Ju keni kontribuar në artin shqiptar dhe veçanërisht në rolet e bukura të shoqëruara me buzëqeshje. Cila është marrëdhënia juaj me buzëqeshjen?
Fillimisht po ju deklaroj me zemër të hapur dhe i buzëqeshur, se unë me buzëqeshjen kam marrëdhënie të shkëlqyera, të ngrohta dhe miqësore. Kemi një simpati të ndërsjellë, e duam, e respektojmë dhe jemi të pandarë nga njëri-tjetri. Kemi marrëdhënie të afërta personale, shoqërore, familjare dhe profesionale. Personale, sepse unë në çdo çast që më jepet mundësia të buzëqesh nuk nguroj që me çiltërsi e dashuri t’ua dhuroj të tjerëve, falas. Marrëdhënia familjare me buzëqeshjen është e pranishme dhe nuk mungon nga mëngjesi gjer në darkë. Më duket se edhe gjumin e bëjmë të buzëqeshur. Dhe e fundit, marrëdhënia profesionale me buzëqeshjen dhe më tepër se kaq me të qeshurën, është e përditshme, pasi profesioni im është krijimtaria artistike e humorit, filmat komikë, çdo ditë një karikaturë në shtyp, ndërkohë që në emisionet e ndryshme televizive nuk mungojnë batutat humoristike që japin buzëqeshje për bashkëbiseduesit dhe me siguri për telespektatorët. Fatmirësisht, buzëqeshje marr dhe jap, pasi kam një shoqëri të mençur, dashamirëse, interesante, që buzëqeshjen e ka në logon e saj.
Si ju ka shërbyer dhe i keni shërbyer ju buzëqeshjes në jetën tuaj?
Më e rëndësishme nuk është buzëqeshja ime, personale, por ajo që më jep më tepër kënaqësi është buzëqeshja e tjetrit. Shpesh më ndodh, në mjedise të ndryshme, në rrugë, në autobus, te berberi, nëpër zyra, kur persona të panjohur, sapo më shohin, buzëqeshin. Me siguri kujtojnë filmat, programet televizive apo karikaturat. Të them të drejtën edhe unë vetë kam pasur lehtësira nga buzëqeshja ime në adresë të bashkëbiseduesve. Me një buzëqeshje kam kaluar edhe çaste të vështira, gjë që serioziteti i shtirur e i sforcuar do bënte të kundërtën. Unë përsëris shpesh disa thënie personale të krijuara në periudha të ndryshme të krijimtarisë, si p.sh “Mos u mburr se rri serioz, por merakosu që nuk di të qeshësh!”. Dhe në jetë ka shumë tipa të tillë që me “të vetëndjerin e sforcuar serioz”, nuk dinë as të buzëqeshin. Më vjen keq për këta tipa, se e kanë privuar veten nga një kënaqësi që na e ka dhuruar Zoti. Për këtë unë them: “Serioziteti pa cak të bën qesharak!”.
A ju ka stimuluar profesioni për të qenë një karakter i buzëqeshur?
Çdo krijesë që vjen në jetë, vjen duke qarë. Mirëpo një miku im i afërt, mjek gjinekolog, që çdo çast pret lindjet e krijesave që qajnë, duke njohur tipin tim, më thotë: “Ti Bujar e ke thyer skemën! Ti ke lindur duke qeshur”. Ndoshta… Tani kam filluar ta besoj edhe unë. Aq më tepër këtë e ka përforcuar e stimuluar profesioni im si krijues i humorit. Është bukur të jetosh midis buzëqeshjeve.
A mendoni se tipari i buzëqeshjes shërben si një tipar vlerësues për njerëzit?
Mendoni se buzëqeshja të vesh me më shumë pozitivitet? Unë mendoj se buzëqeshja është një tipar vlerësues për njerëzit. Ndodh shpesh që në përcaktimin e një personi themi me simpati shprehjen “Është një tip i buzëqeshur”. Kontakti me njerëz të tillë të bën të qëndrosh përballë tyre pa ndrojtje, i qetë dhe me kënaqësi për të bashkëbiseduar, sepse me buzëqeshjen e tyre ata reflektojnë mirësi, mençuri, fisnikëri dhe kulturë. Jam i bindur se buzëqeshja e ndjerë dhe e vërtetë i jep çdo personi pozitivitet. Në rast të kundërt, kur buzëqeshja është e shtirur, e sforcuar, false, ndihemi të zhgënjyer nga personi antipatik që kemi përballë. Them antipatik, sepse buzëqeshja e zbukuron njeriun. Unë, për këtë, them: Nuk është aspak e bukur kur qesh vetëm për t’u dukur.
Ju pëlqen të rrethoheni nga njerëz që ju dhurojnë buzëqeshje, apo nga ata qe ju mundësojnë biseda interesante?
Çdokujt i pëlqen të rrethohet nga njerëz që dhurojnë buzëqeshje. Dukuri e fisnikërisë dhe e kulturës. Po aq e bukur dhe e pëlqyeshme është edhe shoqëria me persona që mundësojnë biseda interesante. E përkryera do të ishte që këto biseda interesante të shoqëroheshin me buzëqeshje. Një bashkëbisedim i çfarëdolloji, kur cilësohet si interesant, me siguri brenda tij ka ekzistuar buzëqeshja. E megjithatë, është gabim të mendojmë se buzëqeshja jep vetëm kënaqësi e gëzim. Buzëqeshja në një çast apo vend të gabuar bën efekt të kundërt. Kur dikush flet seriozisht në një çast solemn, një buzëqeshje e dëgjuesit atë e shqetëson. Buzëqeshja, kur shoqëron një frazë ironike, te bashkëbiseduesi “konvertohet” me një ngrysje vetulle. Buzëqeshja, aq sa është miratuese dhe e kënaqshme, po aq është edhe kundërshtuese dhe zemëruese. Prandaj, duhet kujdes në përdorimin e buzëqeshjes. Buzëqeshjen e përdorin shumë në art këngëtarët, kërcimtarët, konferencierët, në shërbime të ndryshme, shitësit, berberët e zanatçinjtë e tjerë. Në administratë e përdorin pa masë servilët, si dhe politikanët në fushatë zgjedhore. Buzëqeshja asnjëherë nuk është, si i thonë fjalës, “sade”, përherë është e përzierë me një tjetër lloj ndjesie që i jep asaj karakteristikën, ngjyrën, formën dhe mesazhin më të saktë. Buzëqeshja është shumëfunksionale: miratim, mohim, nënvlerësim, dyshim, joshje, surprizë etj. Prandaj është e bukur dhe e pranishme në jetën tonë…
Botuar në revistën Psikologji, nr.73
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.