Marrëdhënie

April 9, 2016 | 8:00

Dëshmi/ Iris Luarasi: Ndjehem fajtore ndaj fëmijëve

Ajo është brumosur për të qenë e tillë. Nuk jeton dot pa profesionin e saj, angazhimet e ndryshme që e lidhin me të. Po kaq të rëndësishme ka familjen, veçanërisht dy fëmijët, Noah dhe Ashlin. Jetën e saj e ka kaq të ngjeshur, e megjithatë kjo s’përbën problem. Fjala është për Iris Luarasin që i luan të dyja rolet: atë të një femre “uorkaholic” dhe të një nëne të devotshme. E ka të vështirë të bëjë një ndarje me thikë, sepse, siç pohon edhe vetë, nëse do të ishte një profesioniste e lindur dhe do të linte mënjanë familjen, zor se do të kishte gjetur paqe me veten dhe rehatinë shpirtërore. E kundërta është gjithashtu e vërtetë. Në këmbim, merr një faturë jo materiale, por shpirtërore. “Unë kam një mal me gjëra dhe arrij t’i bëj të gjitha. Shpeshherë puna zë një vend shumë të rëndësishëm, por paralel mendoj dhe për pjesën tjetër, që është familja. Kur mendoj se fëmijët po rriten dhe nuk po shijoj një qind për qind rritjen e tyre, e kam të vështirë. Megjithatë e racionoj kohën dhe mundohem që pasditet dhe fundjavat të jem vetëm për ata. Ne bëjmë gjëra të çmendura kur jam në shtëpi me fëmijët. Hidhemi të tre në krevat. Ia lejoj vetes këtë gjë, pasi ata ndihen më të çlirët me marrëdhënien prej fëmije. Kështu që bërtasim, hidhemi, kërcejmë. Është gjë shumë e bukur. Kemi ca këngë shumë të lezetshme e me ritëm, përdridhemi te dhoma jonë, pastaj futemi poshtë krevatit kur luajmë kukafshehthi… Si një rregull i pashkruar, çdo natë para se të flenë fëmijët, në krevatin e tyre ose tek yni, unë u lexoj librat e preferuar. Unë në mes, ata anash”. Kështu rrëfen gazetarja Iris Luarasi dhe pastaj shton se është shumë tolerante me të vegjlit e saj për t’ia lënë detyrën e “të ashprit” të shoqit… “Jam më tolerante se Enno, im shoq. Ngase kam ndjenjën e fajit që nuk rri shumë kohë me ta, ndaj bëj lëshime për ta kompensuar atë pjesë. Tim shoqi i duhet të mbajë rregullin e përhershëm, qëndron më gjatë me fëmijët, ndaj është më i ashpri…”.

Noah dhe Ashli Abigail e dinë se çfarë punësh bën mami. Madje, disa herë ata kanë qenë pjesë e auditorit, duke e ndjekur nga afër Irisin në konferenca apo takime të ndryshme për shkak të profesionit të saj. “Jemi munduar t’i marrim ngado me vete. Kur ishte Noah i vogël, në një seminar jashtë shtetit, u detyruam ta mbanim djalin në karrigen e tij të makinës tek këmbët e tavolinës sepse të dy me Ennon duhet të ishim në mbledhje. Ose, kur unë ndiqja masterin në Amerikë, vajzën e kisha me vete. Ishte një angazhim familjar, i cili rezultoi pozitiv dhe me ndarje të detyrave”. Në fakt, kjo zgjedhje është nga ato negocime që mami Irisi ka bërë me veten, por edhe me ndihmën e bashkëshortit, duke gjetur një ekuilibër në marrëdhënien e saj edhe me punën. “Kur lindi Noah, unë punoja në Kryeministri. Ishte e vështirë, sepse çdo dy orë e gjysmë, më vonë madje dhe 3 orë e gjysmë, duhej të shkëputesha për t’i dhënë gji. Kjo zgjati 11 muaj. Më pas kalova prapë në fakultet. Edhe prej andej duhej të shkëputesha e të shkoja në shtëpinë e prindërve sërish për t’i dhënë qumësht djalit. Në rastin e vajzës, Ashlit, përgjegjësinë e mori Enno dhe vajza praktikisht është rritur me bashkëshortin në radio. Unë nuk lashë shumë gjëra në këtë periudhë, vazhdoja shkoja në takime, seminare, punë dhe vajzën ma sillte Enno me makinë, kudo të isha, për t’i dhënë qumësht. Më fëmijën e parë është stresi i së panjohurës, ndërsa i dyti është shumë i thjeshtë. Eshli u lidh me Ennon… Njëherë e gjej para klubit të fakultetit, ishte nëntor, dhe vajza nuk kishte çorapet. I tërhoqa vëmendjen tim shoqi se përse e kishte lënë ashtu. Por ai më tregoi se kishte tentuar me kot disa herë t’ia vishte. Për mua si nënë kjo ishte e tmerrshme. Vajza i kishte këmbët e ftohta. Por u dorëzova. Fundja, edhe nëse atë gjysmë ore unë do t’ia vishja çorapet, kur të largohesha vajza do t’i hiqte sërish dhe Enno nuk do të mundej t’ia vishte dot.

Në kohën e angazhimit profesional, mendja e saj është edhe më e qetë e pa kurrfarë meraku për fëmijët. Kjo, falë angazhimit të prindërve dhe bashkëshortit, të cilët plotësojnë figurën e saj, në atë kohë kur Irisit i duhet të ndjekë punët që bën. Siç shprehet edhe vetë, më mirë se me ta, nuk mund t’i ndash me dikë tjetër këto detyra. Por ajo që herë pas here e bën ta mbajë mendjen tek fëmijët, është ai detyrim moral që një nënë duhet t’u mësojë bijve të saj. Sipas Irisit, t’i përgatitësh fëmijët për terrenin ku jetojnë dhe problemet e së nesërmes është një domosdoshmëri që nuk duhet lënë pas dore, për më tepër tani që u krijohet personaliteti. “Diskutimet mes të katërve janë serioze. Gjërat e fëmijëve merren në konsideratë, paçka se shpeshherë fjalët e të vegjëlve na bëjnë të mos fshehim buzëqeshjen. Kjo ka lidhje me cenimin e personalitetit në të kundërt, sepse ka të bëjë me formimin, ndryshe i krijon dëme. Noah është natyrë e butë, tolerante dhe i kujdesshëm, ndërsa Ashli është më luftarake dhe këmbëngulëse. Ne i përgatisim fëmijët tanë për të jetuar në Shqipëri”.

Botuar në revistën Psikologji, nr 39

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top