Briseida Mema
Gazetare
Ajo i ka përballuar të gjitha, për të thënë sot se në fund të fundit ia ka dalë jetës së përbashkët. “Ku janë teshat?”, “Kur do t’i lash enët?”, “Pse mungon sheqeri në dollap?”, “Ku i kam çelësat?”, “Çfarë do hamë për drekë?”, e të tjera pyetje të kësaj natyre të vënë përpara një përgjegjësie të madhe pasi ke marrë vendimin për të hedhur hapin më të rëndësishëm të jetës; atë të të jetuarit me personin që e do aq shumë, por që nuk e njeh aq sa duhet në raport me marrëdhënien e ndërsjellë. Nisur nga këto pyetje shumë çifte si në botë edhe në vendin tonë hasin vështirësi, të cilat shoqërohen me sherre banale dhe zënka për të cilat më vonë pendohen. Personazhi ynë, protagonist në këtë temë kaq të debatueshme ndër breza pranon të na rrëfejë se pyetjet që konstatuam më sipër janë më se të vërteta e rrjedhimisht shkaktare të grindjeve të vazhdueshme mes çiftit. Briseida Mema, gazetare e njohur në profesionin e saj, brenda dhe jashtë kufijve, në eksperiencën e saj 30 vjeçare në martesë me Krenarin, pranon se jeta nuk ka si të jetë vaj, ndaj sipas saj, jo vetëm fillimet e bashkëjetesës por edhe e gjithë jeta bashkëshortore ka ngacmime të tilla që ndikojnë në çift si për mirë ashtu dhe për keq.
“Ne u përballëm me situata të jashtëzakonshme, sepse menjëherë pas martesës erdhi në jetë djali ynë, Marini. Kushtet në atë kohë ishin shumë të vështira, shtëpia ishte e vogël, fëmija duhej mbajtur, e kështu shtoheshin problemet e familjes. Kisha nënën të sëmurë dhe detyroheshim të alternoheshim për të shkuar në spital. Kishte gjëra që të kushtëzonin. Në këtë vorbull, vetëm një gjë arrin të kuptosh, gjuhën e mirëkuptimit sepse në të kundërt të humbet kontrolli. Janë dy njerëz të ndryshëm që kërkojnë të ndajnë pjesën e tyre. Pa gjetur këtë ekuilibër nuk besoj se funksionon. Jeta nuk duhet kuptuar si një vuajtje pa fund. Në familje duhet të zhvishesh nga çdo gjë e jotja dhe të jesh ajo që je. Të gjitha fillimet janë të bukura se është një eksperiencë që ti nuk e ke provuar më parë. Diku do fillosh të kërkosh nga vetja, tjetri dhe e ndjen se edhe në këtë përplasje merr dimension jeta jote, përmirëson gjëra por edhe prish ato që ke krijuar tashmë. Ka një përplasje që nuk i bën keq individit. Krijon evolucion. Unë i kam tmerrësisht inat rastet kur bashkëshorti thotë: Bëj çfarë të duash. Është zgjedhja më e tmerrshme, dhe në një situatë të tillë, kur unë nxehesha, ai rrinte pa lëvizur e nuk i përgjigjej sherrit tim dhe unë që i thosha: Të paktën reago. E kisha shumë të nevojshme që të më përgjigjej me të njëjtën vlerë inati apo gëzimi sepse unë isha më impulsive. Ai tërhiqej për të qetësuar gjendjen por mua kjo sjellje më nxiste për të bërtitur. Tjetër gjë në fillimet tona ishte kur im shoq më pyeste: Nuk ka sheqer në shtëpi? I thosha: Po pse duhet të dyshosh, pse nuk mendon ku është sheqeri? Ose probleme në gatim. Ka pasur plot të tilla. Unë isha mësuar e llastuar, të kujdeseshin të tjerët. Mua më pëlqente dhe vazhdoj të jem e dhënë pas mishit ndërkohë që Krenari do vetëm gjërat me lëng. Por shpesh tërhiqet ai”.
