“Zemërimi i një nate” i dha një tjetër dimension jetës së saj. Fituese e Festivalit të 52-të të këngës në RTSH, Hersiana Matmuja përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet në Festivalin e Eurovizionit në 2014-ën. Këtij suksesi ndërkohë, i kishte veshur petkun e një angazhimi po kaq serioz. Më herët, falë një konkursi të rëndësishëm për jetën e saj, ajo u bë një nga studentet më të mira të Konservatorit “Santa Cecilia” në Romë.
Jeta artistike tashmë ka marrë udhën e merituar. Hersi, siç parapëlqen ta thërrasin, ndodhet në kulmin e arritjeve të saj. Shijon në maksimum çdo koncert, festival apo organizim pjesëmarrës ku është e ftuar. Kanto lirike është dega që i ka rrëmbyer zemrën, ndaj dhe muzika klasike është ajo që më së shumti e preferojnë të këndojë atje ku Hersi pranon të jetë. Angazhimet e ditëve të fundit, nga ku ia kemi rrëmbyer paksa kohën, e bëjnë që këtë sezon, ashtu si dhe më herët, këngëtarja shqiptare të jetë e kërkuar. E ftuar në larmi aktivitetesh që e duan zërin e saj, Hersi thotë se ndihet shumë e vlerësuar. “Këtë periudhë u jam dedikuar studimeve të Konservatorit dhe përgatitjes për rihapjen e sezonit të koncerteve në periudhën e vjeshtës. Këtë vit si dhe vitet më përpara, kam qenë e angazhuar me shumë aktivitete të larmishme artistike për sa u përket zhanreve të ndryshme që kam kënduar”. Për Hersin, pushimet ende nuk kanë filluar. Ndonëse është sezoni, ajo ka zgjedhur që me perfomancën e saj të jetë një motivuese për së pari për të gjithë atë që shijojnë zërin e saj. Megjithëse para një “ngarkese” të tillë eventesh, ka diçka që i shërben dhe vetë këngëtares për mirëqenien psikofizike. “Pushimet verore për mua akoma duhet të fillojnë, edhe pse koncertin e fundit për këtë sezon e kisha në datën 28 korrik në ‘Teatro belle Cave’ RIANO FESTIVAL 2015. Larmia e aktiviteteve artistike, të cilat më kanë mbushur këtë vit, kanë qenë motiv i një rritjeje profesionale dhe personale, që më bëjnë të ndihem gjithmonë e më e kompletuar”. Por sa e ndihmojnë këto ritme të rigjejë motive të reja e njëkohësisht të rigjenerojë veten? Hersi thotë se: “Përkrah kënaqësisë për rritjen që kanë sjellë të gjitha këto evenimente, kanë sjellë gjithashtu dhe lodhje fizike apo pse jo dhe psikologjike. Në momente të tilla, shërben një shkëputje nga realiteti i përditshëm për të asimiluar emocionet e përditshmërisë, emocionet e përjetuara dhe njëkohësisht duke gjetur qetësinë e duhur për të rifilluar. Për mua, këto aktivitete më bëjnë të shijoj dhe pjesën e qetësisë dhe të pushimit të merituar”.
Hersiana Matmuja që 8 vjeç ka marrë leksione kantoje dhe është bërë pjesë e organizimeve artistike për fëmijë, ka marrë pjesë në festivale të ndryshme, gjithaq koncerte, si Festivali i Shkodrës, ai kombëtar për fëmijë. Më tej ka studiuar për kanto lirike në Liceun Artistik “Jordan Misja”. 15 vjeçe mori pjesë në talent show “Ethet e së premtes”, ku doli ndër 10 finalistët. Një vit më vonë mori pjesë në Festivalin e Këngës, në kategorinë e të rinjve ku mori çmimin e parë, e cili e çoi deri në finale. Pasi studioi në Akademinë e Arteve të Bukura, zhvilloi konkursin për të qenë pjesë e Konservatorit “Santa Cecilia”, një rrugëtim i ri ku studion për kanto lirike. Përveç muzikës së lehtë, në Itali është përkushtuar ndërkohë me koncerte, projekte dhe konkurse në kanto lirike.
Botuar në revistën “Psikologjia”, numri 99
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.