Thuajse, i kam eliminuar prej disa vitesh ftesat që më detyrojnë të udhëtoj me avion. Nuk dua të riprovoj shijen e hidhur të atij episodi që më ndodhi në Amerikë.
“Të nderuar pasagjerë. Avioni po bëhet gati për t’u ngritur nga pista… Ju lutemi, kujdes rripat e sigurimit”! Prej gati 10 vitesh, ajo nuk e dëgjon më këtë frazë, gati e ka harruar se si ajo tingëllon. Ai udhëtim me destinacion kthimin nga New York-u për në Tiranë, për Eranda Libohovën krejt papritur do të kthehej në një makth të vërtetë, që e trazon edhe sot gjendjen e saj, sa herë që e sjell në kujtesë, pa dashje apo ngase dikush e pyet. “Isha e ftuar në një koncert që zhvillohej në Amerikë dhe, pasi e përfundova me sukses atë, do kthehesha për në Tiranë. Bënte kohë e keqe atë ditë. Frynte erë, kishte turbulenca, dhe avioni pati disa luhatje të tmerrshme. Në ato çaste më kapi paniku, më nisi aritmia e zemrës… o Zot, kur e sjell nëpër mend më ngjason me një skenar filmi horror. Nuk pati të lënduar në njerëz, fatmirësisht asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi, por mua mu desh ky episod i shkurtër, që t’i urreja prej asaj dite udhëtimet me avion, madje më janë kthyer në një fobi”, shprehet për revistën këngëtarja e njohur. Është zotuar, që këmba e saj nuk do të shkelë më në bordet e avionëve, edhe pse kjo, teorikisht, nuk duket të jetë edhe aq e kollajtë. Kur bëhet fjalë për një artist, kësi udhëtimesh janë gati të pashmangshme. Për t’u shpëtuar atyre, ajo ka preferuar forma të tjera të lëvizjes, makinë, traget, ndonjëherë edhe tren. Përpara rehatisë shpirtërore dhe sigurisë së jetës, ka zgjedhur t’i hyjë në hak edhe pjesës së përfitimit financiar, duke anuluar në jo pak raste, koncerte që kërkojnë me çdo kusht fluturimin me avion. “Vetëm para pak ditësh, mu desh të refuzoja një ftesë për të kënduar në Norvegji. Arsyeja e vetme, sepse duhej që të udhëtoja me avion. Thuajse i kam eliminuar prej disa vitesh kësi kërkesash, sepse nuk dua që të riprovoj shijen e hidhur të atij episodi që më ndodhi në Amerikë”, vijon Eranda. Por, si për ironi të fatit, prej disa ditësh ajo ka nënshkruar një kontratë, ku do të jetë imazhi i një kompanie ajrore fluturimi. Përpiqet ta kujtojë me të qeshur, ditën kur do të bëheshin xhirimet e videos, të cilat do të realizoheshin të gjitha në tokë. Këngëtarja rrëfen, se ndërsa po xhirohej spoti, ajo ishte ulur në një ndenjëse afër dritares, dhe nuk ia ndante sytë derës. Pas katër orësh, avioni do të nisej për fluturimet që ishin planifikuar atë ditë, dhe teksa po punohej për reklamën nisën të ndizen motorët. “Mendova se mos më punonin ndonjë rreng… Rrija gjithnjë e më pranë derës, por falë zotit avioni nuk u ngrit”…
Botuar në rvistën Psikologjia, qershor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.