Në një bashkëjetesë kaq të gjatë sigurisht dhe elementë të tjerë janë po kaq ngacmues kur bëhet fjala për rimodelimin e shtëpisë, vendosjen dhe futjen e sendeve të reja, e të tjera si këto. Për Briseidën këto gjëra kanë shumë rëndësi, por siç rrëfen ajo, në lidhje me shijet e bashkëshortit edhe këtu ka dallime.
“E vetmja gjë që ne kemi rënë dakord është se të dy i dashurojmë librat dhe pikturën. Pastaj për ngjyrat e dhomave, atij i pëlqejnë ngjyrat e ndezura ndërsa unë jam më e ftohtë. Ai është me idenë klasike të mos lëvizim objektet e shtëpisë, se duhet t’i ruajmë, ndërsa unë nuk mund të rri me të njëjtat gjëra përjetësisht. Që nga kolltukët, ngjyra e mureve… Stili i ngjyrave ka qenë një përplasje e vazhdueshme por që kam arritur të gjej një të mesme. Kam fituar unë gjithmonë. Sa i takon higjienës, ai është më i vëmendshëm, korrekt ndërsa unë jam vazhdoj të jem e parregullt. Krenari do apo nuk do, e merr leckën vetë, fshin dhe pastron vetë kur sheh diçka që nuk shkon. Një mëngjes i them tim biri (me idenë për të gjetur një fajtor): Nuk di ku mi ka lënë çelësat. Më tha: Aman o ma, sa për atë punë babi është më i kujdesshëm se ne në familje. Këtu them se ka ndikuar dhe profesioni, ai ekonomist, unë gazetare, ai është mësuar me rregull shifrash më i strukturuar në çdo ndërsa unë jam e hallakatur në punë, me lajmin. Shpesh gjërat i lë rrëmujë dhe Krenari vazhdon t’i sistemojë”.
Gazetarja Mema përqendrohet në atë që familja është ndryshe nga shoqëria. Sipas saj mes çiftit krijohet ajo marrëdhënie ku toleranca e bën komunikimin të vazhdueshëm.
“Tim shoqi i pëlqen liqeni, Pogradeci mua më pëlqen të jem diku më afër. Megjithatë kur shoh se atij i pëlqen diçka nuk kam pse të mos ia bëj qejfin. Është tolerancë e pranueshme në një raport më shumë se reciprok. Unë asnjëherë nuk do ta quaj tolerancë apo nënshtrim. Do ta kisha shumë të vështirë këtë sepse nga natyra jam kryeneçe. Kam shumë qejf kur bëj dhurata, jap nga vetja. Shpesh jap unë ndërsa im shoq është më pak i vëmendshëm”.
Që prej njohjes së parë, në trenin që të çonte për në Lushnjë ku Krenari punonte ekonomist dhe Briseida stazhiere, e deri më sot ku familja është shtuar dhe me djalin e tyre të vetëm Marinin, kanë ndryshuar shumë gjëra sigurisht. Briseida rrëfen se në raport me Krenarin ka fituar prej tij tolerancën, te jetë pak më e gjerë, ndërsa nga i shoqi ka ndryshuar natyrën e tij për ta pranuar gazetaren e njohur ashtu siç është me gjithë profesionin e saj të vështirë.
“Ka pasur raste shumë të vështira kur puna si gazetare më ka kërkuar të zhvendosem me kohë të gjatë, në vende të ndryshme. Më është dashur të merrja komplet kohën e shtëpisë por edhe të punoja në një terren të vështirë ku tensioni dhe frika ishte shumë e madhe. Shumë herë e kam paragjykuar tim shoqi kur i thosha pse më merr shpesh në telefon kur unë jam në terren, siç ishte për shembull Marsi i ’97, lufta në Liban, Kosovë etj… më pyeste: Ku je, çfarë bën, dhe unë thosha: Ç’dreqin ke që më merr kaq shpesh? Më dukej si shenjë mosbesimi. Por sot këtë provë po e kaloj me tim bir. Atëherë e kam kuptuar bashkëshortin tim, që nuk ka qenë xhelozi, mosbesim apo paragjykim, por një ndjenjë reale që provon çdokush”.
Botuar në revistën Psikologjia, mars 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.