Prof. Dr.Ermelinda Meksi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, politikane, ekonomiste, eksperte-këshilltare për BE-në dhe Universitetin “La Sapienza” të Romës. E martuar me Vladimir Meksin. Kanë një djalë, Jonin.
Kur flitet për Ermelinda Meksin, vëmendja të orienton drejt një figure që njihet si eksperte për çështjet e ekonomisë, si dhe një politikane e zonja që ka shënjuar hapa të rëndësishëm historikë në zhvillimin e vendit. E predispozuar kaherë të japë mendimin e saj sa herë që lipset nevoja, pa doreza ajo rend dhe tregon gatishmëri absolute. Këtë herë ajo vjen në një rrëfim krejt ndryshe nga takimet e punës. Një bisedë ku Znj.Meksi zbulon përvojën e saj si bashkëshortja e inxhinier Vladimirit, nëna e Jonit 12-vjeçar dhe gruaja që në tridhjetë vjet martesë ka ditur të kuptojë dhe vlerësojë mësimet e jetës. Të respektojë uljet dhe ngritjet në profesion dhe pse jo të jetë një model në shoqërinë e sotme me idealet e ndërtuara prej saj. Në rastin e çiftit Meksi filozofia e mbarëvajtjes së familjes ka funksionuar përmes shtyllave të komunikimit dhe marrëveshjeve të marra bashkarish, që për fat kanë qenë të njëmendjeje. Detyrat e shtëpisë i kanë bashkërenduar sipas përvojave dhe hapësirave të gjithsecilit, ndërsa sot plotësimi është pozitiv dhe në përkushtim të gëzimit të familjes, Jonit, djalit të tyre të vetëm. Sipas Ermelindës: “Çdo bashkëjetesë i reziston kohës sepse çifti gjen shumë të përbashkëta te partneri në një lidhje e cila funksionon reciprokisht. Ne si të gjitha çiftet e viteve ’80 e krijuam gjithçka nga e para. Unë pedagoge e re, im shoq me detyra drejtues. E kemi filluar me një klimë të fortë kursimesh. Ndërkohë që për dhjetë vjet, sistemi filloi nga e para. Në ato vite ishim të dy me të njëjtin shqetësim për jetën, përpara një sfide të re si ekonomia e tregut, por që im shoq ishte i pari që u përball me këtë. Ishte një sprovë me emocion jo vetëm për jetën, por se si do ta udhëhiqja këtë të panjohur ku atij i duhej të bënte që nga punët më të rëndomta te realizimi i asaj veprimtarie që kishte nisur. Duhej t’i bënte vetë të gjitha. Nisur nga prania ime në politikë ku kultura e saj ishte paragjykuese, ndoshta rashë në grackën e këtij paragjykimi. Marrja me ekonominë e tregut ishte domosdoshmëri sepse ishte e vetmja mënyrë për të jetuar. Më vonë, ajo kthehet në një sfidë për të parë se sa i suksesshëm je në këtë aktivitet për të punuar më shumë. Më vonë në ’97, kur unë u përfshiva në qeverisje, prapë me një lloj funksionimi si ekip e pashë veten. I kërkova tim shoqi që për të qenë më e qetë nga kjo detyrë që unë kisha, ai të hiqte dorë nga aktiviteti privat. Dhe në atë kohë, për herë të parë u hap një vend me konkurs si “Enti Rregullator i Ujërave”, ku si inxhinier, me titull shkencor e që nuk përbënte konflikt interesi, e drejtoi atë institucion për 9 vjet. Ka qenë shumë e vështirë”. Por ata funksionuan ashtu siç të përbashkëtat i kishin udhëhequr deri atë kohë. Të dy bashkë krijuan siguri për njëri-tjetrit dhe mbështetje konkrete që dha frytet e veta. “Nisur nga ky fakt, në ekip kemi funksionuar, unë më shumë se ai. Por në çaste të caktuara të jetës është tërhequr nga ambicia e vet për të më mbështetur mua. Duke qenë se u futa në politikë, nuk kisha asfare vëmendje, as kujdes për anën ekonomike të familjes, sepse për fat të mirë ndjeva siguri në punën e tim shoqi e cila më vonë më krijoi atë komoditet. Kemi qenë skuadër në kuptimin e mirë të fjalës, sepse ai më mbështeste në aktivitetin tim. Më krijoi qetësi ekonomike. Në vitet e para ishim pa fëmijë, më moskokëçarës në shpenzime. Por edhe sot, të dy jemi me të njëjtën filozofi ndaj lekut, duke qenë se atë e fitojmë me të njëjtën punë, e respektojmë. Nga kjo pikëpamje nuk është se nuk prishim, por shpenzojmë duke e respektuar paranë”.
Financat e përbashkëta
Barrën më të madhe në aspektin ekonomik, thotë Ermelinda, gjithë vitet e fundit, e ka mbajtur bashkëshorti i saj. Për kërkesat modeste rroga dilte. Me dallim, thekson ajo. “Unë isha modeste në të kursyer, im shoq ishte me një tjetër vizion, që kursimet duhej t’i ri investonte, sepse në ekonominë e tregut po nuk e investove është raporti me paranë që zhvlerësohet”. Në aspektin financiar Znj.Meksi i mëshon faktit se pas shumë vitesh ndihet më e qetë në drejtim të shpenzimeve. “Vjen një moshë që njeriu kupton dhe ka kënaqësi të tjera. Në qoftë se fitoj dy, një do ta mbaj e një do ta shpenzoj. Jam më e relaksuar në drejtim të shpenzimeve sepse dhe djali ka futur një kulturë konsumatore në familje. Për të nuk kursehet. Sigurisht për ato gjëra që janë të nevojshme për jetën dhe shëndetin, si dhe për t’i krijuar kulturë jo aq respekti ndaj vlerave. Tani blihet dhe një shtëpi më shumë. Kam pasur fatin të arredoj shtëpinë e re sepse atë që kisha nuk kam pasur kohë ta modeloj. Tani mundem të gjej edhe atë që është më ekonomike, bashkë me bashkëshortin. Është shumë e fortë te ne kultura e respektimit të parave, por kjo nuk na bën kurnacë. Atje ku duhet jemi shumë mikpritës. Ftojmë njerëz, ndjekim gëzimet familjare, fakti që e respektojmë lekun na bën të jemi bujarë. Ana njerëzore është model i trashëguar, kujdes dhe respekt ndaj njeriut. Këtë e kam të kultivuar”.
Kujdesi për Jonin
Në vitin 2000 erdhi në jetë Joni, djali i vetëm i çiftit Meksi. Ermelinda rrëfen se kujdesi ndaj tij është i pamat. Të dy janë po aq të ndjeshëm karshi rritjes dhe ecurisë së tij arsimore e edukative. “Po ta shohësh në pamje të parë, duke sikur jam unë më e ndjeshme. Por të qenit mësimdhënëse më bën të tregoj kujdes. Është në natyrë. E kontrolloj pak më shumë se Ladi, megjithëse përpiqemi të jemi të pavarur. Por ka shumë raste që unë jam e zënë dhe në mënyrë të pandjerë, këtë kujdes e mban i ati. Nuk jemi formal në raport me shkollën. Gati çdo ditë mbajmë lidhjet. Dhe Joni ma ka shpërblyer. Unë jam shumë kërkuese, por ndjehem e befasuar nga ai”.
Botuar në revistën Psikologjia, maj 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.