Në fokus

May 19, 2016 | 9:01

Dëshmi/ Brunilda Zllami: Letërsia, burim i çlirimit emotiv!

Një shpërthim shpirtëror i çastit ngjan me një “eksploziv”, që ajo nuk e mban ndër duar, por si pakkush tjetër ka fatin që ta hedhë në faqet e romaneve që mbajnë firmën e saj. Një botë e tërë, herë ngazëlluese e herë me nota fataliste, që e ngërthen në situata konkrete. Por, ajo u ka gjetur “ilaçin” shërues gjendjeve, që shpeshherë e trazojnë emocionalisht! Brunilda Zllami rrëfen se si… Jam person që nxehem dhe shpesh e demonstroj. Besoj se skuqem dhe dua të flas me dikë që është një shok dhe dëgjues shumë i mirë, që të nxjerr “inatin”. Pasi kam shfaqur gjithë argumentet e mia, qetësohem, por nuk harroj. Ajo që më bën më shumë të stresohem është jeta profesionale. Është një profesion me të cilin stresi jeton në simbiozë të plotë. Dita e gjithsecilit, sidomos e mjekut, është e mbushur me shqetësime të jashtëzakonshme. Mundohem të mos reagoj me manierizma e grimasa, por ama dallohem në sy kur jam e stresuar. Ndoshta sytë janë vërtet pasqyra e shpirtit. Secili prej nesh reagon në mënyrë të ndryshme ndaj stresorëve. Kjo ka të bëjë me karakterin e tij. Me mënyrën se si është edukuar, sa “i përkëdhelur” është, sa është sprovuar me vështirësitë. Jam mësuar të bashkëjetoj me stresin dhe ta përdor si motor nxitës për të arritur atë që dua. Rrallëherë bëhet lodhës. Mua më pëlqejnë njerëzit që janë të përmbajtur dhe reagojnë me butësi ndaj problemeve. Veten fatkeqësisht nuk e fus dot në këtë kategori. Është e vërtetë që në jetë kam punuar dhe kam kaluar vështirësi, por në familje kam qenë gjithnjë e përkëdhelur dhe më është ofruar gjithçka kam dashur. Dëshirat e mia kanë qenë gjithnjë prioritet i familjes. Megjithatë dashuria që ndiej për punën që bëj, për jetën e pacientëve, dëshira që kam për të gjetur diagnozën, për të ndihmuar sa më shumë në kualitetin e jetës së tyre më bën ta tejkaloj stresin. Jeta personale është bota ime e ëndrrave. Familja dhe miqtë janë burim qetësie dhe mezi pres momentet që t’i takoj pas punës. Prehjen pas një dite stresuese dhe të lodhshme e gjej pa mëdyshje tek im shoq, familja ime, miqtë, muzika, librat, natyra… Ka shumë gjëra të bukura dhe shumë njerëz që duam t’i kemi pranë për t’iu përkushtuar atyre. Një prej tyre, që për mua është absolutisht e rëndësishme, është edhe letërsia. Është terapia më e mirë. Për këtë e dua dhe do e dua gjithmonë, sepse është vendi ku pastrohem shpirtërisht, ku ndihem e qetë, e lirë. Mund të jem gjithçka që dua!

Psikologji Dhjetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top