Marrëdhënie

April 1, 2016 | 8:45

Dëshmi: Etleva Golemi & Arben Llozi: Premtimi ynë, shokë përjetë

Etleva Golemi Soprano TKOB

 Arben Llozi Violist Pedagog dhe Zv.Rektor AAB

 Akademia e Arteve të Bukura ishte kulti që kishin zgjedhur për të realizuar ëndrrën e tyre. Por jo domosdoshmërish duhej të ishte ai, ambienti ku ata do të duhej të finalizonin lidhjen e përbashkët. I angazhuar njëri si pedagog, dhe ajo si studente, rrethi i tyre ishte kaq i ngushtë sa nuk lejonte çarjen e atij kufiri, për të vështruar pak më tutje. Pozicionet që kishin zgjedhur, pengonin dhe ato shikime që kalimthi bëheshin oborreve apo korridoreve të shkollës, duke qenë thjeshtë kalimtarë të rastit para syve të njëri-tjetrit. E çuditshme si vëmendja e tyre nuk ishte tërhequr ndonjëherë nga qëndrimet te parmakët e mbi shkallëve, orëve të pushimit. Papritmas diçka ndodh. Një projekt dinjitoz në Itali dhe… këtu ndryshon rrjedha e të dyve. Për sopranon Etleva Golemi dhe violistin Arben Llozi, sot bashkëshortë, 15 vjet më parë njohja e tyre do të kapërcente “muret” e ngritura hapësirave të shkollës. Shoqëria e tyre do të bëhej më e ngushtë për t’u shndërruar më pas në një dashuri të sinqertë. Lidhjen e tyre e rrëfejnë rrjedhshëm, pa lënë asnjë detaj të saj. Pikërisht në 1995 në një turne më maestron Sabat Materin, Eva si soprano dhe Beni si violist do të ishin pjesëmarrës në trupën e zgjedhur për turneun që do të zgjaste rreth tre javë në Itali. Vetëm një ditë para se të niseshin, në një koncert rutinë, pedagogut të Akademisë së Arteve të Bukura do t’i tërhiqte vëmendjen një vajzë mjaft simpatike. Por si një shkëndijë, gjithçka u venit shumë shpejt dhe kohë nuk kishte. Të nesërmen herët do të niseshin për udhëtim. Mbase fati do të rezervonte diçka…

Këtu zë fill historia e tyre. Arbeni tregon se teksa u nisën me autobus fillimisht, nuk e hasi atë vajzën bionde që kish vënë re një natë më parë. Por nuk kish se si ta njihte, se Eva për hir të ndryshimit, kishte sakrifikuar flokët e saj duke i bërë të zinj. Siç tregon bashkëshorti i saj sot, çdo dyshim do të zgjidhej brenda një kohe të shkurtër. Vajza që i la përshtypje do të zbulohej shumë shpejt, në prezantimin gjatë udhëtimit. Tiparet e ngjashme në karakteret e dy artistëve, do të bënte që lidhja e tyre përgjatë këtij udhëtimi pune të gjatë të përjetohej 24 orë në 24. Kështu njohja do të avanconte miqësinë ndërsa… kthehen në Tiranë dhe sërish në punët e tyre. Nuk u ndanë absolutisht, por angazhimet përkatëse dhe impenjimet në drejtime të kundërta bënë që Eva dhe Beni ta përjetonin njohjen e tyre me shkëputje.

Për Arbenin “me modelin që ka Akademia e Arteve mund të japësh mësim katër vjet dhe një student mos e takosh asnjëherë”. Kjo periudhë njohjeje do të zgjaste disa muaj, derisa artistët të vendosnin se lidhja e tyre duhej kurorëzuar.  E kështu pas ecejakeve në shtëpinë e bashkëshortit të ardhshëm, Etleva Golemi vendos të ndryshojë statusin e saj. E njëjta situatë edhe për Arbenin. Por çfarë ndodhi pas kësaj shoqërie të ngushtë? Shumë angazhime, turne jashtë, larg njëri-tjetrit për disa kohë, e megjithatë sot, pas 15 vjetësh martesë, ata janë të bindur se asgjë nuk ka ndryshuar, përveç ardhjes në jetë të bijës së tyre Laurës dhe shumë çmimeve dhe sukseseve në karrierë. Siç rrëfen Arbeni, “një nga premtimet e para që i kam bërë Evës është që ne nuk mund të jemi vetëm burrë e grua përjetë, por do të jemi shokë, të dashur, prindër. Çdo gjë do ta bëjmë bashkë. Përndryshe hapësirat do të na duhet t’i mbushim diku tjetër”. Ashtu si dhe sot, përtej profesionit, ata nuk harrojnë të kujtojnë ditët e para të dashurisë së tyre, dhe shumë çaste të tjera afeksioni për njëri-tjetrin. E megjithatë, për Evën dhe Benin, “ka shumë emocione të forta në jetën tonë, ku këto data bëhen të panumërta, e nuk di se kë të veçosh më parë”. Natyrisht, për çiftin që edhe sot nuk ia ndajnë vështrimin e përzemërt njëri-tjetrit, ajo që sot u rrotullon botën përreth është vajza e tyre dhjetë vjeçare Laura, e cila studion për violinë në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Sipas Arben Llozit, “kryevepra e Evës, nuk është Traviata, Norma, dhe as dhjetëra role të tjera të suksesshme, por vetëm një, Laura”. “Ajo është fëmijë artisti”, rrëfen Etleva Golemi e cila duket e plotësuar me talentin e së bijës.

Botuar në revistën Psikologjia, Mars 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top