Nga Orjona TRESA / Foto: Vlasov SULAJ
Në ngulitjen e identitetit të qenies, si tipar ndërlidhës dhe formësues i kombit, krahas cilësive të tjera, gjuha është thelbësore. Mbijetesa e dëshmisë më unike të universit njerëzor ndërvaret nga kultura për ta mbajtur në jetë dhe transformim të pandërprerë.
Gjuha shqipe, e shkruar me Mesharin e Buzukut, me De Radën, N. Frashërin, Fishtën, Skiroin, Poradecin, Migjenin, Nolin, Koliqin, Kutelin etj., për të ardhur te Camaj, Kadare, Pipa, Trebeshina, Xhaferri, Pashku, Rreshpja, Podrimja, Shkreli etj., ka endur modele të përsosura ligjërimore, që vlejnë si një pasqyrë e ligjërimit të saj, në nivelin me të ngritur, si gjuhë e letërsisë.
Gjuha shqipe, limfa përbashkuese e shqiptarëve, në kohën e globalitetit tërësor, gjendet e rrezikuar. Nëse shqipja, si gjuhë e folur dhe e shkruar, prej kaq shekujsh e ka përmbushur misionin si dëshmi e identitetit iliroarbënor-shqiptar dhe, madje, ka përvijuar njërën nga shenjat më unike të kombit shqiptar.
Nga ana tjetër, kultura gjuhësore, përkujdesja për ta ruajtur dhe pasuruar atë, përgjithësisht e munguar, e ka vënë shqipen në zgrip ekzistencial. Gjuha shqipe, si kulturë ligjërimi dhe shkrimi, rrezikohet nga shumëçka, sepse e nis shtegtimin nga një gabim fillestar i prindërve, që gjuhën e belbëzojnë, në vend se të shqiptojnë qartë, germë për germë. Në rrethanat e përhapjes që ka marrë internet, tashmë është ndërfutur edhe “belbëzimi” online, ku shkruhet me shkurtime të fjalëve, gjë që ka nxjerrë jashtë loje të dy shkronjave, përkatësisht –ë dhe –ç. Mungesa e tyre përçon shtrembërime semantike, saqë mbërrihet te momenti, shqip shkruajmë e nuk po merremi vesh. Krahas këtyre “gropave” të shkatërrimit të shqiptimit dhe shkrimit të saj, gjuha shqipe gjendet nën shtrëngesën e fjalëve
të huaja, që hyjnë pa asnjë pengesë, në politikë dhe media, gjë që buron nga hapja me botën e qytetëruar. Po kaq, vijëruajtësit e gjuhës së njësuarishtes (termi A. Klosi), në vend që të zgjeronin komunikimin brendagjuhësor të sistemit të shqipes, që ngërthen visaret e varianteve dhe të folmeve, jo rrallë e ruajnë shqipen nga variantet, që hodhën themelet e saj. Në këtë rast vlen të sillet në vëmendjen pohimi Janet Byron bërë në librin “Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës dhe Shënime të tjera”, ku mes të tjerash shkruan:… ka trysni nga institucionet për të mënjanuar plotësisht dialektet e folura dhe për shndërrimin përfundimisht të Shqipërisë në një
bashkësi gjuhësore në të cilën përdoret vetëm gjuha standard gjatë komunikimit të përditshëm. (2012: 59). Kjo rrethanë ka krijuar keqkuptime të natyrës sociolinguistike, si dhe humbet larminë gjuhësore, ku ata që nuk flasin gjuhën standarde, trajtohen si më të prapambetur. Nëse kultura gjuhësore, e cila presupozon edhe mbrojtjen me ligj të gjuhës shqipe,
si shkrim dhe shqiptim, lihet për shumë kohë në anarki dhe shpërfytyrim, ka gjasa që një ditë gjuha shqipe të nisë të humbasë terren, madje edhe në atributin e ngulitur, si shenjë identiteti
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.