Në fokus

June 29, 2016 | 8:26

Dëshmi/ Besnik Mustafaj: I kam adhuruar prindërit!

Kush më mirë se sa një shkrimtar, mund të identifikojë përmes penës e shpirtit krijues, modelin me prindërit… atë që e afron nga vetja, apo herë të tjera atë që i krijon ndasi. Jo përafërsi të tipareve e imazhit, se sa atë të një modeli që ka ndikuar për të krijuar unin e tij. Shkrimtari Besnik Mustafaj rrëfen më poshtë se përtej admirimit apo imitimit të prindërve, situata të ndryshme e kanë shtyrë atë drejt njëa pavarësie të përshpejtuar në formimin e karakterit…

Kë admirojmë dhe kë imitojnë nisur nga periudha e hershme?

Asnjëherë nuk kam menduar në terma të përcaktuar kaq qartë siç është “admirimi” apo “imitimi” kur ka qenë fjala për marrëdhëniet me prindërit e mi. Ndaj edhe e kam të vështirë t’u përgjigjem me saktësi. Por pyetja juaj më kujtoi një poezi të shkruar para tridhjetë vjetësh e që shoh se e kam përfshirë në botimin e poezive të zgjedhura “Legjenda e lindjes time”. Kjo do të thotë se kjo poezi ka një domethënie të rëndësishme për mua si autor dhe si njeri. Titulli i poezisë është: “Në ekspozitën e piktorëve të vegjël”. Në një nga strofat e saj kam thënë: “Babai kthehet i lodhur nga puna./ Si baba ngjan me heronjtë e filmave, të librave:/ pak me Skënderbeun, pak me Vojo Kushin,/ pak me Adem Rekën që sapo ka mundur detin./ Ndryshe, si mund të jetë baba?! Këtë poezi unë e kam shkruar diku në moshën 25-vjeçare. Kam qenë, pra, në moshën kur marrëdhëniet me prindërit nuk i kisha më thjesht emocionale. Mund t’i lejoja vetes edhe t’i gjykoja. Ndërkohë, unë vetë po i afrohesha cakut kur do të bëhesha baba. Ky kontekst e bën të besueshëm atë që kam thënë në këtë rast përmes poezisë dhe çon, më duket mua, te përgjigja e pyetjes tuaj. Në fëmijëri, pra, unë kam qenë si në përgjithësi moshatarët e mi për sa i përket perceptimit të babait tim: kam kërkuar tek ai heroin e aftë për të bërë të pamundurën. Dhe si të tillë me siguri që e kam admiruar. Deri kur ka zgjatë ky admirim? Nuk e di. Unë jam shkëputur nga vatra prindërore në Bajram Curri me të mbaruar klasën e tetë dhe adoleshencën e kam kaluar në konvikt, në Tiranë. Këto janë rrethana që adoleshentin e brumosin ku më shumë e ku më pak, jashtë admirimit, por edhe jashtë imitimit të prindërve dhe e shtyjnë atë drejt një pavarësie të përshpejtuar në formimin e personalitetit e të karakterit.

Si i keni ndarë këto dy tipare në rritjen tuaj?

Siç u thashë edhe më lart, unë vërtet nuk kam pasur asnjëherë vetëdije të qartë lidhur me vështrimin që hidhja mbi prindërit e mi në aspektin e shtruar në pyetjen tuaj. Do të thosha, gjithsesi, se imitimi është rrjedhim i natyrshëm i admirimit. Pra, imitimi më duket i pandashëm nga admirimi. Pak poetë ka në letërsinë shqipe që kanë shkruar sa unë poezi për prindërit e vet. Nisur nga një fakt i tillë, një psikoanalist do të thoshte për mua se padyshim i kam admiruar si njërin dhe tjetrin.

Po te fëmijët tuaj si janë përçuar këto vlera?

As për këtë pyetje unë, sinqerisht, nuk kam një përgjigje të qartë. Me siguri të plotë mund t’ju them vetëm se unë nuk kam bërë kurrë ndonjë përpjekje të qëllimshme për të fituar admirimin e dy djemve të mi. Në jetën time nuk ju kam thënë qoftë edhe një herë të vetme se unë për ata punoj, për ata robtohem, e shprehje të kësaj natyre, që i dëgjon rëndom te prindërit. Nuk kam dashur kurrë të marr në sytë e tyre pozitën e martirit në emër të së ardhmes së tyre, që ata të ndjehen pastaj të detyruar ndaj meje. Jo. Besoj se admirimi apo edhe imitimi përcillen te fëmijët përmes modelit që përbën për ta babai. Unë jam përpjekur të jem një baba sa më i pranishëm në përditshmërinë e rritjes së tyre, sa më i dashur me ta e po aq i përgjegjshëm si baba. Kjo po. Më tej nuk di ç’të them. E sigurt është që ata nuk më kanë ndjekur asnjëri në profesionin tim bazë. Ata janë të dy juristë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top