Nga: Orjona Tresa/Foto: Vlasov Sulaj
“Femër gaforre” apo “nënë ujk”, ndoshta këto janë termat që i vijnë për mbarë t’i përdorë për të përcaktuar dimensionet e fuqisë së saj. Në të vërtetë, ajo është si një makineri që lëviz në mënyrë të pandërprerë, ndërsa “sfida” është kryefjala që e udhëheq në jetë. Frymëzohet nga burra të fortë e plot muskuj, ndërsa vetë është një femër e bukur e linja perfekte në trup. Por i duhet të pohojë se gjithsesi jetën e saj e ka ndërtuar me “thonj e dhëmbë”, e padyshim kjo e ka ndihmuar të mos ketë ndrojë nga askush, ndërsa thotë se shqisa e frikës për të është inekzistente. Nëse e pyet për kompromistet në jetë, e mbyll me një fjali të shkurtër e kuptim plotë se, pikërisht këtë leksion nuk e ka pasur në abetaren e saj. Dhe padyshim nëse nuk e mëson një gjë, nuk mund ta përdorësh dot. Jeta me ulje-ngritjet e pazakonta e ka forcuar në vazhdimësi, pikërisht sepse i është dashur t’ia nisi sërish nga zero. Por kjo nuk e ka trembur aspak. Stresin di ta mposhtë dhe nuk preferon kurrë të thotë të kundërtat, qoftë dhe për një çast. Tanimë disiplina i jep edhe më shumë besim te vetja, ndërsa çdo mëngjes zgjohet me energji e plane të reja. Sfidon të tjerë apo është e sfiduar, për të kjo nuk ka fare rëndësi. Në këtë konkurrencë që nuk ka fund asnjëherë, ajo mendon se arrin t’ia dalë gjithmonë në krye. E një gjë e tillë i vep veç adrenalinë pa fund. Por megjithatë ajo shprehet se gjithsesi, që të mos përjetojë zhgënjime, jeta e ka mësuar të mos i besojë “hijes së saj”. Shmang thashethemet dhe paragjykimet, por nëse këto i zënë derën për të shtrembëruar realitetin e brishtë, ajo thotë se në këtë rast gjithkujto do t’i kundërpërgjigjej me Ligjin e Hamurabit: “sy për sy dhe dhëmb për dhëmb”. Është Dorina Mema, fort e njohur si modele fitnesi, kampione gjithaq me kurorën e vendit të parë vitin që shkoi dhe po aq si drejtuese e një zyre ligjore, e cila këtë herë për “Psikologjinë” vjen me një rrëfim të plotë mbi jetën e saj.
Ju gjej në një periudhë angazhimesh të reja, por sidoqoftë me ngarkesa emocionale, të bukura, garuese, sfiduese për ju. Si po e përjeton?
Nuk i thoja dot jo sfidës së radhës, aq më tepër një sfide kërcimi. Ta pranojmë, çdo dashamirës kërcimi do të dëshironte të merrte pjesë në “Dancing With the Stars”. Edhe pse më është dashur të heq dorë nga masa muskulare dhe garat e sezonit, përsëri mendoj se bëra zgjidhjen e duhur. Jam në atë cep ekrani ku duhet të isha që fëmijë duke kërcyer. Unë këshilloj ta ndiqni me vëmendje këtë vit.
Çfarë do të thotë për ju ky kompeticion dhe a e pretendon çmimin?
Unë nuk jam nga ata njerëz që pretendoj. Jam një makineri që jap maksimumin dhe kjo punë më çon drejt fitores gjithmonë.
Nëse po, kujt do t’ia dedikoje?
Nëse po do ia dedikoja dashurisë time.
Ndalemi tek artet, ëndrra juaj në sirtar. Po realizohet kjo ëndërr sot?
Njeriu rritet vetëm atëherë kur mbaron së jetuari të gjitha momentet fëminore. Unë jam një fëmijë akoma! Brezi ynë ka pasur fëmijëri fragmentale, vitet 1990-2000. Atë që dija të bëja më mirë dhe më jepte lumturi në gjithë qelizat e mia ishte ora e kërcimit. E ndoqa kursin fshehurazi familjes për shumë kohë, duke mbuluar veten me kursin e matematikës, dhe atëherë që zura edhe në ansambël një pozicion protagonisteje, familja më zbuloi dhe ma ndaluan sikur të ishte krim penal. Kur mora këtë ftesë për “DWS”, u kujtova që e kam dhe një detyrim të fëmijërisë. Me gjithë peripecitë e jetës shoqërore të atyre viteve, unë kam qenë fëmi aktiv dhe po me këtë energji që kam dhe sot. Kam qenë nxënëse e mesatares 10, fitoja gjithmonë nëpër konkurse, sepse e gdhija duke bërë përgatitje, marr përgjegjësi për çka marr përsipër. “Nuk ka asgjë nuk bëhet”. Këtë ia them vetes gjithmonë.
