Në dhjetëra negociata apo marrëveshje si përfaqësuese e diplomacisë shqiptare, roli i saj ka qenë vendimtar. Në tetë vite karrierë në Ministrinë e Jashtme, puna i është shpërblyer, investim që ka rezultuar me firmosjen e shumë prej çështjeve në favor të vendit. Pavarësisht terrenit maskilist, frymës tabú siç e quan Edith Harxhi mentalitetin që mbizotëron shoqërinë tonë, ajo ia ka dalë. Gjithçka falë finesës dhe elegancës së të bërit diplomaci në dorën e një femre. Ky është faktori më i rëndësishëm për të gjitha shoqëritë, për ta parë femrën jo vetëm në elementin qendror të riprodhimit, por si figurën bazë të krijimit të një jete të re.
Vizioni i saj është i qartë kur thotë se: një femër duhet të ndihet e tillë çdo ditë, muaj apo vit. E këtë ajo e përkufizon me ndryshimet psikologjike që ndodhin pas të 18-ve deri në mesin e të 30-ve, atëherë kur pjekuria, përvoja, brishtësia, amësia bëhen të gjitha bashkë e i falin asaj energjinë, forcën e brendshme shpirtërore për t’ia dalë mbanë në çdo drejtim. “Jetojmë në një vend me një të veçantë historike. Ajo nuk është e lidhur me të kaluarën tonë të vështirë. Shqiptarët kanë jetuar në një lloj matriarkati, ku femra ka qenë shumë e rëndësishme me vendimet e saj në familje, nga veriu në jug. Edhe nëse i referohemi disa prej kanuneve, atij të Dukagjinit apo të Labërisë, gjithçka sillet rreth femrës, në formë kushtetutash shoqërore jo vetëm kundrejt brishtësisë apo paprekshmërisë së saj. Të mitizuar e shohim dhe në legjenda të ndryshme. Këtë e gjen në çdo femër shqiptare, jo vetëm në ato që kanë mbajtur fort familjet në 50 vjet diktaturë, por edhe në mbijetesën e shqiptarëve të Kosovës. Ka disa analiza që i referohen një numri të madh femrash të përdhunuara në Luftën e Kosovës. Kadareja i madh në një intervistë ka folur për këtë krim të madh të njerëzimit. Dhe nuk i referohet vrasjeve, por masakrës shpirtërore që ka ndodhur me përçudnimin e femrave. Dhe aty ku ka ndodhur kjo gjë, shihet qartë forca e femrës që ka mbijetuar. Edhe unë që kam kaluar jetën në këtë bashkësi, burim kryesor kam pasur këtë model: matriarkatin shoqëror, historik, të jetesës, ku përveç bukurisë, cilësisë apo elegancës është edhe forca e brendshme.”
Femra në karrierë
Vizioni i një shoqërie për ta parë një femër ashtu siç duhet, në majat e saj, nuk duhet të jetë modë, por pjesë e kulturës, sidomos në diplomaci ku ekzistojnë tabútë. Diplomacia ndërkombëtare sot anon në seksin femër. “Jemi zhvendosur nga gjendja e ‘Luftës së Ftohtë’ në një formë tjetër më elegante të të bërit diplomaci.
Vetëm 20 vitet e fundit kemi pasur tri sekretare në SHBA që kanë ndryshuar rrjedhat e historisë botërore, duke pasur rol vendimtar e të mundimshëm. Sot shihet si trend që unë nuk dëshiroj ta shoh kështu, por në fushën time drejtimi i politikës së jashtme duhet t’u besohet femrave. Është e vështirë të marrësh përsipër ta bësh këtë rol, si dhe atë të bashkëshortes a mikes. Gjatë një periudhe 8-vjeçare kam qenë e detyruar të udhëtoj të paktën 3 herë në javë. Ka pasur momente që nuk kam qenë në data të rëndësishme. E kam kaluar atë pjesë që t’i provoj vetes time se unë i bëja të gjitha. Ruaja balancat falë aftësisë së të qenit organizatore e mirë. Ne femrat ndjejmë se kur arrijmë një pozicion të caktuar, provojmë, kemi sfidë me veten”. Në evoluimin mbi dy dekash të vendit, Edith Harxhi e vë theksin te ndryshimi psikologjik shoqëror. Sipas syrit të saj, shoqëria jonë vijon të jetë e lëkundur. “Mendoj se kemi akoma punë për të bërë. Ndoshta duhet ta bëjnë gjeneratat e reja që të lindin pa paragjykimin tonë. Ta mbruajnë këtë kulturë se sa ta lënë një trend”.
Mesazh reflektimi
Ajo nuk hyn në atë kategori njerëzish që e feston 8 marsin apo 14 shkurtin, sepse i shesh ato thjesht si trende. Në fakt, për Edith Harxhin, këto data duhet të jenë ditë reflektimi dhe jo ekstazë femërore. “E shoh si një ditë, e cila duhet të na bëjë të mendojmë më shumë për shoqërinë ku jetojmë, të punojmë se si duhet ta zhvillojmë në drejtim të një vizioni të qartë për femrat në përgjithësi. Të përpiqemi të mos e kthejmë fjalën femër në stereotip, por t’ia nxjerrim në pah vlerat, duke nisur historikisht. Mendoj se është çasti për të kuptuar se ky vend ka nevojë të drejtohet nga femrat. Sepse në përgjithësi kur flasim për femrën në opozitë, pushtet apo politikë, nënkuptojmë më tepër drejtësi. Nuk e di pse sot e kësaj dite e kanë cituar dhe psikologë të mëdhenj se: disa nga punët më të mira në botë, apo vendimet më të forta janë marrë nga femrat. Ka shumë modele, por ne ende nuk e kemi një model. Ne vazhdojmë të kemi si figurë Nënë Terezën, e cila është shumë e mirë, por është model bamirësie. Ne na duhet edhe një model i fortë drejtimi dhe vendimmarrjeje. Sepse shoqëria shqiptare mbetet e maskilizuar, kulturë që kjo shoqëri, në qoftë se do të zhvillohet në të ardhmen, varet shumë nga elementi femër. Jo vetëm vallëzon, kërcen e këndon për 8 mars, kur mblidhen të gjitha, por që mund të drejtojë, mund t’i japë një drejtim krejt tjetër kahjes së historisë së këtij vendi”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.82
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.