Në fokus

May 23, 2016 | 10:04

Dëshmi/ Drita Babi: Më pëlqen të dukem 10 vjet më e re

Drita Babi, ish valltare e trupës artistike ‘‘Migjeni’’.

Gjatë protagonizmit të të birit, në një nga “reality show”-t më të famshëm që zhvillohen në Shqipëri, ajo fitoi po aq popullaritet sa edhe djali i saj. Jo si konkurrente e mirëfilltë, por si mamaja e njërit prej pjesëmarrësve më të spikatur në të. Arsyeja? Fare e thjeshtë: Arma e saj e fortë, pamja e jashtme, me të cilën jo vetëm fitoi pikë, por bëri që shumë bashkëmoshatare të saj të rendnin pas modelit që 46-vjeçarja prezantonte. Një mama moderne, një zonjë që kuron veten deri në detajet më të imta, gjë të cilën e konsideron si një thirrje të brendshme që gati “shurdhon” çdo thirrje tjetër të jetës, përpara nevojës për t’u dukur gjithmonë e re. Të lexosh paraqitjen e jashtme të Ditës, është një nga ato gjërat që mund të bëhen sakaq. Është njësoj sikur të kesh një libër të hapur ndër duar! Flokët biondë të prerë shkurt e me baluke, mollëzat e dala, trupi i hajthshëm… pantallonat xhins të grisura që zbulojnë kupën e gjurit, varësja me rrip të zi e medaljon të madh e lidhur në gushë, mbi 20 rrathë byzylykësh të zinj që i rrethojnë parakrahun, apo unaza prej argjendi e pozicionuar në gishtin e madh të dorës, të bëjnë të mendosh se përpara ke një çupëlinë 25-vjeçare, që përqafon sa stilin sportiv, aq edhe atë “punk”. Një femër që e mendon seriozisht çështjen e performancës së jashtme, duke i shpallur sfidë të hapur moshës reale. Por, vetëm disa rrudha të lehta anash syve duket se e tradhtojnë këtë gjendje të momentit. “Veshja që unë zgjedh, më bën të ndihem rehat me veten, e bukur dhe e vlerësuar në çdo kohë e vend. Këtë gjë e konstatoj edhe nga komplimentet që marr, të cilat i çmoj, sepse më ndryshojnë e më përmirësojnë gjendjen shpirtërore. Të dukem 10 vjet më e re dhe gjithmonë e kuruar, është një nga ato dëshirat që për një femër të brezit tim gjykoj se është e përligjur, pasi vitet bëjnë punën e tyre. Investoj shumë tek pamja ime, sepse më pëlqen të dëshmoj që kujdesem për veten dhe që afrimi tek të 50-at nuk më mposht kurrsesi”, thekson Dita. Dëshira për t’u dukur më e re, është nevojë për t’u ndier më e freskët dhe për t’u prezantuar ndryshe nga femrat e brezit apo moshës së saj. Bluzat e masës “small”, apo pantallonat me numrin më të vogël, janë të përshtatshme për format trupore dhe 55 kilogramët e 46-vjeçares. Dhe nuk është aspak e rastit kur e shohin t’i drejtohet një butiku me djalin e saj në krah, e shitëset e ngatërrojnë me ndonjë nga partneret e të birit, tashmë një figurë publike. Sigurisht, që kjo i përkëdhel sedrën dhe e bën të ndihet një mama trendy, moderne dhe pse jo, më simpatike se e dashura apo bashkëmoshataret e djalit. Për ish-valltaren, pamja e jashtme shpesh “vulos” fate në jetë, andaj i duhet kushtuar vëmendja e duhur. “Ndoshta në pamjen time të mirë ka ndikuar edhe jeta që unë bëj, rehatia shpirtërore, komoditeti që më ofron im shoq dhe të gjithë këta faktorë e justifikojnë gjendjen time. Tregoj kujdes për veten, por jo në ekstrem. Nuk jam maniake pas parukerive, apo pas trajtimeve e produkteve të shtrenjta kozmetike… Ndihem shpesh fatlume për gjenet e mia. E nëse këtë dhuratë të Zotit e ndërthur edhe me një stil të bukur veshjeje, që më tregon edhe më vajzërore, atëherë them se e kam përmbushur me sukses misionin tim”, vijon 46-vjeçarja. Nevojën për t’u ndier më e re, e ndjeu pas lindjes së të birit… Një ushqim i shëndetshëm, një aktivitetet i pasur fizik bën që ta mbajë nën kontroll fizikun e saj. Por, kur festoi 45-vjetorin e lindjes, nuk e fsheh një lloj paniku që e kaploi përbrenda… Tashmë duhet të kishte edhe një motiv më shumë për të parë veten në pasqyrë pa rrudhur buzët apo vrenjtur vetullat, dhe për t’u zotuar se asnjëherë nuk do e lëshonte veten, pavarësisht viteve, apo ndonjë rrudhe më shumë që shfaqet në fytyrë. “Kam gati një vit që praktikoj palestrën. Shkoj çdo ditë dhe ushtrohem rreth një orë. E konsideroj relaks, nevojë për të vënë në punë muskujt e trupit, për t’i tonifikuar dhe një mënyrë tepër e devotshme për të kaluar kohën. Është një nga ato aktivitetet e ditës që duket se më ka magjepsur, e pa të cilën nuk bëj dot”, përfundon Dita, teksa kënaqësia i lexohet ndër sy, kur një grua e panjohur i afrohet për ta përshëndetur me statusin e mamit të Polit, e komplimenti për veshjen dhe pamjen e saj të jashtme bëhet refreni i bisedës së dy zonjave që qëndrojnë përballë meje.

Psikologji Dhjetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top