Çfarë ju pengoi në fëmijërinë tuaj të merreshit me arte, dhe në cilën gjini pikërisht?
Kur isha fëmijë, më ishte gulitur në mendje karakteri alla Roki Balboa. Më emociononte dhe frymëzonte ai karakter i ndershëm, i djersës, i mundit, i thjeshtësisë dhe ashtu u rrita vërtetë. Gjithçka kam, e kam ndërtuar me duart e mia, me punë e mund.
Si ka qenë pjesa tjetër e botës fëmijënore tuajës, çfarë të pëlqente të bëje, çfarë nxënëse ishe, a kishe ti idhuj dhe si u ndërtua karakteri i Dorinës që gëzon sot?
Ndërkohë, fëmijë në pamjen e jashtme, anoja në stile me ngjyra të ëmbla, alla Barbie. Kjo të bën që të përçosh energji pozitive te njerëzit që të rrethojnë. Mundohem që njerëzve t’u jap kënaqësi e jo stres. Stresin e lë ëndrrave të natës e çdo mëngjes zgjohem me energji e plane të reja. Stresin e mposht dhe kurrë nuk më ka mposhtur.
Familja është modeli ku ngrihen bazat e personalitetit, sa ka ndikuar ajo tek ju?
Familja është për një gaforre si unë. Jam rritur nga një familje e konsoliduar, nën kontrollin e tyre dhe me disiplinë. Gjithçka mendoj, veproj, planifikoj mbështetem te familja. Veten time e kam në plan të dytë. Në familje përfshij edhe familjen e mashkullit tim, të cilët më japin një dashuri të llastuar prej kolopuçeje 10 vjeç. Nuk besoj se ekziston ndonjë lumturi më e madhe se familja, të tjerat janë të nevojshme, si karriera e shoqëria, por i shikoj plotësuese.
Paralel keni një jetë multifunksionale, me dy diploma të rëndësishme, mësimdhënëse dhe prind. Sa vijnë të realizuara këto tek ju?
Përsa i përket mëmësisë, jam një nënë ujk. Fal dhe toleroj shumë në jetë, por e kam një pikë të dobët, dal jashtë kontrollit kur bëhet fjalë për fëmijën tim. Ishte një sfidë për vajzën time mësimdhënia në shkollën e saj. Ajo është në adoleshencë me skenat e moshës së saj dhe unë jam pas saj gjithmonë. Kur më pa dhe mësuesen e saj, aty u dorëzua… Kur do ta mbash fëmijën nën kontroll, e mban për bukuri, pavarësisht punëve që kemi. Karriera ime si juriste vazhdon, por dhe ajo sportive jo më pak. Jam gjithmonë me orare të zëna nga puna në punë, por ia dal.
Sa vështirësi ka të menaxhosh jetën në Shqipëri?
Nëse flasim për një nënë fëmije në Shqipëri, është strapacuese me këtë sistem social që kemi, por jam trajnuar për t’ia dalë jetës që bëjmë këtu. Jam një shqiptare 100 karatëshe përsa i përket mbijetesës në çdo lloj situate.
Femrat kanë shqisën e gjashtë, intuitën që i ndihmon t’ia dalin mbanë në pengesa apo zgjidhje të çastit. Sa ia njihni vetes këtë cilësi?
Spontaniteti dhe zgjidhja e momentit është karakteristikë e imja. Nëse mendohem gjatë gaboj, sepse filloj me supozimet, hamendësimet dhe ndonjëherë kështu dal nga korsia. Varet nga situatat. Megjithatë e kam gjithmonë një përgjigje të sekondës për gjithçka.
Në daljet publike reflektoni një femër të vendosur në qëllimet e saj. Në fakt vetë angazhimet tuaja e tregojnë këtë. Si ia keni dalë të bëheni vetë Zot i vetes tuaj?
Pjesa që kam vuajtur më tepër janë: liria ime. Të pranohesh nga familjarët e tu dhe bashkëshorti si një femër me liri të plotë veprimi, më ka marrë 10 vite jetë. Ndoshta më të bukurat, por sot jam krejtësisht autoritare mbi gjithçka, kjo sepse unë kurrë s’kam abuzuar me lirinë që familja më ka dhënë.
Keni sakrifikuar për të arritur ato që keni dashur? Çfarë sakrificash?
