Ajo vijon një karrierë të suksesshme si gazetare, e tashmë mban postin e zëdhënëses së Partisë “Fryma e Re Demokratike”. Por, njëherazi, nuk harron të postojë ende ato që ndjen e sheh përreth në një blog të sajin në internet, e po ashtu është aktive edhe në rrjetin social “Facebook”. Edlira Gjoni duket se po ngjit të sigurt hapat e karrierës. Dhe ende vijon… Në një ese të saj, nga ku edhe morëm ne pikënisjen, me titull “Femra, specia në zhdukje në Shqipëri” e botuar në blogun e saj, ajo përmend se “Nëse je në një punë, karrierë apo iniciativë, kokën e këmbët t’i presin çdo ditë, çdo çast, me çdo mënyrë, pa qenë nevoja që mjeti të jetë patjetër gur, thikë apo sëpatë. Një sulm mjafton, që femra të depersonalizohet. Ndaj, të kesh këtë gjini, në Shqipëri qenka ferr”. E pyetëm nëse ky “numër” i femrave të nënshtruara, marrë shkas edhe nga artikulli i saj, është produkt i një mentaliteti të një hierarkie sociale patriarkale, ku mashkulli sundon, por tinëz nga ana tjetër duket se ka shumë femra në këtë shoqëri kaotike që “pranojnë” këtë rol, si një lloj “Sindromi i Stokholmit”… Edlira përgjigjet se “nëse ndonjëherë na duket se, femrat e viktimizuara në lidhje të vështira, të dhunshme, paradoksale apo të paligjshme, bëhen pranuese e adhuruese të agresorit, pra bartëse të ‘Sindromës së Stokholmit’, kjo nuk duhet parë thjesht bardhë e zi”. Pa dashur edhe ne ta cilësojmë këtë si një fenomen, Edlira ka vijuar më tej për “Psikologjinë” duke thënë se “ato femra” e kanë një fund. “Të mos harrojmë se femrat që nënshtrohen e më pas bëhen viktima apo kufoma, kanë në përgjithësi një jetë tejet të vështirë, me familje të rrënuara, ekonomikisht apo psikologjikisht. Vijnë nga mjedise të izoluara, të thella e lehtësisht të manipulueshme. Ndaj agresorët ia dalin mbanë, sepse gjithmonë gjuajnë prenë më të brishtë për t’u vetëmbrojtur. Pra, së pari, – sipas Edlirës, – femrat janë viktimë e mjedisit, familjes apo shoqërisë ku jetojnë, e kjo i bën ato më shumë të ekspozuara ndaj rrezikut për të qenë e nënshtruar dhe e depersonalizuar”, – vijon Edlira në intervistën e saj për revistën “Psikologjia”. E nëse tek ato femra “të brishta”, nga paaftësia për t’u vetëmbrojtur, ndodh kjo gjë, ndryshe pohon për femrat në karrierë, të afta për të parandaluar ngacmimet apo abuzimet. “Për femrat në karrierë, rreziku nuk është kaq primitiv. Vështirësitë rriten, por duke qenë se nënshtrimi bëhet më i vështirë, atëherë edhe metodat për ta mbajtur femrën ‘nën çizme’ sofistikohen”. “Si?”, – ngre Edlira Gjoni një pyetje retorike. “Nuk ka më kërcënime për jetën apo për kartat e telefonit, por ama ka bllokime të tipit komunikues, përfshirës apo motivues. Ç’dua të them? Një femër në karrierë duhet të vërtetojë përditë që është e aftë të qëndrojë aty ku ka arritur. Përditë. Kurse një mashkull, po e fitoi një herë epitetin si ‘i zoti’, i ngel aty edhe nëse nuk ka vazhdimësi në performancë. Femra jo. Duhet përditë të vërtetojë se është e zonja, se mjedisi ka nevojë për të, se mund të jetë e vlefshme edhe për shkak të aftësive e se këto aftësi i ka. Punë shumë e vështirë të jesh femër në karrierë, sepse vlerësimin gjithmonë ta bëjnë ose meshkujt, ose gratë që ata mbajnë përreth, por që s’kanë as njohuri, as aftësi të mjaftueshme për të vlerësuar karrierën tënde. E në përgjithësi, vlerësimet janë subjektive: Më pëlqen, s’më pëlqen. Kurse barrierat apo përpjekjet për përfundjen vijnë me metoda nga më të