Nga Orjona TRESA / Foto: Roland BARDHI
Zëri i saj, prej 13 vitesh tashmë, është shndërruar në përçuesin e historive të pafundme të dhjetëra e qindra shqiptarëve. Të ndihmojë me gjithçka mundet, përfshirë një staf të gjerë profesionistësh, Evis Ahmeti përpiqet që në çdo dalje publike të drejtpërdrejtë, të japë kontributin e saj shërues për çdo plagë sociale që shenjon vendi ynë. Rastet e gjithfarëllojshme janë dimensionet që ka prekur në këtë hark kohor, të gjatë, duke u përpjekur gjithnjë e më shumë t’u rikthejë buzëqeshjen njerëzve në nevojë. Në balancë me ngarkesat emotive që “Me zemër të hapur” ka krijuar tek Evis Ahmeti, familja, vajza dhe bashkëshorti janë lumturia prej nga ku vihet në paqe.
Angazhimet tuaja kanë një fokus të veçantë. Sa i vështirë është për ju ky mision dhe si ia dilni të ekuilibroni balancën mes trishtimit dhe lumturisë?
Misioni i këtij emisioni prej më shumë se një dekadë, 13 vite transmetim live, ku gatishmëria duhet të jetë multidimensionale, është të moderosh, të përballosh dhimbjen që dëgjon historinë e personazhit, ta ndihmosh atë çka mundesh, duke u marrë me institucione të ndryshme, shoqata, menaxhimin e stafit në kohë rekord, mbrojtja e imazhit dhe si përfundim, të kesh qetësinë për të superuar dhe anashkaluar kërcënimet. E gjithë kjo maratonë vazhdon edhe sot e çdo ditë në transmetimin live, sa edhe kur mbaron emisioni, dera e televizionit është plot me raste për të denoncuar historinë e tyre. Normale që trishtimi dhe lumturia janë dy anët e medaljes dhe kjo balancë nuk është e lehtë për t’u vendosur, por duke u bazuar në vërtetësinë e misionit, të cilin kemi marr përsipër unë, stafi, por edhe avokatët, juristët, psikologët dhe sociologët, mendoj se problemet dhe vështirësitë që shoqëria jonë përjeton, ka nevojë që të japim kontributin dhe mundësinë tonë që atë ndjesi trishtimi dhe mosrealizimi, të mundohemi ta zbusim, për të realizuar ëndrrën e gjithkujt për të qenë sadopak të lumtur.
Sa ndikojnë emocionalisht te ju gjendjet e personazheve? Jua prishin qetësinë?
Shumë. Është e pamundur emocionalisht mos të përfshihesh në gjendjen dhe problemet që personazhet shprehin në studio. Në çdo moment ndjej nevojën e tyre, duke menduar se në atë karrige jam unë. Duke menduar në këtë mënyrë, gjej shumë forcë brenda vetes për të vazhduar të ofroj gjithçka mundem për ta, të bëhem zëri dhe forca e tyre.
Cili është rasti që ju ka ngrirë buzëqeshjen më shumë?
Raste që më kanë ngrirë buzëqeshjen janë pafund, kam lotuar madje bashkë me ta, rasti kur u dogj i përndjekuri politik, rastet e gjakmarrjes, rastet e përdhunimit të të miturve, rasti kur vogëlushet 7 dhe 9 vjeçe denoncuan babanë për dhunë, ndarja e dy vogëlushëve motër e vëlla nga përballja nuse-vjehrre ku njëra mbante njërin fëmijë dhe tjetra fëmijën tjetër dhe institucionet shtetërore nuk vepronin, përballja e vajzës 15-vjeçare e larguar nga shtëpia me nënën e saj dhe mosrikthimi në familje, 12-vjeçarja që u bë nënë dhe sjellja në jetë e një fëmije me probleme, 75-vjeçarja, nënë Ferideja, e cila la qelinë e burgut në sajë të transmetimit tonë, e më pas e gjithë klasa politike rendi pas saj për ta marrë si medalje të vetën lirimin e saj, etj, etj. Janë raste pa fund, sepse është një emision i përditshëm ku realiteti vjen në studio pa gënjeshtra, por ngrihet mbi një të vërtetë shumë të madhe përpara së cilës të gjithë heshtim. Di të them një gjë që e zbuloj për herë të parë për ju sot, që përballë lotëve të fëmijëve dhe të moshuarve nuk rezistoj dot. Ata janë dobësia ime.
Cila jeni ju në raport me trishtimin dhe lumturinë?
Si të gjithë njerëzit, me ngjyra të jetës. Herë trishtim e herë lumturi. Ky raport zë një vend të veçantë për vetë faktin, sepse të dyja shoqërojnë njëra-tjetrën. Prej kohësh ekziston brenda meje, kur mendoj për prindërit e mi të mrekullueshëm, që më rritën e më edukuan, më bënë kjo që jam sot, një nënë e një bashkëshorte të denjë, e padyshim, duke qenë e tillë, mund të jesh në pozicionin shoqëror ku unë jam sot në shërbim të njerëzve. Janë prindërit e mi që dhanë gjithçka për mua dhe vëllanë tim, e teksa i shoh që vitet ikin për ta, trishtohem kur një ditë mendoj që ora biologjike do ndalet dhe prania e tyre nuk do të jetë më. Dhe ana tjetër është lumturia e të qenit nënë. Vajza ime, dhurata, lumturia dhe pasuria më e madhe.
Çfarë ju lumturon më shumë jashtë profesionit?
Qortues, vëzhgues dhe rregullator njëkohësisht, është bashkëshorti im. Kujdesi që tregon deri në detaje që të jem në perfeksion, i cili po aq bën dhe rolin e kritikut. Kjo më jep ndjesi lumturie që vetëm ai di ta falë, përkujdesje maksimale. Besoj që një grua nuk do të donte më shumë se kaq për të qenë e lumtur: realizim profesional dhe përkujdesje familjare, që është ndërthurja më perfekte ku njëra barazon tjetrën.
Sa ndikon te ju lumturia? Jua rrit vetëbesimin, bëheni më motivuese?
Jam munduar që të mos i dorëzohem kësaj ndjesie, jo duke pasur frikë me idenë që lumturia është diçka sureale, por jam treguar e matur, sepse vetë jeta është e ndërthurur me intriga dhe duke qenë e vëmendshme në këtë pikë, vetëbesimin e kam në kontroll që t’i hedh hapat ngadalë e të sigurt. Sa për motivimin këtë ndjesi të përfituar prej 27 vjetësh është familja ime (bashkëshorti dhe vajza) është ajo që më ka mbështetur fort e motivon këtë ndjenjë lumturie të vazhdojë. Më pëlqen qetësia. Ajo simbolizon lumturinë për mua, shëndeti fizik dhe mendor përbën atë që quhet lumturi. E këtë unë e gjej vetëm tek ata të dy.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.119
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.