Marrëdhënie

August 11, 2016 | 8:48

Dëshmi/ Elona Nallbani: Vlerësoj çdo çast të jetës sonë

Gati dy dekada në skenë. Një angazhim serioz, nga i cili ende merr urata nga artdashësit dhe miqtë për performancat e shkëlqyera. Elona Nallbani, prima balerina e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, di të mbajë në peshoren e meritave si rritjen e përvojës së saj artistike, ashtu dhe atë personale. E kjo nuk e ka penguar aspak edhe në rolin e devotshëm të të qenët nënë me kohë të plotë e një djali adoleshent, si dhe një bashkëshorte që di të mbajë gjallë lidhjen e saj. Sepse ajo tashmë e ka atë që quhet maturi e moshës dhe e jetës, argumentin për të mbajtur të shëndoshë familjen dhe të ruajë ‘ëmbëlsinë’ e jetës në çift. E pavarësisht vështirësive dhe luhatjeve në periudhat që koha na i rezervon, për balerinën e njohur, “në një lidhje disavjeçare dhe të konsoliduar, ato janë ritmika dhe dinamika, ashtu si në një vepër muzikore, janë armët kryesore për të larguar monotoninë në çift”. Në martesën e saj ka funksionuar shumë elasticiteti dhe natyrshmëria për ecurinë pozitive. Sepse, siç pohon Elona, “fleksibiliteti dhe spontaniteti shmangin ose më mirë bëjnë dallimin ndaj një çifti të sforcuar, cunguar, shtirur dhe atij që gëzon harmoni dhe mirëkuptim”. E në situata të tilla, ajo është gjithë dritë në sytë e bashkëshortit të saj. “Parapëlqej hapësira të bashkëjetesës, të jem pranë me mendje e të luaj me mendimet. Preferoj shpesh të krijoj debate të nxehta, që më pas shkrihen në atmosferë të ngrohtë me ngjyra rozë. Pa diskutim që edhe grindjet, si pjesë e jetës, janë si ai shiu i verës që, pas nxehtësisë zhuritëse, freskon jo vetëm trupin, por edhe mendjen, e pavarësisht kush e ka fajin, është mirë të falësh i pari”. Për Elonën: “Një martesë e lumtur është si një ndërtesë që duhet të rindërtohet çdo ditë”, perifrazuar nga Andre Maurou. “Shprehje kuptimplotë, që personalisht nuk e shoh vetëm në çiftet e martuara. Unë nuk jam tipi që darkën apo gotën e verës duhet patjetër ta lidh me vendet ku jemi njohur. Vlerësoj çdo çast të kohës sonë, ku herë pas here ndihemi si dy të panjohur që rastësia fatmirësisht na ka njohur bashkë”. E ndërsa psikologët i mëshojnë idesë se përbërësit e një marrëdhënieje të fortë e të qëndrueshme janë mesazhet pozitive përmes fjalës, Elona Nallbani thotë se: “Unë kam mësuar se të jesh mirënjohëse është shumë më tepër e rëndësishme sesa të kesh të drejtë. Besoj se çdo fjalë tjetër do të ishte e tepërt. Kjo jam unë dhe kështu funksionon lidhja jonë”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.79

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top