Fëmijët janë e ardhmja, brezi ku modelojmë vlerat e një shoqërie, që në një të ardhme të afërt të trashëgojnë të njëjtat cilësi për brezat që do të vijnë. Por sa të mbrojtur janë ata, edhe pse mund të kenë një strehë të sigurt, sa të rrezikuar ndihen, ndonëse shoqëria mund të garantojë mbrojtjen e tyre?
Nëse deri më sot Konventa për të Drejtat e Fëmijëve haste vështirësi në cilësinë e jetës së tyre, sidomos ndaj fëmijëve të pambrojtur apo me probleme sociale, tashmë do të ketë një ligj që do t’ua shkundë themelet të gjithë atyre që abuzojnë me fëmijët. Drejtuesja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve pranë MMSR bën të qarta masat se si do të implementohet ligji dhe ndihmën ndaj kategorive në nevojë.
Sipas Ina Verzivollit, “Mesazhi që kemi dashur të japim fort, është se fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë jo vetëm për familjen, por për të gjithë shoqërinë dhe nuk mund të lejojmë që ata të dhunohen qoftë edhe nga prindërit e tyre. Ndërhyrja e personelit kthehet në një detyrim ligjor, i cili bëhet pjesë e planit për mbrojtjen e fëmijës”.
Nga Orjona TRESA / Foto: Vlasov SULAJ
Ku konsiston ligji i ri?
Shqipëria e ka ratifikuar Konventën e të Drejtave të Fëmijëve që në vitin 1992. Në legjislacionin aktual, ligji në fuqi nuk ka arritur të mbrojë me efikasitet të drejtat e fëmijëve. Ka qenë më shumë me karakter deklarativ sesa mbrojtës. Projektligji i ri synon të përcaktojë në mënyrë të qartë mekanizmat për garantimin e të drejtave të fëmijëve dhe institucionet përgjegjëse. Në pjesën më të madhe ai i dedikohet ngritjes së një sistemi efikas mbrojtës për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, shfrytëzimit e neglizhimit të fëmijëve. Në këtë drejtim, projektligji shkon drejt standardeve më të përparuara europiane, për të
garantuar mbrojtjen e fëmijës në çdo situatë, brenda familjes,
në institucione, online etj. Ligji njeh figurën e Punonjësit të Mbrojtjes së Fëmijës dhe detyron bashkitë të punësojnë të paktën 1 punonjës të tillë
të dedikuar 100% në mbrojtje të fëmijëve, për çdo njësi administrative ku jetojnë më shumë se 3000 fëmijë. Kjo do ta shtojë ndjeshëm numrin e punonjësve, pasi aktualisht më shumë se gjysma e territorit të vendit tonë nuk ka punonjës të tillë socialë. Ngritja e Urdhrit të Punonjësit Social e bën këtë dispozitë lehtësisht të zbatueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohemi që asistenca që u jepet fëmijëve dhe familjeve të jetë cilësore dhe të mos lejojmë që persona me profile të papërshtatshme të marrin në dorë një funksion kaq delikat siç është mbrojtja e fëmijëve që janë më të brishtë dhe të pasigurt. Ne presim që bashkitë ta marrin seriozisht këtë detyrim ligjor, pasi ligji parashikon edhe sanksione në rast të shkeljes apo mospërmbushjes së këtij detyrimi. Shërbimi do të duhet të jetë aktiv 24 orë në ditë. Ligji, nga njëra anë, përcakton të drejtat e prindërve për t’u ndihmuar nga strukturat e shërbimeve sociale për ta kryer më mirë detyrën e tyre si prindër, qoftë në situata varfërie, por edhe në aftësitë e tyre si prindër nëse sjelljet e tyre dëmtojnë fëmijën për shkak të dhunës, abuzimit me substanca apo alkool apo çdo faktor tjetër. Nga ana tjetër, ligji vendos disa limite të qarta për prindërit.
Kush do të “kryqëzohet” më shumë?
Për herë të parë, ligji parashikon sanksione në rast sedetyrimet që ai parashtron për institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes së fëmijëve nuk zbatohen apo shkelen. Sanksionet parashikohen si për institucionet ashtu edhe për profesionistët e veçantë. Në projektligj është parashikuar një dispozitë e re, e cila ka të bëjë me detyrimin për raportim për të gjithë profesionistët që kanë kontakt me fëmijët siç janë edukatoret në kopshte, mësuesit, mjekët, infermierët, kujdestarët në shtëpitë e fëmijëve e kështu me radhë.
Cilat janë format e ndëshkimit?
Sipas dispozitës së re, çdo person fizik ose juridik, çdo punonjës i institucioneve publike dhe private që vihet në kontakt me fëmijët për shkak të profesionit dhe kanë dyshim se një fëmijë abuzohet, neglizhohet, keqtrajtohet apo ndodhet në rrezik, kanë detyrimin ligjor të raportojnë rastin. Në të kundërt, do të gjobiten.
