Elona Nallbani balerinë soliste pranë TKOB me karrierë 16-vjeçare. E martuar dhe ka një djalë, Martinin
Kur flasim për këshilla të shëndetshme ndaj vetes, fokusi i parë është kujdesi karshi gjërave që na bëjnë mirë. Sikundër regjimi ushqimor, ai fizik dhe mendor. Në profesionin e saj, vendimet kanë padyshim praktikat natyrale. Që do të thotë se përveç konsumit ushqimor bio, prirjet për një jetë sociale të shëndetshme duhet të anojnë në situata që sjellin humor të mirë dhe krijimtari të kënaqshme. Kështu funksionon prej vitesh për balerinën e njohur të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Elona Nallbani. Terapitë e saj nuk janë vetëm dietat e kushtëzuara. Për shkak të detyrës që ushtron, regjimi fizik dhe ai shpirtëror janë të tjerë elementë që duhet ta plotësojnë. Për Elonën, udhëtimet, plazhi, rrezet e diellit, natyra e qetë janë performanca që përmbushin në hapësira të caktuara identitetin e saj, gjë që sipas balerinës, “ndikojnë në fuqizimin e mendimeve dhe ideve për çfarëdolloj plani jetik apo profesional”. Stina e verës është më e preferuara për Elonën për të shfrytëzuar në maksimum detin dhe rrezet e diellit. “Duke qenë bionde, ngjyra e errët e lëkurës më shkon shumë në fizik. Përpos kësaj, shfrytëzoj oraret kur rrezet janë të shëndetshme dhe nuk dëmtojnë. Është ajo vitamina D3 për të cilën të gjithë kemi nevojë, siç kanë dhe bebat. Ndërsa uji është sporti më i natyrshëm jo vetëm për linjat trupore por dhe elasticitetin e lëkurës. Rregullisht, tri muajt e verës nuk i lë pa ndjekur nëpër plazhe apo udhëtime turistike në brigje të ndryshme të botës. Shijoj pa masë çdolloj udhëtimi. Më çlodh nga çdo ngarkesë dhe me bindje them se kjo periudhë më plotëson shumë shpirtërisht, përveç rasteve të ndonjë projekti të paparashikuar, siç ishte ai në Ulqin, për 100 vjetorin e Pavarësisë, ku më duhej të isha në krye të detyrës”. Balerina e njohur rrëfen se qetësinë e shpreh përkrah dy meshkujve të jetës së saj, bashkëshortit dhe djalit 12-vjeçar, Martin. Pushimet janë ato që e ‘zhveshin’ nga impenjimet profesionale dhe e përkushtojnë drejt familjes me tërë energjitë.
Botuar në revistën Psikologjia, korrik 2012.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.