Në fokus

May 10, 2016 | 9:17

Dëshmi/ Edmond Tupja: Sot…jam prind i nënës sime!

Po përpiqem t’i kthej nënës sime, dhuratën më të vyer që ajo më ka dhënë mua: jetën. Madje as këtë nuk jam në gjendje ta realizoj plotësisht, teksa e shoh që dita ditës vyshket si ajo lulja që nuk ujitet dhe unë ndjehem i pafuqishëm për ta rikthyer në freskinë e shpirtit dhe moshës së dikurshme”… I tillë është rrëfimi i Edmond Tupes për nënën e tij të pamundur, plot 89 vjeçare. Teksa tregon për historinë e nënës së tij të moshuar, që prej gjashtë vitesh dergjet në shtratin e pleqërisë, e pafuqishme për të kryer nevojat vetjake, është Edmondi fëmija që ka zgjedhur t’i qëndrojë te koka. Më shumë se detyrimi klasik i fëmijës ndaj prindit, për Mondin është më e paepshme dëshira për të mos e braktisur në duart e dikujt tjetër, pikërisht në periudhën kur ajo ka më tepër nevojë për praninë e njerëzve të dashur dhe më të afërt. Pesë ditë të javës ai i ngrys mbrëmjet e netët e tij pranë krevatit të së ëmës… pa vënë gjumë në sy, sepse ka raste kur mama Sofia (kështu quhet nëna e tij) zgjohet çdo 15 minuta dhe ai, sapo dëgjon hapat e parë që cekin në dysheme, brof në këmbë, e mbërthen nga krahu dhe e shoqëron. Ana shëndetësore dhe kujdesi për të është pjesë më vete. Çdo muaj u drejtohet farmacive për të blerë ilaçet me të cilat e ëma kurohet, dhe ato ia ka ndarë në shtatë kutiza të vogla për të gjitha ditët e javës. Respekton me përpikërinë e një ore me kurdisje të gjitha oraret që i ka caktuar doktori dhe kudo që të ndodhet, do t’i lërë të gjitha vetëm që të jetë në shtëpinë e mamasë për t’i dhënë ilaçet. Ai tregohet i kujdesshëm edhe për mënyrën e të ushqyerit të saj… ajo nuk është në gjendje as të gatuajë, as të ushqehet. I bën ai të gjitha, vetëm për mamanë. Përpiqet që t’i përgatisë çdo ditë gjëra të freskëta, të shijshme dhe e ushqen me lugë… si një fëmijë. “Më duket sikur u kemi ndërruar vendin pozicioneve tona… jam bërë unë prind i nënës sime, ashtu siç dikur ishte ajo për mua. Unë sot po bëj të njëjtat gjëra që ajo dikur bënte me mua kur isha ende fëmijë. E laj, e pastroj, e ushqej, sepse Sofia nuk është në gjendje të kryejë vetë asnjë prej këtyre proceseve. Kjo më bën të ndihem sa i devotshëm për mamanë time, aq edhe i bindur se asgjë nga këto nuk e shlyen atë që ime më ka bërë gjithë jetën për mua dhe dy vëllezërit e tjerë”, shprehet Edmond Tupe. Pleqëria është si fëmija… thoshin dikur të moçmit! E për profesorin, ky proverb i vjetër është aq pranë tij, sa i ka mbështjellë çdo ditë të jetës. Për të lehtësuar disi angazhimin me mamanë, vëllezërit e tjerë kanë punësuar edhe një kujdestare që i rri pranë gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje e deri në mëngjes qëndron Edmondi. Nëse do të zgjidhte alternativën tjetër, atë që e dëgjojmë të na rrahë veshin shpesh kohët e sotme: azili, Mondi pohon se do të kthehej në një përbindësh… njeri pa gjak në vena… e kjo për nënë Sofinë do të ishte një vdekje për së gjalli. “’Të lodha bir’, më thotë shpesh, kur sheh që më mundon me problemet e saj… por unë ndihem keq. Ajo është nëna ime e shtrenjtë… ajo që më ka sjellë në jetë dhe që sot më duket sikur ende më mbron me ‘mitrën’ e saj virtuale. Dhe unë këtë nuk ia shlyej dot, edhe sikur të rrojë 100 vite të tjera”.

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top