Ajo është një tjetër studente e shkëlqyer e ‘Luarasit’, përzgjedhje e merituar e këtij universiteti me një formim të suksesshëm jashtë kufijve. I është rikthyer studimeve universitare te ‘Luarasi’ në Fakultetin e Drejtësisë, pas diplomimit në degën e Studimeve Britanike dhe Amerikane si dhe një Masteri në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Besjana pohon se bashkëngjitur këtij kualifikimi, ka kryer një internship në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Drejtorinë e NATO-s, si dhe për një kohë të shkurtër ka punuar edhe si mësimdhënëse në Fshatin e Fëmijëve SOS.
“I dhashë vetes kohë mjaftueshëm për të testuar tregun e punës si dhe për të vlerësuar mundësitë që më ofroheshin, bazuar në arsimimin që kisha marrë. E testova, si i thonë “në lëkurë”, se studimet e mia më ofronin mundësi të limituara për të realizuar synimet në jetë dhe gjithashtu edhe përtej një lloj bindjeje urbane, e vërteta e zgjidhjes sime të re tregonte se tregu i punës ishte i tejngopur me juristë të diplomuar, e megjithatë, unë zgjodha të vazhdoj studimet për Juridik tek ‘Luarasi’. E bindur që tregu i punës ka gjithmonë nevojë për juristë të mirë dhe gërshetuar edhe me faktin se ‘Luarasi’ ka nxjerrë juristë të të gjithë niveleve, që nga avokatia dhe deri te gjyqtarët e Magjistraturës, po studioj fort që nesër të jem një prej tyre dhe e them me bindje se kam bërë zgjedhjen e duhur”.
Por sa e lehtë ka qenë për Besianën kjo zgjedhje dhe sa ka gjetur mbështetje nga Universiteti ‘Luarasi’?.
“Të jem e sinqertë, ‘Luarasi’ nuk është i lehtë. Në filozofinë e tij, të një universiteti elitar, institucioni të ofron shumë dhe ka të njëjtën pritshmëri edhe nga studentët. Ndaj edhe përpjekjet e mia për të qenë studente ekselente, jo vetëm në auditor por edhe jashtë tij, janë mbështetur dhe vlerësuar nga stafi akademik dhe administrativ i ‘Luarasit’. Rezultatet e mia si studente më kanë dhënë mundësinë që të fitoj të drejtën për të pasur një pagesë preferenciale, në përputhje me politikat e mbështetjes financiare të studentëve të shkëlqyer të ‘Luarasit’. Më është dhënë mundësia të angazhohem në aktivitetet jashtëshkollore, ku mund të përmend angazhimin në Këshillin Studentor si senatore dhe zëvendës presidente e këtij këshilli. Ajo që është unike te ky universitet është promovimi i vetë studentëve, duke më punësuar brenda sistemit ‘Luarasi’ në një pozicion ndihmës, por shumë i rëndësishëm. Kjo nuk është e lehtë për t’u arritur dhe është mjaft sfiduese për t’u mbajtur vit pas viti. Unë dua dhe po punoj fort që të lë një shenjë në këtë amfiteatër akademie që prej vitesh ushqen me profesionistë biznesin, administratën publike dhe gjyqësorin”. Konkretizimi i gjithë kësaj ka arritur deri më sot, natyrisht që për Besianën përbën më tepër se një angazhim profesional dhe jo vetëm. “Krahas studimeve dhe angazhimit në strukturat studentore, pasdite punoj si sekretare e Masterit, me kohë të pjesshme. Ishte një mundësi punësimi e krijuar në administratën e ‘Luarasit’, e cila m’u besua mua falë mbështetjes nga të gjitha strukturat drejtuese të universitetit, e për këtë, u jam shumë mirënjohëse. U jam mirënjohëse, gjithashtu, edhe kolegëve të zyrës dhe studentëve të tjerë, të cilët bashkë me drejtuesit, më duket sikur janë sinkronizuar për të më lehtësuar këtë ndërmarrje të re timen. Puna me studentët nuk është e lehtë, veçanërisht në sekretari, pasi përgjegjësia është shumë e madhe dhe gabimet mund të jenë edhe të pakthyeshme. Por, kur puna ka lidhje me studimet, me ambientin, stafin, synimet dhe dëshirën për t’ia dalë, atëherë ajo kthehet në burimin kryesor të forcës për të ecur përpara. Kështu është ‘Luarasi’, një oaz mundësish ku të edukohet mendja dhe të ndryshon jeta!”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.