ndryshmet: shpërfilljen e performancës, mospërfshirjen në komunikime të shpeshta e të drejtpërdrejta, mungesën e motivimit, lënien jashtë grupeve të vogla klanore, përjashtimin nga tregu i influencës, shfrytëzimin e pjesës profesionale pa menduar për shoqërimin me promovim publik, ndërhyrjen e shpeshtë në punën që të kanë besuar, ton të ashpër zëri që e trajton femrën si inferiore e të shkelshme me këmbë, katapultimin e papritur të të tjera prurjeve brenda gjinisë, ndërkohë që një mashkull nuk promovohet kurrë aq shpejt sa një femër në karrierë, sikundër edhe nuk bie aq kollaj nga maja e arritjeve të tij”. Sipas Edlirës, po këto forma moderne të mbajtjes së femrës në hije ndodhin në zyra, në media, në politikë, në administratë, në organizata. “Kudo. Të jesh edhe femër, edhe në karrierë nuk është akoma e lehtë. Aspak e lehtë”. Edlira më tej na ka rrëfyer pozicionin e saj aktual në FRD, një kombinim mes gazetarisë dhe politikës, duke “marrë me vete” eksperiencat profesionale, por edhe ato personale. “Mundohem t’i qëndroj larg identifikimit tim gjinor edhe në media, edhe në politikë”. Arsyeja sipas saj është tejet e thjeshtë. “Dua të vlerësohem për profesionalizmin tim, e jo të përfitoj nga gjinia ime”. “Por, siç edhe e përmenda, unë mendoj se gjinia bëhet pengesë, e jo shtysë për karrierën, qoftë në media, qoftë në politikë. Kombinimin media-politikë e kam parë përherë si një element jashtëzakonisht të fortë dhe efikas, por akoma të pashfrytëzuar për të mirën e femrës, në favor të saj. Dhe jo vetëm. Çdo ngërç ligjor, parimor e thelbësor që mungon në mediat tona, mund të sillet aty përmes politikës. Ka momente dhe çështje shumë interesante që mungojnë në media, sepse politika nuk i sjell ato, ndaj ngelemi tek retorika. Kurse me bartjen e një sërë eksperiencash me syrin e ashpër, kërkues e kritikues të njeriut të medias, unë shpesh çoj në mjedisin tim politik këndvështrime e përqasje që këmbëngul të bëhen publike me mendim politik nga pas, sepse vetëm kështu mund të shndërrohen në çështje interesi publik e mediatik”. Pra, sipas saj, “një ndërthurje këmbëngulëse dhe konstruktive nga të dyja anët, herë në media e herë në politikë, që çështjet reale të cilat cenojnë jetën e femrës apo të familjeve tona të vijnë në ekran e të jenë pjesë e debatit politik edhe jashtë televizionit e gazetave”. Përpos ngritjes së zërit përmes artikujve të saj në media, por edhe në blogun e saj virtual, e pyetëm Edlirën nëse vendi ka nevojë për ligje më të forta apo zbatim më rigoroz të tyre. “Sa për ligjet, të gjitha i kemi, i ndryshojmë, përmirësojmë, përditësojmë, e bëjmë sikur i zbatojmë. Ama në fakt i anashkalojmë, i shkelim ose i injorojmë edhe kur zbatohen mirë”. Media, sipas saj, vijon të jetë e interesuar për raportimet shkurt mbi vrasjet e femrave, por nuk i duket aspak interesante të raportojë për dënime të njëpasnjëshme ose mungesë dënimesh për ata që kryejnë krime ndaj femrave. “Në një huazim të Dostojevskit, do thosha se ‘Krim dhe ndëshkim’ ngelen nga natyra të pandara. Ndaj s’ka pse t’i ndajë media e të raportojë vetëm për vrasjet, por jo për forcën e ligjit që bie më pas mbi vrasësin dhe si e tjetërson ndëshkimi atë. Por, ka femra në politikë e në parlamentin shqiptar, pak, por ka, që këto zëra dinë t’i bashkojnë e unë synoj të vijoj të bëj të njëjtën gjë”. Gjithashtu Edlira Gjoni na rrëfen edhe për lidhjen e saj bashkëshortore, për të cilën e nis kështu: “Jam martuar