Sakrifica më e madhe është rinia ime. Nuk kam jetuar aspak rini, jetë shoqërore. Sakrifikova veten për të realizuar çfarë i duhej jetës time. Nëse do kisha dashur të jetoja një moment për vete, nuk mundesha, se duhej të punoja për familjen 10 orë. Nëse do kisha dashur të shkollohesha në ekstremitet, që përballonte zgjuarsia ime, nuk munda, se u bëra nënë 19 vjeç, iu përkushtova bebes 24 orë edhe pse studimet i ndiqja part time. Sakrificat më ndjekin çdo hap. Gjithmonë lë dëshirat e mia për familjen. Kështu jam unë. Nuk jam egoiste dhe egoistat i mbaj larg. Jam mësuar tashmë. Sakrifica e fundit mund të jetë një ofertë e Australisë, të cilën nuk e realizoj dot nëse dashuria ime s’më ndjek.
Jeni ju një vajzë që bëni kompromise?
Kompromiset nuk ishin në abetaren time dhe s’e njoh si koncept sot. Jam njeri i prerë, i drejtë dhe nuk qaj materiet. Unë lumturinë e gjej në absoluten më tepër se konkreten. Kompromiset nuk janë qëndrime të karaktereve sunduese, ne urdhërojmë.
Paragjykoheni? Sa shpesh e hasni dhe si reagoni?
Paragjykimet do kisha dashur të thoja “pa koment”. Fjalë të bardha dëgjoj më tepër dhe jam indiferente ndaj bla-bla-bla-ve. As nuk më intereson të di sa paragjykohem apo si. Di që zbatoj çdo ligj të marrëdhënies horizontale, pra me njerëzit dhe nuk besoj që duke mos gabuar të lë hapësira për paragjykime. Reagimi im i një paragjykimi të nxituar, pa fakte, më shtyn të shpjegoj realitetin. Nëse realiteti përsëri më shtrembërohet nga ata, atëherë i fshij me gomë, i injoroj. Dhe nëse ky paragjykim është pjesë e shoqërisë time, të cilët edhe pse më njohin shtrembërojnë realitetin, atëherë i shtrembëroj portretin. Te dera e dhomës time shkruhet: Ligji i Hamurabit sy për sy dhe dhëmb për dhëmb, ligji i parë i krijuar dhe s’u krijua më kot.
Sa ju shqetësojnë thashethemet, shoqëria jonë vuan ende nga kjo plagë për të cilën koha duket se nuk ka favorizuar ndopak shërim?
Me thashetheme nuk merrem kurrë. Zilia falë Zotit nuk esziston tek unë. E dua të bukurën dhe qetësinë në jetë. Jam e drejtë dhe hakun ia jap çdokujt. Ua nxjerr në pah meritat njerëzve. Lum ata që bëjnë mirë në këtë botë, se për të thënë të keqen është shumë e lehtë. Veç jetës së vajzës, si do shkojë jeta e saj, në veten time nuk më tremb asgjë.
Çfarë ju tremb?
Jeta më ka forcuar, ulje-ngritjet më kanë mësuar t’ia nis nga zero në çdo moment. Duke mos dëmtuar asnjë njeri, kjo më ndihmon të mos kem frikë nga askush. Shqisa e frikës nuk ekziston tek unë.
Në rrugëtimin tuaj, cilat kanë qenë modelet që ju kanë ndihmuar dhe shërbyer në krijimin e profilit tuaj?
Nuk kam model fiks. Në personazhe librash e gjej ndonjëherë veten, por kam krijuar një model timin personal. Nuk kopjoj kurrë askënd. Kam krijuar një tip femre midis një karakteri mashkulli, në dukje koketë sharmante. Pra rregulla dhe sharm, jo ekstravagancë, jo modernizëm pa kufij e norma, të cilat i shikoj shumë këto kohë te disa mama që po i dëmtojnë fëmijët e tyre.
Çfarë ju ka mësuar jeta?
Jeta më mësoi mos t’i besoj hijes time, që mos jetoj zhgënjime. Atëherë kur trupi të ndjejë dhimbje, mendja të ndjejë masazh. Jeta më mësoi se qetësia e shpirtit është marrëdhënia vertikale me Allahun. Jeta më mësoi se ajo dorë që ngre një hekur, ajo ngre dhe një lule, por ajo dorë që ngre veç lule nuk ngre dot hekur. Jeta më mësoi të jem e durueshme e mos të nxitohem për asgjë. Çdo gjë merrka kohën e vet.
Sa e shëndetshme ka qenë për ju të rrëzohesh e të ringrihesh me forca të reja për t’ia dalë mbanë?
E shëndetshme nuk është aspak, flas nga ana psikologjike. Nga ngarkesa e lëvizjeve që bëj, dua tí shikoj e ti kontrolloj të gjitha, të bëj çdo gjë vet, por kjo të lodh. Ndonjëherë më merren mend dhe them që do ndryshoj stil jete. Por prapë të nesërmen e gjej veten duke bërë vet gjithçka. Kjo ngarkesë më ka bërë të humbas memorjen.
