Nga Orjona TRESA / Foto: Vlasov SULAJ
Kristina Kumi, ky emër kaq i dashur për ata që u rritën nga duart e saj, qanë e qeshën me të, ndanë çastet më të pashlyera në jetë, nga ato që përsëriten vetëm kur bëhesh prind vetë. Përveç thinjave dhe ballit që shënon vijat e moshës, edukatorja e brezave të veçantë fëmijësh rivjen në tokën mëmë për t’u shpërblyer me ngjallmëni për merita të veçanta dhe përkushtimin si një nënë e dytë për ish-fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës Sarandë, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Jo rastësisht kjo vizitë përkon me vlerësimin e saj, por mbi të gjitha një detyrim moral dhe shoqëror që ka shteti i saj për gjithçka ka bërë kjo
shenjtore e heshtur. Ajo është e mallëngjyer, teksa kujton vitet e rinisë. Atëherë kur, pas Luftës Nacionalçlirimtare dhe ndjekjes së një kursi të veçantë dymujor, do t’i duhej të jepte kontributin e saj si mësimdhënëse kundër analfabetizmit. Fillimisht në fshatra të thellë afër Sarandës, në Finiq, e mandej në Vrion, dhe deri atje ku lipsej nevoja për kontribut.
Ishte fare e re kur do t’u mësonte shkrim e këndim atyre që nuk kishin
mundur dot deri më atë kohë të mbanin një laps dhe një letër në dorë për të shkruar qoftë dhe emrin e tyre. Kjo ishte Shqipëria pas vitit ’44. Kristina, një grua fisnike, përlotet kur rrëfen përkushtimin dhe shpirtin e saj në funksion të mësimit dhe dijes për shumë breza që më vonë do të bëheshin kuadro dhe drejtues të zotë. Por ajo që do të lërë mbresa të pashlyera në kujtesën e saj është përvoja 15-vjeçare si edukatore në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë.
E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Koço, një mikpritës dhe baba i dytë për brezin e fëmijëve jetimë që ishin nën kujdesin e bashkëshortes Kristina, ajo ndihet më se e lumtur për gjithë rrugëtimin e jetës së saj. Sytë i mbushen me lot, edhe pse e quan veten të plotësuar. Ajo nuk është vetëm nëna e dy djemve të saj biologjikë fëmijë, Gligorit dhe Vironit, por tashmë njihet nga të gjithë si edukatorja-nënë e qindra djemve dhe vajzave, ish-fëmijë jetimë që u rritën dhe u edukuan nga fryma dhe përkushtimi i saj.
E quajnë Nënëmadhe, sepse shtëpia e saj nuk ka reshtur kurrë së vizituari nga ata që u mëkuan dhe dolën në jetë falë Kristinës. E ka të pamundur t’ua përmendë të gjithë emrat. Janë shumë, të shpërndarë dhe të realizuar, në shumë shtete të botës. “Janë bërë të gjithë dikushi në jetë, janë martuar dhe kanë krijuar familjet e tyre. Mua më kujtojnë shpesh, më marrin rregullisht në telefon, ose më bëjnë surpriza duke më vizituar në shtëpinë ku jetoj aktualisht në Greqi. Kam mall për të gjithë. Ndihem me fat që m’u shpërblye mundi”. Fëmijët jetimë që rriti dhe edukoi me përkushtim dhe dashuri janë dëshmia më e gjallë dhe modeli më i mirë që kjo humaniste dhe misionare jo e zakonshme krijoi me kujdes. Ajo u dha gëzim ëndrrave të tyre të shprishura dhe shpresë që të mos e përbuznin jetën.
Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për shkollë e mësime. Ata, në radhë të parë, kanë nevojë për nënën dhe për familjen. Kjo ishte sentenca e një bashkëjetese që e bëri edukatoren fjalëpakë Kristina Kumi tepër të përgjegjshme në punën e saj.
Botuar në revistën Psikologjia, 114
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.