Në fokus

April 25, 2017 | 9:20

Dëshmi/ Blerta Tafani: Çdo mëngjes e keqardhur kur ndahem me vajzën!

A i zgjidh dhuna mllefet, sherret, debatet familjare? Kjo plagë e shoqërisë duket se do të na mbajë peng, si pasojë e një tradite të pashoqe që ka pjellë e kaluara. Dy vitet e fundit ngjarje tronditëse kanë shënjuar vendin. Fëmijët e jetimores së Shkodrës, falë disa kamerave të emisioneve investigativë, rezultuan se dhunoheshin dhe abuzoheshin prej vitesh; një fëmijë trevjeçar në një kopsht privat të Tiranës, sikundër dhe bashkëmoshatarë të tjerë aty, dhunoheshin nga administratorja-edukatore; por dhe plot ngjarje të tjera, ku gruaja është parë të dhunohet nga mëngjesi e deri në darkë, deri sa t’i merret jeta, nga veriu e deri në jug të vendit. Protagonistë nga halli, këto viktima të dhunës kanë dëshmuar se, shqetësues mbetet fakti që dhuna është model i shoqërisë. Por, a nuk duhen gjykuar shembuj të tillë?! Për gazetaren e njohur Blerta Tafani, prind i një vajze, ajo që po e jetojmë sot është një situatë e dhimbshme, njëherazi shqetësuese për brezat që po rriten.

untitledNë këndvështrimin tënd si femër, kolege, mike, por mbi të gjitha nënë, si e shikon këtë fenomen? Në çfarë kohe po jetojmë?

Dilemë e pazgjidhshme. Jam e tronditur pa masë nga videot që kemi parë, duke u bërë dëshmitarë të dhunës së grave dhe fëmijëve, që në fakt duhet të jenë më të mbrojturit. Nuk e di a është bërë dhuna më e ashpër dhe më e pranishme, apo teknologjia po na lejon të njihemi më shumë?! Herë-herë më duket si një fenomen i pandalshëm. Sa më shumë raste denoncohen, aq më shumë të tjera ndodhin. Ne shtojmë reagimin tonë kolektiv, veçanërisht ditët pas publikimit të këtyre rasteve fatkeqe, por asnjëherë asnjë analizë të burimit të tyre. Dhe kështu, më duket se dhuna ka ekzistuar dhe do të vazhdojë, e dhimbshme, por shpesh e pandëshkuar, përsëritet e përsëritet.

Sa e vështirë ka qenë për ty që në rrethana mediatizimi dhe linçimi në masë të ngjarjeve si ajo në Vlorë, apo në kopshtin privat në Tiranë, t’ia shpjegoje vajzës se pse ndodhin këto gjëra? Çfarë gabimi ka bërë ai bebi që e rrahu edukatorja?

Kjo është pyetja që më ka munduar këto ditë. Pyetje e bërë thjesht dhe natyrshëm, por tepër e vështirë për mua për t’ju përgjigjur. U mundova që Antea të mos i shihte videot e dhunimit, por fëmijët sot mësojnë gjithçka. U mundova t’i shpjegoj që këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin asnjëherë dhe se në këtë rast ishte edukatorja ajo që po bënte një gabim të madh. S’mund ta fsheh. Që nga momenti që e pashë atë video, më është ndryshuar çdo mëngjes që kur ndahemi, për ta marrë makina e kopshtit. Po sikur të ndodhë? Po mësojmë çdo ditë se nuk bëhet fjalë për një rast të vetëm. Më shumë se vajza, jam ndjerë vetë e trembur.

Ju ka shprehur frikë në të tilla situata dhe si e keni qetësuar, nëse?

Nuk di të them a ka ndjerë frikë Antea apo jo. Unë jam munduar që t’i bëj inekzistente këto raste për të, dhe pse shpesh mendoj se ndoshta është më mirë t’i njohë, kështu edhe mund të tregojë më lehtë nëse ndonjë rast i ngjashëm ndodh në kopshtin e saj. Hera-herës më përsërit se fëmijët bëjnë edhe gabime se janë të vegjël. Dhe më duhet ta mbështes. Po, fëmijët bëjnë gabime se ndryshe si do mësojnë?! Po, mes dialogësh që shkëmbejmë shpesh, tani i kam shtuar pyetjet për të mësuar më tepër rreth marrëdhënieve që ndërton në kopsht.

A duhen gjykuar shembuj të tillë?

Unë i kam gjykuar të gjitha rastet që kemi parë. Nuk janë ngjarje të rastësishme. Janë dhunë e mirëfilltë. Mbase gaboj. Nuk jam psikologe që të mund të bëj analizë të thellë të rasteve dhe personave që ushtrojnë dhunë. Jam munduar të arsyetoj edhe ndryshe, e keqardhur sesi një femër mund të dhunojë. Por në fund, jam kategorike. Dhuna është e pafalshme dhe e patolerueshme. Veçanërisht ndaj grave, dhe absolutisht ndaj fëmijëve.

Si jeni ju në marrëdhënie me vajzën?

Koha që kaloni me të, këshillat që i jepni? Gjithnjë e më tepër më duket më e vështirë marrëdhënia mes nënës dhe fëmijës. Sot fëmijët janë një hap përpara teje. Sado të mundohesh t’i ofrosh gjëra të përshtatshme vetëm për moshën, burimet e informacionit janë nga më të ndryshmet. Mësojnë çdo gjë. Ndodh të të lërë pa fjalë me gjërat që mëson. Këtë nuk ia ndaloj dot, ndaj mundohem t’i shpjegoj çfarë është e mirë dhe e keqe. Nuk jam nëna kategorike. Nuk kam bërtitur kurrë. Kam qeshur me gabimet e saj. Tani që po rritet them se edhe kam gabuar ndonjëherë. Kur unë pres që të më thotë ajo “me fal”, në fakt ndodh e kundërta, më kërkon ajo mua t’i them “me fal”. Por, pres me durim. Pas “llastimit” tani ka filluar ajo faza që mund t’i shpjegoj çfarë është e mirë dhe çfarë jo.

Keni një model që keni ndjekur në raportin tuaj?

Nuk kam ndonjë model që ndjek. Mamaja ime më thotë shpesh se, ne nuk dimë t’i rrisim fëmijët. Ndoshta është e vërtetë. Mundësitë ekonomike u kanë lejuar shumë e më shumë gjëra sa ne kemi pasur, por gjithçka tjetër është bërë më e vështirë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.110

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top