Në fokus

August 19, 2016 | 8:26

Dëshmi/ Ersela Kurti:Vullneti im përballë smirës

Çdo ditë ka ngarkesën e vet. Pothuajse asnjëra nuk i ngjan tjetrës. Axhenda shënon piketat e organizimit ditor. Falë saj mund të rendë për t’ia dalë mbanë. E matur në hapat që bën, një 23-vjeçare me ambicie, realizon hap pas hapi pritshmëritë që i ka vënë vetes. Falë intuitës, ajo beson se vetëm kështu mund t’i përmbushë qëllimet e saj. Ersela Kurti, balerinë dhe pasuese e kurorës së bukurisë, së shpejti dhe një avokate, rrëfen se arritjet ia dedikon, pse jo, edhe smirës apo xhelozisë së shfaqur ndër ata që e rrethojnë. Më së shumti në profilin artistik që e identifikon. Kjo, sepse siç e pohon edhe vetë: “Në fushën e artit e kam ndier më shumë këtë fenomen, aq sa bëhet mjaft hapur. Shkaku është se në televizion, xhelozia është e madhe mes femrave me synime të njëjta, por që nuk zgjedhin të gjitha të njëjtën rrugë për të arritur qëllimet e tyre. Mendoj se smira dhe zilia janë një fenomen i mbartur me shekuj brenda njeriut dhe nga ajo jemi të gjithë të prekur. Personalisht e ndiej herë pas here, por nuk i jap shumë rëndësi. Ndjek intuitën duke vazhduar të përmbush qëllimet e mia”. Për Erselën, njerëzit që i japin rëndësi zilisë, smirës dhe xhelozisë, mund t’u kthehet në rrezik, dështim apo edhe armiqësi. Por ajo e ka busullën e duhur të orientimit, prej së cilës fiton siguri. “Është pikërisht vullneti im për të ecur përpara. Ai më ka ndihmuar ta kthej zilinë në një armë sekrete të punës sime, si dhe të kem më shumë pritshmëri për të ardhmen. Në rastin tim, zilia më ka dhënë më tepër shtysë për të arritur qëllimet e mia në jetë. Nuk është e lehtë të depërtosh përpara kur jemi të rrethuar nga njerëz që zilinë e kanë pjesë të jetës së tyre. Jo pak herë jam ndier që mund të kem hasur pengesa në angazhimet e mia”. Ndaj, edhe nëse sytë ziliqarë nuk i janë ndarë haptazi në angazhimet e saj, ajo ka vendosur t’i hedhë kurdoherë pas, pa u dhënë aspak kohë apo vëmendje. “Mendimet që kanë rëndësi dhe vlera për mua, janë ato të familjarëve dhe njerëzve të mi të afërt. Duke qenë se jetojmë në një komunitet ku ligjet e pashkruara shpeshherë kanë më shumë rëndësi se ato të shkruarat, shpesh kam pasur përshtypjen se jeta ime ka qenë më tepër e rëndësishme për të tjerët sesa për vetë mua”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.81

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top