Përvoja e punës si drejtuese e zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Tiranës nuk janë pak për të rrëfyer nga përditshmëria e saj! Eda Turku nuk pretendon të zbulojë nga ato historitë pikante me personazhe VIP, martesat e tyre dhe emocionet me të cilat i ka përcjellë… Martesat me doza të të pazakonshmes, që ndonjëherë kalojnë realitetin dhe imagjinatën njerëzore, shpesh e kanë tronditur… Partnerë që kanë moshën e babait apo të nënës me mbi 20 vite diferencë moshore nga njëritjetri, guxojnë të thyejnë tabutë e normat duke shkuar përtej realitetit shqiptar për një martesë të kornizuar apo të ashtuquajtur normale e të pranueshme.
“Mbas viteve ‘90 ka pasur shumë raste të grave përgjithësisht të divorcuara me një fëmijë, që celebroheshin kryesisht me shtetas të huaj për të vetmin qëllim që të mund të siguronin për fëmijët e tyre një të ardhme më të sigurt. Pas viteve 2000 shumë djem të rinj kanë bërë martesa me femra të një moshe me diferencë të madhe, kryesisht shtetase angleze e gjermane, për të vetmen arsye, sigurimin e dokumenteve të punësimit ose të një pasaporte. Shpeshherë i kam bërë pyetje, cila është lidhja midis jush, dhe ata më janë përgjigjur: ‘Nuk është e vërtetë shefe, mos na shiko ashtu, duam të punojmë të qetë atje ku jemi për të ndihmuar familjet tona”.
Eda e ka të zorshme të mbërrijë në emra konkretë, gjithsesi, celebrimi i një gruaje shqiptare me një shtetas italian, 30 vite më i madh se ajo, nuk i shkëputet edhe sot nga mendja. Gjatë ceremonisë gjithçka e ka përcjellë me habi, të cilën e ka reflektuar edhe në fytyrë. Dhe përgjigja e gruas shqiptare ishte: “Mos u habit, zonjë. Po martohem të jem shërbëtorja e tij për të ushqyer tre fëmijët e mi. M’u dhimbs, u ndjeva shumë keq”, kujton Turku.
Përballja me kësi martesash, me diferenca moshe që e kalojnë kufirin e 20 viteve, i bën edhe më të veçanta këto raste, të cilat ngjan se nuk janë sporadike, por të shumta në numër. Ndër vite, Eda Turku ka mundur të lidhë me kurorë shumë prej tyre, e nuk e ka pasur asnjë dozë paragjykimi, sepse ka qenë në brendësi të motiveve që i kanë shtyrë në këtë përzgjedhje. I ka përkrahur, e shpesh ndonjë lot në sy nuk i ka munguar. Thjesht ka ndjerë keqardhje.
“Më kujtohet, ishte një djalë nga Hasi i Kukësit, i cili martohej me një shtetase rreth të 50-tave. Më kujtohet buzëqeshja e saj, ishte tip sportiv, e në momentin që unë lexova: ‘Në emër të ligjit të Republikës së Shqipërisë dhe vullnetit tuaj të lirë ju deklaroj burrë e grua’, nga ana e djalit që ishte rreth të 30-ave pashë një puthje dhe një përqafim plot ndjenjë. Ishte gjithçka kaq emocionuese”, tregon Eda Turku.
Dhe në këtë përballje historish interesante, ajo ka ditur gjithnjë të bëjë detyrën e saj, por duke mos i shkëputur nga vetja ato pak ndjesi njerëzore të momentit që janë kaq të larmishme për raste kaq specifike.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.51
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.