshmëritë e ngritura dhe udhëhequra nga ju?
Në secilin prej roleve të mia, si në jetën personale dhe në atë profesionale, jam shoqëruar vazhdimisht nga logjika dhe arsyeja. Ju më jeni drejtuar si profil i mendimit dhe nuk ka dyshim që kërkimi shkencor në universitet dhe librat studimorë që kam botuar, imponojnë në radhë të parë zbërthime logjike dhe argumentim të fortë. Që të jesh bindës në nivelin për të cilin po flasim, duhet të japësh prova dhe pjesa më e madhe e këtyre provave janë, më së pari, të natyrës logjike dhe argumentuese. Të tilla kanë qenë në fakt edhe pritshmëritë e mia në lidhje me angazhimin në universitet, në të gjitha funksionet që kryej aty, së pari si pedagoge dhe pastaj me radhë si drejtuese e departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në UET, si kryeredaktore e revistës shkencore POLIS të fakultetit të Shkencave Sociale dhe si kërkuese shkencore e vlerësuese metodologjike. Janë punë që kërkojnë njëherësh mprehtësi dhe baraspeshim, pra arsye dhe logjikë. Megjithatë, me kalimin e viteve, perspektiva ime është zgjeruar në këtë drejtim. Kjo nuk do të thotë se e shoh të dobësuar rolin e arsyes dhe logjikës në vendimet, proceset dhe veprimtaritë e përditshme. Mirëpo, mendoj dhe ndjej se do të ishte e ekzagjeruar po ta lidhnim gjithçka thjesht dhe vetëm me arsyen e logjikën. Qoftë edhe në botën shkencore dhe sidomos në shkencat sociale dhe shkencat humane, familje ku bën pjesë edhe komunikimi që është fusha ime e ekspertizës. Duke iu referuar pikërisht kësaj disipline, e cila nis me retorikën e Aristotelit, provat që ne japim nuk janë vetëm ato logjike (logos), por kërkohen edhe dëshmi etike (etos) dhe mbështetje emocionale (patos). Jo më kot sot flitet për inteligjencën emocionale dhe për empatinë, si faktorë vendimtarë për një jetë të suksesshme në tërësi. Personalisht, jam gjithnjë e më udhëhequr në angazhimet e mia, qofshin ato me natyrë publike dhe po ato më vetjake, nga përmasa të tjera si etika dhe ndjesisë si edhe bashkë me to edhe intuita, empatia e humanizmi. Shkenca nuk i përjashton më ato, duke i bërë jo vetëm objekt studimi, por edhe duke i llogaritur në deontologjinë e vetes. Shkencat e komunikimit kanë rol udhëheqës në drejtim të zhvendosjes së paradigmës së mësipërme. Studentët e Degës së Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit në UET ndeshen që sa hyjnë në auditorë me pyetjen se: çfarë janë marrëdhëniet publike, art apo shkencë dhe përgjigjja që gjejnë nuk është as njëra, as tjetra, por të dyja njëherësh. Kjo është përgjigjja që japin vetë shkencat e komunikimit, të cilat e studiojnë marrëdhënien dhe sjelljen njerëzore në veprim, duke marrë në konsideratë pa dyshim arsyen e logjikën, por pa harruar të llogarisin dimensionet emocionale dhe etike. Me fjalë të tjera, tek ajo që unë them, është njëherazi prova e arsyes për nga mënyra e argumentimit, prova e etikës për nga mënyra sesi shfaqet karakteri im i përputhshëm me ato që them si edhe prova emocionale, në kuptimin e ndjesive që përcjell si rrezatim, tek të tjerët, gjatë procesit të komunikimit.
Ka dallim midis të perceptuarit rreth të ushtruarit të profesionit dhe atij në familje, a duan këto dy raporte mënyra të ndryshme të të konceptuarit?
Për fat të mirë, shkencat e komunikimit janë edhe shkenca të jetës, ndaj të kuptuarit dhe të konceptuarit e tyre reflektohen jo vetëm në profesionin tim, por edhe në zgjedhjet e mia personale dhe pa dyshim edhe në familje, sikurse interesoheni ju të “Psikologjisë” të pyesni. Madje, kjo e fundit si disiplinë, është edhe fqinja më e afërt e komunikimit. Të studiosh komunikim, ashtu sikurse të studiosh psikologji ndihmon shumë për të konceptuar një jetë më të balancuar dhe të përmbushur, edhe pse, pa dyshim, nuk e garanton diçka të tillë.
Ia keni trashëguar fëmijëve këto interesa, pra përfitimet e të arsyetuarit dhe vënies në punë të logjikës për t’ia dalë në jetë?
Me fëmijët punoj shumë në drejtime që nuk lidhen vetëm me logjikën dhe arsyetimin. Vajza madje studion piano dhe kjo ka qenë po aq dëshirë e saj, sa edhe imja. Jam e interesuar që ajo të ketë një jetë sociale të pasur, po aq sa të jetë e mirë në gjuhë e matematikë. Në këtë pikë kam ndjekur intuitën dhe arsyetimin tim dhe sigurisht, dëshirën e saj, e cila e tërheq drejt muzikës. Po kështu edhe djali ka qenë në njëfarë mënyre “udhëheqës” i edukimit të vet. Mund të duket paradoksale, mirëpo, të paktën deri tani është ai që më ka orientuar mua për çfarë arsimi duhet t’i zgjedh, çfarë librash t’i lexoj dhe çfarë lodrash t’i jap, në kuptimin që unë përpiqem t’ia përshtat të gjitha këto veprimtari shenjave të karakterit dhe personalitetit të tij. Kam zgjedhur notin si sport për të, duke u nisur në radhë të parë nga fakti që ai e pëlqen, por edhe për faktin se ndjej dhe mendoj që i përshtatet. Për të tjerat është herët të flas, pasi fëmijët janë ende të vegjël.
Sa vend zë intuita në të arsyetuarit pozitiv dhe me zgjidhje në situata të shpejta?
Sikurse e ilustron una me fëmijët, intuitën e konsideroj me mjaft rëndësi. Mirëpo, nuk e përjashtoja sesi as nga sfera e profesionit. Në hipotezat shkencore ka gjithnjë një komponent intuitiv dhe është pikërisht ai që e bën diferencën, kur të gjitha të tjerat janë të barabarta. Në drejtim të punës me studentët, intuita është gjithashtu mjaft e rëndësishme në komunikimin efektiv me ta, po kështu edhe në marrëdhëniet me kolegët, si për mbarëvajtjen e departamentit të Komunikimit, ashtu edhe për mjedisin social e profesional në UET.
PROFIL Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës ku mban detyrën e përgjegjëses së Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike. Belina është autore e “Tri kohë të Shqipërisë në TIME, 1923- 2013”, publikuar në vitin 2014 dhe monografisë shkencore “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, publikuar në vitin 2009. Është kryeredaktore e revistës shkencore POLIS dhe mban gradën profesor i asociuar në shkenca të komunikimit. Ka kryer studimet Master në Universitetin e Londrës, Goldsmiths College dhe ato doktorale në Universitetin e Tiranës, për media dhe komunikim. Është e martuar dhe ka dy fëmijë, Tedin dhe Erën.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.109
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.