Në fokus

July 17, 2016 | 6:19

Dëshmi/ Elma Doresi: “Gjuha” që më lidhi me ‘aktorët’ e vegjël

Nëse skena e teatrit i jep një emocion të fortë, argëtues, madje epshndjellës, palestra e thjeshtë e fëmijëve që kanë probleme në të folur e dëgjim nuk ka të bëjë më me veten e saj, as me karrierën dhe as me fonde ku qarkullojnë para me shumicë. Kjo ka të bëjë me ata që kanë nevojë dhe ndërgjegjen e saj për të qenë pranë tyre. Dhe vetëm aty ajo është krejt vetvetja, më shumë se vetë regjisorja që ka ngjitur në skenën e teatrove të kryeqytetit pjesë të autorëve botërorë. Pikërisht aty, teksa i ndihmon që ata të bëhen krejt të denjë për jetën e tyre, edhe ajo vetë merr një sadisfaksion që është më i madh se vetë duartrokitjet që i dhurojnë spektatorët e platesë dhe ata të lozhave në sallën e madhe të teatrit. Gjuha e trupit flet më shumë se fjala për regjisoren Elma Doresi. Këtë e ka gjetur në disiplinën e grupit të “aktorëve” të vegjël, të cilët ka pesë vite që i udhëheq. Puna me këtë kategori, shprehet ajo, ka qenë jo vetëm fat, por edhe një çelës suksesi për të pas mbarimit të Akademisë së Arteve. Një proces krejt ndryshe, përmes të cilit perfeksionoi pantomimën dhe plastikën trupore. “Nuk ka gjë më të bukur se të ndihmosh njerëz. Unë nuk u kam dhënë atyre disiplinë, por i kam ndihmuar që ata ta nxjerrin jashtë atë. Nuk u mësova komunikimin, por thjesht të nxirrnin jashtë atë që ata kishin brenda. Gjatë tërë procesit me ata fëmijë, më duhej t’ua sillja sa më konkret rolin, duke u risjellë atyre marrëdhëniet me njëri-tjetrin apo dëshirat që ata kanë në jetën reale. Një nga veprat ka qenë ‘Magjistari i Ozit’, katër miq në kërkim të dashurisë, zgjuarsisë, zemërgjerësisë dhe miqësisë. Ajo ishte historia e tyre”. E në larminë e punës së palodhshme, por me përkushtim dhe detyrim moral, ajo nuk resht së krijuari situata për ta e që padyshim e kanë emocionuar edhe atë vetë. Elma Doresi rrëfen se në ecurinë e këtij rrugëtimi, të vështirë në fillime, ka arritur të ketë sot rezultate të kënaqshme. “Vitin e parë e pata disi të vështirë. Të dytin diçka më ndryshe. Ndërkohë një ditë, tek ngjitesha te shkallet e ‘Institutit që nuk Dëgjojnë’ dëgjova muzikë (ata e vendosin shpesh pasi ndiejnë vibracionin e melodisë). Hap derën e sallës ku ne bëjmë provat dhe ç’të shihja, ata ishin aty, veshur, po bënin përqendrimin vetëm. Pa mua. Mbeta tek dera. Sytë m’u mbushën me lot. Nuk ishte më e nevojshme që unë t’i mblidhja këta fëmijë, sepse ata ishin të ndërgjegjshëm për atë që duhej të bënin. Disiplina e provave ishte bërë e tyre, disiplinë që rrallëherë e kemi me profesionistët”.

Botuar në revistën Psikologji,nr.74

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top