Për herë të parë përcaktohen qartë se cilat janë masat e mbrojtjes që mund të aplikojnë këta punonjës kur konstatojnë raste të fëmijëve që janë në situatë të pasigurt për shkak të dhunës, abuzimit, neglizhimit apo shfrytëzimit. Këto përfshijnë masat emergjente për ta larguar fëmijën nga një situatë rreziku në mënyrë të menjëhershme, siç mund të jetë një fëmijë në situatë rruge, apo një fëmijë i gjetur i neglizhuar rëndë në banesë. Në disa raste të tjera, mund të merret masa për ta larguar fëmijën nga familja dhe për ta vendosur në përkujdesje alternative kur vetë familja mund të rrezikojë integritetin dhe sigurinë e fëmijës. Në këto raste, punonjësit për mbrojtjen e fëmijës marrin një autoritet dhe përgjegjësi të madhe, pasi ata mund të vendosin një masë mbrojtjeje pa kaluar në gjykatë, ndryshe nga urdhrat e mbrojtjes që jepen në bazë të ligjit për dhunën në familje. Sigurisht këto masa do të vlerësohen nga gjykata sipas procedurave të përcaktuara. Kjo ka qenë e nevojshme edhe sepse marrja e urdhrave të mbrojtjes nga gjykata ka rezultuar e vështirë. Në disa raste nuk janë dhënë urdhra mbrojtjeje, megjithëse situata ka qenë e një rreziku të lartë për fëmijën dhe fëmijët mund të kenë rrezikuar edhe jetën, sepse gjykata ka aplikuar një koncept të ngushtë të dhunës ndaj fëmijës. Neglizhenca mund të sjellë pasoja të rënda te fëmija, deri në vdekjen e tij, siç mund të jetë një rast kur fëmija është i sëmurë e nuk i jepet ndihma e duhur mjekësore, për shkak të neglizhencës së prindërve. Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës merr autoritetin që kanë në të gjitha vendet e përparuara, duke bërë që interesi më i lartë i fëmijës të prevalojë mbi çdo interes tjetër, përfshirë atë prindëror. Qëllimi ynë është të mundësojmë ndërhyrje sa më të hershme, pa pritur që situata e fëmijës të përkeqësohet. Kush punon drejtpërdrejtë me fëmijët, duhet të kuptojë që ka një përgjegjësi të madhe jo vetëm që fëmija të jetë i sigurt kur ai merr shërbim, por për t’i rënë ziles së alarmit kur kupton që fëmija mund të jetë i rrezikuar jashtë institucionit. Vetëm duke krijuar një rrjet sigurie në çdo institucion, në çdo ambient ku fëmija jeton, do të mund të krijojmë një mjedis më të sigurt dhe të garantojmë mbrojtjen e tyre efektive. Detyrimi për raportim do të bëjë të mundur gjithashtu që të shmangim situata siç kemi parë këto kohët e fundit, në të cilat fëmija dhunohet nga një edukator apo kujdestar dhe profesionistët e tjerë që janë të pranishëm, jo vetëm që nuk raportojnë, por madje nuk reagojnë aspak.
Si do të gjejë zbatim ligji?
Implementimi i ligjit do të jetë faza më e rëndësishme. Nuk mjafton që ligji ka dispozita të mira, sipas standardeve europiane, por do të duhet që ne të punojmë fort që ai të gjejë zbatim të plotë. Për këtë qëllim, paralelisht me propozimet ligjore, ne po hartojmë një plan masash për pesëvjeçarin e ardhshëm, që do të jenë detyrimet e institucioneve në zbatim të ligjit. Ky plan do të quhet Axhenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2020. Nuk presim që gjërat të ndodhin me magji brenda ditës, por kemi parashikuar një sërë masash, që nga hartimi i protokolleve specifike për çdo profesionist, në mënyrë që të mos ketë shumë hapësira për subjektivizmin individual, trajnime të shumta për profesionistët, ngritjen e një sërë shërbimesh mbështetëse për fëmijën dhe familjen, hartimin e standardeve dhe procedurave të monitorimit e deri te masa për ndërgjegjësimin e komuniteteve dhe profesionistëve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Si do ta monitoroni zbatimin e ligjit?
Monitorimi i ligjit do të bëhet në 3 drejtime kryesore: Së pari do të monitorohet zbatimi i masave që parashikon Axhenda për Fëmijën 2020, e cila ka objektiva, aktivitete, buxhete dhe indikatorë të mirëpërcaktuar. Së dyti, do të monitorohet zbatimi i standardeve të mbrojtjes së fëmijëve në nivel bashkie nga Inspektorati i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore, për të garantuar që të gjitha bashkitë arrijnë standardet minimale të përcaktuara me ligj. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, gjithashtu do të kenë një funksion monitorimi për t’u siguruar që jo vetëm arrihen standardet minimale, por ajo për mbrojtjen e fëmijëve të kryhet me cilësi dhe sipas interesit më të lartë të fëmijës. Së fundmi, do të krijohet një sistem elektronik i lidhur me rastet e fëmijëve që do të identifikohen si fëmijë në nevojë për mbrojtje, në mënyrë që të kemi mundësi të monitorojmë në kohë reale situatën e fëmijëve që trajtohen nga këto struktura dhe nivelin e tyre të përgjegjshmërisë.
Cilët janë aktorët mbështetës?
Gjatë procesit të hartimit të akteve ligjore apo rregullatore dhe të vizionit lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, ne kemi pasur mbështetjen e organizatave ndërkombëtare siç është UNICEF, Këshilli i Europës, apo Terre des Hommes nëpërmjet ekspertizës teknike dhe përvojës ndërkombëtare. Një mbështetje të madhe japin edhe organizatat e tjera që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në mbështetje të drejtpërdrejtë për strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, duke ngritur kapacitetet e tyre, por edhe ofruar shërbime, të cilat ende nuk ofrohen nga institucionet publike.
Një shembull është ndihma e specializuar në raste të abuzimit seksual për fëmijët, ku ndërhyrja e psikologëve të specializuar që mund të trajtojnë fëmijët-viktima në mënyrë që të kalohet trauma dhe të rehabilitohen, garantohet pikërisht falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së disa organizatave. Falë edhe legjislacionit të ri për shërbimet sociale, së shpejti do të mundësohet që shërbime të tilla të kontraktohen nga shërbimet sociale vendore, në rast se këto shërbime nuk ofrohen drejtpërdrejtë nga strukturat publike.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.114
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.