Në fokus

May 22, 2017 | 10:33

Dëshmi / Drande Xhaj: Mbi imazhin qëndrojnë vlerat njerëzore

Në portretin e saj janë “vizatuar” shumë role. Janë interpretuar dhe gërshetuar personazhe e karaktere që kanë përcjellë ndjesi të pashlyera për publikun. Në vargun e emocioneve të ndryshme në këtë rrugëtim prej 4 dekadash, të ndjerit artiste e kanë rritur profesionalisht, njëherësh e kanë bërë të dashur dhe model për brezin e ri. Përtej investimit në art, aktrim, Drande Xhaj mbetet gjithashtu edhe ikonë e bukurisë shqiptare, një femër që gjithherët e sheh me një imazh të kuruar që, sipas saj, vjen si rezultat i një kulture të hershme prej traditës familjare, por edhe një respekt ndaj vetes dhe atyre që e rrethojnë. Ndryshimin e imazhit ajo e sheh si ujët e kulluar, të freskët, që nuk mund të ndalet, por natyrisht pa abuzuar me të për ndonjë tekë a sqimë e trendeve të kohëve të sotme. Ajo është kundër ndërhyrjeve plastike deri në shpërfytyrim. Çdo gjë, sipas saj, duhet të jetë me masë, pa ia humbur bukurinë moshës.

untitled

Profili juaj artistik është kaq i gjerë dhe i pasur me personazhe. Si ndiheni emocionalisht pas këtij rrugëtimi?

Po, vërtet, kjo pasuri artistike më jep të drejtën të ndihem shumë mirë emocionalisht. Të jesh artiste është ndjesi shumë e bukur, e mrekullueshme, e pakrahasueshme, por edhe një rrugë tepër e vështirë pasi ka shumë pengesa. Të duhet lodhje e mund i madh për t’i kapërcyer. Unë “udhëtoj” prej gati 39 vitesh në këtë rrugë si aktore profesioniste në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ishte e papritura më e madhe që ndryshoi rrugën e jetës sime. Kur isha maturante, pas një audicioni (atëherë quhej kinoprovë), në të gjitha shkollat e mesme në Shkodër, fitova konkursin për të luajtur rolin e Licës, heroina në filmin “Thirrja”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ky film u bë shkak që të ndryshojë gjithçka, pasi unë ëndërroja të studioja gjuhën angleze. Kështu, sot jam në teatër dhe vë re se kam realizuar me qindra personazhe në premierat e estradës, ku atëkohë ishte me detyrim të viheshin katër shfaqje të reja në vit. Unë interpretoja 3-4 role në çdo premierë, krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, si në fizionomi, po ashtu edhe nga ana vizive, formimi, karakteri, niveli kulturor. Kam interpretuar 10 komedi, 5 kinokomedi dhe në 4 drama. Duhet theksuar që jo çdo aktor sado i famshëm të jetë, nuk mund të luajë në dy plane, dramë- komedi. Ata aktorë që e bëjnë këtë janë një mrekulli.

I keni arritur ju ato pritshmëri që i kishit vënë vetes dhe cili është rezultati?

Të them të drejtën, në përgjithësi jam e kënaqur me arritjet e mia, por gjithmonë mbetet ndonjë peng. Po të mundesha, t’u kthehesha edhe një herë roleve të mia, mund të ndryshoja diçka. Puna ime në teatër prej gati 39 vitesh, sigurisht është vlerësuar jo vetëm nga shtypi i shkruar apo mediat lokale e kombëtare, por edhe me tituj e çmime të ndryshme. Vlerësimet për mua janë gjithmonë motivim dhe përgjegjshmëri për punën time.

Jeni ndër personazhet e pëlqyer të humorit, me vite profesionalizmi në skenë, me tituj gjithaq, ndërsa po të shohësh imazhin tuaj, ai duket se nuk lëvizur, nuk ka ndryshuar, duke ju prezantuar gjithmonë po kaq të freskët dhe bukur para publikut. Nga ky konstatim edhe i artdashësve, si ju bën të ndiheni ky fakt?

