Mirëqenie

February 21, 2017 | 9:08

Dëshmi / Ermela Ruri: Personazhi reflekton mbi qenien e aktorit

Aktorët janë agjentë të ndryshimit. Por për ta bërë këtë duhet të gjejnë vrasësin brenda vetes. Kur thonë diçka të vogël, pas saj qëndron një gjë e madhe. Tek buzëqeshja e tyre qëndron e gjithë lumturia e njeriut. Loti i tyre është një model për trishtimin e gjithë të tjerëve. Kjo është fuqia e fshehtë që aktorët mbajnë.  Aktorja Ermela Ruri rrëfen se për të arritur këtë, aktori duhet të jetë mbi mesataren, por kjo sjell dualitet  jo vetëm në shoqërinë që të rrethon, por edhe me vetveten.

ermela-ruri

 

INTERVISTA

Ngacmuar nga profesioni, ndjeshmëria që ju përcillni mes roleve në skenë, por edhe si bashkëpunëtore mes kontributit si regjisore, sa ju ka ndihmuar ky proces kreativ për mirëqenien psikofizike?

Sigurisht që të ndihmojnë sepse çdo personazh ka psikofizikun e vet dhe këto ndryshime e bëjnë më elastik psikofizikun tim. Këto janë ushtrime që sjellin fleksibilitet.

Mund të na i tregoni përjetimet tuaja teksa jeni duke interpretuar në skenë? Çfarë ndodh me trupin dhe mendjen tuaj?

Kur je në skenë e gjithë qenia jote përfshihet te personazhi. Ti mendon, rri, ulesh, flet, përjeton si personazhi. Kjo gjë ndodh natyrshëm, duke patur parasysh që ke shumë kohë që bën prova me rolin dhe pjesën që është duke u vënë. Për shembull, te “Zbutja e Kryeneçes” nga W. Shakespeare me regji nga Elma Doresi, unë kisha rolin e një shërbëtori dhe kjo më çon mua në një psikofizik të përulur, i cili pret vetëm të marrë urdhra dhe t’i zbatojë.

Në shkencën e psikologjisë arti shërben si një terapi çlodhëse e trupit dhe e mendjes sonë, është e barasvlershme me një terapi te psikologu. Çfarë mendoni ju për këto përfundime shkencore?

Ne para se të fillojmë shfaqjen bëjmë ushtrime psikofizike për çlodhjen mendore dhe fizike. Për të marrë fuqi dhe për t’u përqendruar. Mjeshtëria e aktorit ka ushtrime fantastike për rritjen e përqendrueshmërisë mendore.

Mendoni se përveç ushtrimit të profesionit, aktrimi ju ndihmon të mendoni ndryshe nga ajo që ju ndodh në përditshmëri?

Po, ndodh shumë shpesh që mendon ndryshe. Sepse ndikohesh nga ato që ke lexuar dhe studiuar, duke u marrë me jetën e dikujt tjetër. Gjithashtu ndikohesh nga filozofia e autorit dhe kjo të ndihmon që të mendosh ndryshe. Mos t’i shohësh fenomenet cekët, por të mund të shohësh diçka më thellë se aq. Marrin sërish pjesën e fundit që punova “Zbutja e Kryeneçes”. Mesazhi i veprës është “Zbuteni zemërimin, nuk ju hyn në punë krenaria” dhe këtu ndikohesh dhe bëhesh njeri më pozitiv.

Sipas të njëjtave përfundime, terapia e artit ndikon në: ju bën më tolerantë, rrit vetëbesimin, lufton ankthin, ju bën të pandjeshëm ndaj kritikave të të tjerëve. Realisht si ndodh me ju në rrethana të ndryshme?

Terapia aktorit rrit vetëbesimin dhe kjo domosdoshmërisht të bën më tolerant. E pandjeshme ndaj kritikave, jo. Kritika është kritikë, e mirëpret, por nuk do të thotë që është gjithmonë e mirëqenë. Arti është subjektiv prandaj duhet të jemi më tolerantë. Secili ka shijet e veta. Por, duhet patur gjithmonë parasysh, që para se të bësh një kritikë duhet të kesh njohje, (me kuptimin, ta kesh lexuar së pari veprën dhe ta shohësh shfaqjen) dhe më pas të bësh kritikë me vlerë.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 106

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top