Në fokus

May 10, 2017 | 10:18

Dëshmi/ Fabian Zhilla: Papunësia ndikon në çintegrimin e të rinjve

Punësimi është një vlerë pas të cilit qëndron një hallkë po kaq e rëndësishme që çon deri në arritjet e përmbushjet e pritshmërive në këtë drejtim. Arsimim i mirë. Nuk ka asnjë diskutim që mund të orientojë më mirë se kaq drejt një zgjidhjeje kaq të frytshme për jetën e njeriut, siç është vetë puna. Eksperti i çështjeve të sigurisë publike, Fabian Zhilla, e vë theksin pikërisht në këtë shtyllë të rëndësishme për brezat, duke e cilësuar si hap që duhet ndërmarrë që në ciklin e parë shkollor. Sipas tij, “për këtë qëllim duhet të përmirësohen ndjeshëm infrastruktura kulturore (bibliotekat) dhe ajo sportive, ku të rinjtë të angazhohen gjatë kohës së lirë dhe në kushtet e papunësisë”.

untitled

Si e shikoni papunësinë si fenomen dhe ndikimin e saj në gjeneratën e re?

Papunësia është një nga shqetësimet më serioze, e cila prek rininë shqiptare. Punësimi përveç përfitimeve ekonomike, nga pikëpamja sociale lidhet me integrimin e të rinjve në shoqëri. Një i ri, i punësuar, zhvillon aftësitë ndërvepruese dhe kulturën e punës, të cilat janë shumë të nevojshme për kohezionin social. Punësimi është profesion dhe ky i fundit shërben edhe si formë komunikimi midis anëtarëve të shoqërisë. Një i ri, i papunë, humbet shumë nga aftësitë sociale që të jep punësimi. Nga ana tjetër, me papunësinë e të rinjve nuk humb vetëm individi, por dhe shoqëria, e cila ka nevojë për energjinë e tij. Shqipëria është një ndër vendet me numrin më të lartë të të rinjve, të cilët duan të emigrojnë. Që prej vitit 2001 anketimet tregojnë se mbi 40% e të rinjve duan të emigrojnë jashtë vendit dhe kjo qasje ka një kosto të lartë për të ardhmen e vendit. Punësimi është edhe status social, por ky i fundit shpesh është keqkuptuar. Pra, lloji i profesionit shpesh përcakton edhe statusin e individit në shoqëri. Në fakt, ky (pra lloji i profesionit) nuk duhet të jetë shqetësim për të rinjtë. Çdolloj pune e ligjshme apo profesioni përballë papunësisë tek të rinjtë, duhet të konsiderohet sukses dhe status i pëlqyeshëm. Sot haset një vështirësi në lidhje me modelet e suksesit të shpejtë që ka prodhuar post-modernizmi, i cili ka bërë që shumë të rinj të refuzojnë të punësohen në profesione shërbimi social (hoteleri&turizëm) pasi kjo ju cenon statusin, të cilin ata pretendojnë më të lartë nisur nga bashkëmoshatarët e tyre në televizione.

untitled1Mendoni se papunësia është  një nga shkaktarët e kriminalitetit socioekonomik në vend?

Papunësia është një ndër faktorët shtytës të të rinjve drejt botës së krimit, të një bote e cila punon për ta dekompozuar korpusin e vlerave edukuese që një i ri merr nga një familje dhe shkollim cilësor. Të rinjtë kanë nevojë të integrohen dhe mungesa e punësimit tenton që t’i margjinalizojë ata dhe t’i shtyjnë rrethet periferike të moralit shoqëror, pranë atyre rretheve ku vlerat dhe virtytet konsiderohen antivlera. Në këtë kontekst, papunësia e gjatë në mënyrë indirekte ndikon në çintegrimin e të rinjve dhe në prishjen e kohezionit social. Papunësia e stërzgjatur bjerr një të ri nga vlerat dhe aftësitë për punësim. Pra një i ri sa më vonë të hyjë në tregun e punës aq më të pakta i ka shanset për t’u integruar. Papunësia i shtyn të rinjtë në terrenet informate dhe formave të papranueshme shoqërore të integrimit siç janë: ambientet ku zhvillohet dhuna dhe krimi (shitet dhe konsumohet drogë, alkool, prostitucion, kryhen vjedhje, kontrabandë armësh,njerëzish etj,).

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në këtë aspekt?

Së pari, duhet të punohet që në ciklin e parë shkollor mbi vlerat dhe rëndësinë e punësimit të ndershëm tek të rinjtë. Së dyti, duhet të ketë programe promovuese ose paketa bashkëpunimi midis qeverisë dhe sektorit privat në dhënien prioritet të punësimit të të rinjve. Së treti, termi “papunësi” duhet rikonfiguruar. Në kushtet e një tregu informal, ku integrimi i të rinjve në tregun e punës bëhet edhe më i vështirë, duhet të pasurohet jeta e të rinjve nga ana kulturore. Pra, nëse një i ri është i “papunë” me një profesion, kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të jetë “i punësuar” në një jetë kulturore dhe sportive. Për këtë qëllim duhet të përmirësohen ndjeshëm infrastruktura kulturore (bibliotekat) dhe ajo sportive ku të rinjtë të angazhohen gjatë kohës së lirë dhe në kushtet e papunësisë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.111

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top