Marrëdhënie

April 2, 2016 | 7:37

Dëshmi/ Elmira Qerimi: Kur bashkëjetesa të mëson vese të reja

Elmira Qerimi

Ekonomiste

23 vite bashkë, plot sakrifica, përkushtim ndaj familjes dhe mbi gjithçka, shumë dashuri në emër të asaj që sot është shndërruar në respekt dhe dëshirë për të qenë pranë njëri-tjetrit. Për Elmira dhe Fatos Qerimin po të mos kish ndodhur kështu, ata nuk do të mund të kishin mbajtur të gjallë një marrëdhënie për të cilën u është dashur të përballen me situata nga më të ndryshmet. Kalimi i statuseve nga beqarë në të martuar do të hapte një faqe të re në jetën e tyre. Duke nisur nga veset e vogla e deri ato më të mëdha. Të bindur se kjo ka qenë pjesa më e bukur e lidhjes së tyre, zonja Qerimi rrëfen se falë tipareve të ndryshme me Fatosin, ka mundur të kuptojë se dashuria përpos elementëve që ngacmojnë sjelljen e partnerëve në familje, përmirëson atë raport për të cilin kanë arritur të shkojnë deri këtu ku janë sot. Kur e pyes se cilat  kanë qenë ato gjëra që në fillimet e bashkëjetesës me Fatosin ishin tepër shqetësuese, Elmira tregon një ndër veset që kishte bashkëshorti i saj, të cilin edhe sot nuk ka mundur dot t’ia heqë. Përkundrazi ia ka injektuar edhe asaj.

Duke qenë muzikant, Fatosi dëgjonte tërë natën muzikë klasike. Kishte një radio te komodina, afër shtratit. Kishte lidhur ca tela se mezi i vinin valët dhe unë e lodhur tërë ditën duhej nga mbrëmja deri në mëngjes, të dëgjoja muzikë. Ishte e pamundur të flija. Nga nervat, isha gati t’i shkulja ato tela. Por fillimisht më vinte zor, pastaj me kohën u mundova t’ia them me të butë: Aman o Fatos është e pamundur, nuk fle dot. Por në fakt ishte e pamundur t’ia kundërshtoja se e dija që do të nevrikosej. Vetëm kaq më thoshte: Ti nuk merr vesh nga muzika. Si përfundim u përshtata unë, se me të ishte e pamundur t’ia arrije”.

Bashkëjetesa e tyre nisi pak ndryshe nga dy të martuar të zakontë. Kjo për shkak se Elmira e diplomuar në fakultetin e Ekonomisë ishte caktuar të punonte në qytetin e saj të lindjes në Fier, ndërsa Fatosi ishte i lidhur me Cirkun e Tiranës. Për këtë periudhë Mira rrëfen se ka qenë paksa e lehtë për të, të jetonte njohjen me burrin e jetës dhe familjarët e tij vetëm fundjavave, duke mësuar kështu nga pak, tipat dhe sjelljet e tyre. Por erdhi koha që të vinte në jetë djali i tyre, Valin që sot është 20 vjeç. Çifti do të vendosej në apartamentin ku jetonin prindërit e Fatosit, ndërsa dy të rinjtë do të nisnin të mësonin prej njëri-tjetrit ato huqe për të cilat ata sot i marrin me të qeshur dhe jo si dikur me nxehje dhe grindje.

“Gati 9 vjet jetuam me prindërit e Fatosit. Nëna e tij ishte nikoqire por unë si vajzë e rritur me shije të tjera gatimi, (ajo gatuante kuzhinën e Shqipërisë së Mesme me shumë yndyrë), u përshtata me vështirësi, duke mos u shprehur. Fatosi e kuptonte por ç’të bënte. Në vitin ’97 morëm apartament të ri, në të njëjtën hapësirë ku gjendeshin dhe të afërmit e Fatosit. Aty filluam të investojmë për veten tonë, sigurisht një zgjedhje në mirëkuptim mes nesh”.