Faleminderit! Sigurisht, imazhi është tepër i rëndësishëm, sidomos për një artiste, e cila është person publik dhe gjithmonë në qendër të vëmendjes. Kur kjo gjë vihet re edhe nga publiku, më bën të ndihem shumë mirë, sepse jam imazh edhe i një qyteti me tradita shumë të mira. Sepse: “Ma i bukri vend n’kët dhe, … asht Shkodra ku kam le, krenar për te un jam, ma t’bukur se at nuk kam”. Dua të theksoj sot se teatri është e gjithë jeta ime, është frymëmarrja, është oksigjeni, është dashuria e dashurive të mia.

Të shfaqeni ndryshe në “look”, ju jep një ndjenjë më të lartë vetëvlerësimi?

Është e vërtetë. Ndryshimi në “llok” të krijon vetëvlerësim. Këtë mund ta krahasoj me ujin që rrjedh, që është gjithmonë i pastër dhe i freskët, kështu edhe ndryshimi i pamjes së jashtme të mban të freskët dhe me energji pozitive, çka është shumë e rëndësishme në punën tonë.

1A ka ndikim, sipas jush, kurimi estetik i trupit në vlerësimin si artiste e kompletuar?

Edhe kurimi estetik i trupit ka rëndësi në vlerësimin si artiste, por jam kundër ekzagjerimeve. Gjithçka duhet të ketë masë. Të dukesh bukur dhe e kuruar mirë është normalitet.

Sa e rëndësishme është për ju paraqitja e jashtme? Çfarë bëni ju për të? Sa kohë i kushtoni imazhit?

Paraqitja e jashtme është shumë e rëndësishme për të gjithë, veçanërisht për një artiste, sepse siç e thashë, është në qendër të vëmendjes. Unë përpiqem të dukem gjithmonë mirë, të jem vetvetja dhe të ndihem mirë në paraqitje. Nuk mund të them se i kushtoj shumë kohë.

Cili është opinioni juaj për njerëzit që kryejnë ndërhyrje estetike në imazh?

Nuk dua të gjykoj askënd. Gjithkush është i lirë të veprojë si ta mendojë, por gjithmonë sipas mendimit tim, të kryesh ndërhyrje estetike deri në shpërfytyrim, të tjetërsohesh, nuk më pëlqen. Kështu që nuk jam dakord.

Do të bënit ndërhyrje për ta përmirësuar imazhin?

Jam kundër. Unë nuk do bëja ndërhyrje për asnjë arsye. Jam mirë kështu siç jam. Të gjitha këto që m’i ka fal nëna ime. Jam e kënaqur dhe faleminderit Zotit që jam kështu.

Për ju është i rëndësishëm imazhi i jashtëm te një femër apo vlerat njerëzore që ajo ka? Si e gjejnë këto dy elementë ndërthurjen te ju?

Thashë, imazhi është shumë i rëndësishëm për një femër. Të kujdesesh për t’u dukur mirë e këndshëm është së pari respekt ndaj vetes, por në rastin e artistit është edhe respekt ndaj publikut, që unë e falënderoj shumë fort, pasi është mbështetja dhe frymëzimi im më i rëndësishëm, më mban gjallë. Pa ata nuk do të ishin arritjet e mia. Duartrokitjet dhe admirimi i tyre janë ushqimi im. I falënderoj nga zemra të gjithë ata brenda Shqipërisë dhe ata që jetojnë jashtë vendit, prej të cilëve marr gjithmonë sadisfaksion shumë të madh. Pra, imazhi për një femër është shumë i rëndësishëm, por për mua shumë më të rëndësishme janë vlerat njerëzore. E kur këto të dyja ndërthuren janë mrekullia vetë. Sa janë ndërthurur këto tek unë, nuk mund ta gjykoj vetë, ia lë publikut ta gjykojë. Unë ndihem mirë.

 

Titulli “Naim Frashëri” akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Socialiste të Shqipërisë; “Mirënjohja e Qytetit”, nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Shkodër; “Qytetare Nderi” nga Prefektura e Qarkut Shkodër, nga Këshilli i Komunës Shkrel, Malësi e Madhe; “Qytetare Nderi” e Komunës Gruemirë; Titulli i Lartë nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Albania; “Krenaria e Unionit” nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar; “Mirënjohje” nga Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës në Kosovë. Vlerësuar gjithashtu edhe me çmime të rëndësishme si: Çmimi i Parë si aktorja më e mirë në Festivalin Kombëtar të Komedisë Shqipe organizuar në Mitrovicë, çmim i marrë 3 vite radhazi në vitin 2014, 2015 dhe 2016.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.112

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top