Ju pëlqejnë sfidat dhe sa shpesh përfshiheni në to?
Sfidat janë startet e mia. Pa sfida unë jam si ai luani që njerëzit i flasin e ai vazhdon lëpihet në kafaz. I mirëpres sfidat, më mbajnë në aktivitet energjik.
Ju jeni nënë e një vajze, si është raporti juaj?
Raporti është i ndryshueshëm. Duke e mbajtur pas vetes, kemi raport shoqëror, por jo totalisht sepse unë jam konservatore dhe njeri i disiplinës. Kjo gjë vajzën time e tremb pak, duke i dhënë nuancën fëmijë-prind herë pas here.
Nënë autoritare apo mikeshë e afërt, këshilluese e vëmendshme?
Këshilluese në çdo moment. E teproj aq sa bezdis dhe veten, por fëmija duhet t’i marrë veset e mira pa u rritur, aq më tepër një zonjushë.
Sa e vështirë është të jesh prind i vetëm në Shqipëri?
Janë tërë kohës mbi kompjuter, teknologjia na mori në qafë. Flas gjithçka me vajzën pasi ajo është rritur para kohe. Di çdo hap, plan sekret timin. Ajo është shoqja ime e ngushtë.
Flisni hapur me të? Cila është fjalia që ia përsërit më shpesh?
Shprehja më e shpeshtë është: Detyrattttttttt!
Mësova se në jetën tuaj ka një lidhje të veçantë shpirtërore me Perëndinë. Çfarë është besimi në Zot për ty dhe si u gjete pranë tij?
Përvoja në Qatar më lidhi realisht me islamin. Informacione të shpjeguara shkencërisht që mësova atje, më afruan me një të vërtetë si Allahu. Sot për mua kjo është paqja ime.
Njiheni si femra e parë shqiptare me një trup bombë, modele fitnesi me një çmim të parë në konkursin e vitit që shkoi në Itali. Pse ju me fitnes, çfarë të ka bërë të duash kaq shumë këtë sport?
E vërtetë që jam e para dhe me një paraqitje të veçantë muskulare, muskul dhe feminilitet. Kjo më bën të lumtur pa masë. Me fitnesin do jem e lidhur përgjithmonë. Tek unë ka qenë dhe është stili i jetës time, mënyrë të jetuari, por masa muskulare do jetë e vogël. Fitnesin e dua sepse plotësoi një zgavër që mundonte tek unë forca fizike.
Sa nevojë kanë shqiptarët, sidomos femrat të kenë informacionin e duhur për trupin e tyre?
Shqiptarët kanë nevojë për informacione të sakta, sepse aq sa duket sikur sot dinë, aq nuk dinë asgjë. Informacionet përreth janë copy paste, por që prapë janë aty ku ishin. Informacione të sakta janë ato të testuara, të provuara, të ndryshuara me azhornim ndër vite. Femrat në Shqipëri janë të bukura nga natyra dhe edukata e trajtimit fizik do të ishte ideale për to.
Sa e ka ndryshuar jetën tënde: të duash trupin, mendje-shpirt së bashku? Cili është ekuilibri që ju bën juve një femër me rregulla ndaj jetës tuaj, pse jo familjes dhe shoqërinë?
Ekuilibri im qendron në forcën e unit tim që sa vjen e rritet. Besimi i madh në vetvete, investimi në dije dhe forcë fizike më ka kompletuar për të realizuar çdo gjë vet. Disiplina në jetë është element i domosdoshëm për ata që duan të vendosin rregulla.
Cila do të ishte këshilla juaj kundrejt lexueseve të revistës?
Këshilla kryesore është të bësh atë që lumturon trupin tënd. Njihuni me trupin tuaj, kuptojeni atë.
Ushqehuni sipas grupit të gjakut. Jepini qetësinë e duhur. Eliminoni elementë shtesë si kripa, sheqeri, konservante të gatuara. Qëndroni në ushqime siç i ka krijuar natyra.
Më premtuat një surprizë për të gjithë lexuesit tani, që në fakt konsiston në regjimin e të ushqyerit dhe ushtrimeve fizike që ndihmojnë metabolizmin të jetë në paramentra perfekt. Atëherë?
Në dieta dobësimi masni 1 gr. karbohidrat për një kg tuajin, aq duhet të konsumoni dhe dobësoheni shumë kollaj në mënyrë natyrale. Bëni çdo gjashtë muaj cikël multi vitaminash apo kripërash, sepse në dieta ju nuk furnizoheni dot me to. Merrni yndyrna pa frikë, por ato natyrale.
Botuar në revistën nr.101
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.