Kur pohon se miqësia e vërtetë ekziston, me plot kuptimin e saj, nuk e ka asfare të vështirë të japë dhe pse-të. Sepse për Bledian Kokën, morali i gjithë kësaj marrëdhënie, të ndërsjellë, qëndron mbi shtyllat bazë të ‘cilësisë’ mbi të cilat krijohet dhe mbahet gjallë miqësia. Gazetari dhe moderatori, gjithaq po kaq ‘mik’ edhe në transmetimet televizive, thotë se falë kësaj vlere që ia njeh vetes, ka përftuar këshilla dhe paralelisht kënaqësi. Ai jep mjaftueshëm për t’u konsideruar ‘mik i mirë’ dhe nuk e quan aspak sakrificë, për aq kohë sa ajo nuk e ka zhgënjyer.
Miqtë janë bashkudhëtarët tanë, të afërt ose jo, pse jo dhe shumë të besueshëm. Cilësia e marrëdhënies që ndërtojmë mes miqsh është në varësi të shumë pritshmërive që ndërtojmë përkundrejt tyre. Në ç’raport jeni ju?
I njoh vetes vlerën e të qenit mjaft social dhe si i tillë, miqësia më është shumë e dashur si ndjesi dhe nevojë për t’u ndjerë mik tek ata që unë i kam miq. “Cilësia” e miqësisë për mua është përfitimi më i madh, dhe me këtë nënkuptoj të pasurit besim, të marrit kënaqësi në komunikim, humorin dhe më e rëndësishmja, që ata (pra miqtë e mi) të jenë mirë. Nëse kjo perceptohet njësoj edhe nga ata (miqtë e mi), mendoj se në këtë mënyrë është vendosur raporti i njëtrajtshëm i quasi-barazisë së nevojshme për funksionimin e një miqësie.
Besoni se ekziston miqësia e vërtetë?
Unë pëlqej shumë, por shumë… të besoj te njeriu si qenie, dhe si i tillë më pëlqen të besoj te miqësia e vërtetë. Nëse do të thosha të kundërtën, nuk do të isha i vërtetë me miqtë e mi aktualë. Unë ndaj shqetësime të tilla me miqtë e mi, që ndoshta nuk i ndaj ndonjëherë me njerëz akoma edhe më të afërt. E bëj këtë se pres që minimalisht të kem një këshillë të sinqertë, sepse në raste të caktuara pres ndihmën e tyre, të cilën shpesh e marr. Thënë kjo, unë besoj se ekziston miqësia e vërtetë dhe unë vazhdoj të besoj në të. A kam pasur unë zhgënjimet e mia?! Pa diskutim që PO, por kjo nuk ma ka lëkundur kurrë besimin te miqësia në tërësi.
Çfarë e ushqen miqësinë e vërtetë?
Miqësinë e vërtetë e ushqen ndershmëria, e cila fillon së pari nga vetja. I ndershëm me veten, i ndershëm me miqtë, pasi ndershmëria shërben për të kuptuar se çfarë pritshmërish ke ti karshi miqve të tu, e cila shkon gjithashtu në sinkron me ndershmërinë me të cilën ti i je përgjigjur miqësisë që të është dhënë dhe të është kërkuar.
Përgjatë rrugëtimit tuaj, mediatik më së shumti, sa kohë u kushtoni miqve tuaj të vërtetë? Sakrifikoni?
Unë nuk e vë në peshore kohën time me miqtë e mi, por ama nuk është e paktë ajo që kam kaluar dhe kaloj me ta. Sigurisht, unë kam disa miq që i konsideroj të ngushtë dhe koha që kaloj me ta prevalon ndaj disa të tjerëve, qoftë edhe për shkak të profesionit që mund të na lidhë. Mendoj se jap mjaftueshëm për t’u konsideruar “mik i mirë” dhe ajo që i jap miqësisë nuk më është sakrificë për aq kohë sa nuk më zhgënjen.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.82
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.