me një mashkull shumë të zgjuar. Bashkëshorti punon për një kompani ndërkombëtare dhe drejton me sukses një sërë iniciativash brenda saj në politikat e biznesit. Për kompaninë rezulton të jetë aset. Për mua është, pa asnjë dyshim, buzëqeshja më e bukur që më fal jeta përditë”. Përpos kësaj, Edlira thotë se ai dhe ajo janë miq të shkëlqyer, në mënyrën e tyre të tregimit të detajeve, të shkëmbimit të ideve, të bashkëpunimit me punimet profesionale të njëri-tjetrit edhe kur janë duke ngrënë drekë. “Telefonata për të gjetur një fjalë, shëtitje për t’u kthjelluar për një ide, udhëtime me makinë, duke shkëmbyer vendin në timon, me mijëra kilometra nëpër Evropë, thjesht që të shijojmë eksperiencën bashkë, – vijon ajo. – E kemi bindjen e patundur se ai duhet t’u hedhë një sy final punimeve të mia, e unë duhet të jem patjetër pjesë e prodhimeve të tij profesionale. Besoj se kjo marrëdhënie e ngushtë, reciproke profesionale, edhe pse ne punojmë në profesione tërësisht të ndryshme, e ka bërë lidhjen tonë edhe më të fortë e interesante”. Më tej Edlira thotë se “ai strukturon dhe sjell shifra e fakte në gjuhën time gazetareske apo politike, kurse unë i hedh pak sheqer komunikues gjuhës standarde të biznesit që zakonisht bashkëshorti përdor në punën e tij. Dhe kështu, plotësojmë atë pjesën tjetër të jetës sonë familjare të një çifti të rinjsh në Tiranë”. Edlira flet dhe për karrierën e tyre brenda një tabloje metropolitane shqiptare, duke shtuar se ajo është e bukur, dinamike dhe interesante. “Është pjesë e një tabloje ende në krijim e sipër ku i lumturohemi të qenit me një apartament tonin, të pavarur financiarisht nga njëri-tjetri, me axhendën, makinën, karrierën e synimet personale për të arritur disa objektiva, pas 5 apo 10 viteve. Ne vijojmë të jetojmë ëndrrën që e nisëm së bashku 15 vjet më parë, kur ishim të dy studentë në Tiranë. Kemi miqtë tanë të përhershëm dhe vajzat e vogla, me të cilat ndajmë momentet më të bukura fundjavave, ashtu sikundër kemi dëshirën dhe traditën e mirë të shihemi me prindërit dhe familjet tona shpesh e me shumë dëshirë. Të jetuarit jashtë për disa vite na ka bërë që të jemi edhe dashamirës dhe ushtrues, ndonjëherë edhe rigorozë të sportit në natyrë, vrapit, volejbollit apo badmintonit në plazh, por edhe shëtitjeve me biçikletë, ku bashkëshorti ma kalon, sepse 54 kilometrat që bëri ai brenda një dite javën e kaluar në Rusi, unë nuk i bëj dot kurrë”. Por, ku është Edlira “e fortë”? “Ia kaloj me qëndrimin tim në det dhe notin, prej të cilit nuk bëj pas. Dhe kështu, jeta e një çifti të rinjsh në Tiranë mund të jetë edhe e bukur, po zgjodhe të flasësh vetëm për këtë anë. Dhe mirë është të jemi pozitivë. E këtë e përcjellim edhe jashtë familjes, në punë, në jetën publike, në mësimdhënien time në Universitetin e Tiranës, madje edhe në politikë”. Të menduarit pozitiv e të vijuarit kësisoj optimiste, për Edlirën, “nuk është vetëm i shëndetshëm, por edhe ngjitës. Ai mbart me vete shpresë dhe besim, ndaj nuk duhet mbajtur për vete. Unë shoh perspektivën, ruaj buzëqeshjen. Kështu veproj edhe në politikë. Dhe s’kam ndër mend të lëshoj pe nga pozitiviteti. Për mua dhe për të gjitha femrat, në media, në politikë, në karrierë ose jo, ditët më të bukura janë gjithmonë ato që vijnë pas të sotmes. Ndaj edhe të ardhmen e shoh me buzëqeshjen që i takon. Përditë!”
Botuar në revistën Psikologjia, nr.77
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.