Elmira, apo Mira siç i pëlqen ta thërrasin miqtë, e lirshme në bisedë na rrëfen dhe disa detaje të tjera të jetës bashkëshortore, përvojë e cila i ka mësuar asaj të jetë më tolerante dhe të ndryshojë veten dhe partnerin e saj kur bëhet fjala për tipare apo vese të cilat ‘godasin’ shëmtuar marrëdhënien në çift. Vë buzën në gaz kur i them se në testimet botërore, një përqindje e lartë e femrave pranojnë se partnerët e tyre nuk bëjnë gjumë të qetë natën. Por ajo na beson duke rrëfyer se jo vetëm kaq ndodh:

“Që gërhet natën është e padiskutuar por jam mësuar, nuk kam ç’të bëj. Madje ka raste kur Fatosi nuk gërhet, shqetësohem dhe ngrihem nga shtrati të shoh ç’po ndodh. Mbase nga profesioni që ka, që i bie klarinetës. Një ves tjetër është ç’sistemim i partiturave. Më duhet mua t’ia rregulloj. Nëse pesë herë jam e urtë në këtë drejtim, të gjashtën herë do bërtas. Në fakt ai është i zënë gjatë gjithë kohës dhe për këtë më duhet mua t’ia plotësoj disa kërkesa. Se është dhe për të qeshur. Sot ne shyqyr kemi dy televizorë në shtëpi dhe e shmangim grindjen, por ndodh që kur jemi në të njëjtin ambient bashkë, në kulmin e një emisioni të pëlqyer nga ana ime, ai ngrihet (se i është bërë ves), merr telekomandën dhe e përdor sipas qejfit, nuk do t’ia dijë fare. Unë shkoj në dhomën time dhe ka raste që thotë: Ku po shkon ti?”.

Ajo që ka bërë çiftin Qerimi t’i kapërcejnë kufijtë e vetëvlerësimit nga ana e të dyve, kapriçot dhe mëritë ka qenë një gjuhë e gjetur shpesh dhe me humor për të shmangur zënkat e mëdha. Siç tregon Mira:

“Më është dashur të tërhiqem shumicën e rasteve. 23 vjet që e njoh Fatosin ai studion si ditën e parë. Dhe kur nuk e bën këtë ai merret me kompozicion. E shfrytëzon kohën në mënyrë të rrallë. Ai shqetësohet nga koha boshe, pa angazhim. Punon dhe gjithë natën. Kur ishim të sapomartuar, mbaj mend që Fatosi  harrohej në Cirkun e Tiranës deri në orët e para të mëngjesit i dhënë pas klarinetës, profesionit të tij, ndërsa unë e shqetësuar në dhomën time mendoja ku ishte. Ka pasur raste që e kërkoja, sepse telefonat mungonin në atë kohë. Sot kam arritur atë që studion e punës ta ketë në shtëpi, për të qenë kështu më pranë familjes, dhe detyrimisht më i përkushtuar ndaj saj. Ndërsa unë përveç të dëgjuarit muzikë vazhdimisht, (e bëj edhe kur nuk është Fatosi në shtëpi), kam fituar prej tij komunikimin e thjeshtë dhe një kulturë artistike, për të cilën ndihem shumë mirë sot”.

Kishte një radio te komodina, afër shtratit. Kishte lidhur ca tela se mezi i vinin valët dhe unë e lodhur tërë ditën duhej nga mbrëmja deri në mëngjes, të dëgjoja muzikë. Ishte e pamundur të flija. Nga nervat, isha gati t’i shkulja ato tela. Por fillimisht më vinte zor, pastaj me kohën u mundova t’ia them me të butë: Aman o Fatos është e pamundur, nuk fle dot. Por në fakt ishte e pamundur t’ia kundërshtoja se e dija që do të nevrikosej.”

“Kur ishim të sapomartuar, mbaj mend që Fatosi  harrohej në Cirkun e Tiranës deri në orët e para të mëngjesit i dhënë pas klarinetës, profesionit të tij, ndërsa unë e shqetësuar në dhomën time mendoja ku ishte. Ka pasur raste që e kërkoja, sepse telefonat mungonin në atë kohë. Sot kam arritur atë që studion e punës ta ketë në shtëpi.”

Botuar në revistën Psikologjia, Mars 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top