Marrëdhënie

April 20, 2016 | 9:50

Dëshmi/ Kujtim Prodani: I martuar me lirinë

Dikujt i ka kushtuar një tekst kënge… Një tjetre, një melodi të spikatur dhe tinguj që janë gdhendur thellë në shpirtin e tij… secila prej tyre ka mbartur pas vetes një histori dashurie, emocione të papërsëritshme dhe ndjenja të forta! Të paktën, ai vetëm kështu di ta jetojë jetën e tij! Ka gjetur mënyrën e duhur që e bën të ndihet i realizuar shpirtërisht dhe kryesorja: i lirë. Kujtim Prodani nuk bën kompromise për hir të një firme të nënshkruar në minibashkinë e lagjes, të një unaze martesore apo të një trashëgimtari që mban mbiemrin e tij.

47-vjeçari nuk e ka prekur asnjëherë martesën, madje kur ka ndjerë hapat e parë drejt saj është tërhequr në vend! Martesa nuk bën për të! Është një nga ato kontrata që ai ka hequr dorë me kohë, dhe siç duket Kujtimi nuk bën përpjekjen më të vogël për ta ndryshuar realitetin. Shijon rehatinë e tij, lirinë që ia lejon statusi i beqarit dhe të gjitha këto e bëjnë të ndihet më shumë se i lumtur. Mbi të gjitha të ndihet Kujtimi!

Dëshira për të jetuar vetëm dhe statusi si beqar është një zgjedhje personale, apo gjërat kanë rrjedhur natyrshëm kështu?

Që në moshën 18 vjeçare dridhesha kur dëgjoja fjalën martesë. Jam rritur në një familje model që më ka dhënë dashuri të madhe. Nuk kam parë kurrë zënka në shtëpinë time, nuk kam dëgjuar kurrë një fjalë të keqe, ndonëse çdo ditë i mbushja mendjen vetes se do të ndihesha më mirë me veten. Kjo ishte teoria ime. Duket se më e rëndësishme për mua është profesioni, ai është mbi gjithçka, është hobi, pasion. Deri tani nuk kam gjetur dot vend të lirë për ta ndarë jetën time me një tjetër person. Mosha bëri të vetën dhe fillova të bindem se ndjehem më i lirë, më rehat vetëm… Le të them, e kam ushqyer veten me kësi mendimesh. Dhe për sa kohë që ndihem i tillë, nuk shikoj asnjë anë të keqe në të qenit beqar. Ç’domethënë vetëm? Unë kam miq, shokë…

Kjo do të thotë që ju keni një jetë sociale të mbushur dhe aktive?

Unë punoj, fitoj. Herë shumë e herë pak. Siç i marr me njërën dorë i hedh me dorën tjetër.

A të krijon kjo gjendje luksin që ti të mos mendosh që nesër ato para që do fitosh do t’i shpenzoje për familjen, fëmijët?

Është pikërisht kështu. Kjo është bindja ime. Nuk e ndjej, nuk e kam pasur kurrë të nevojshme martesën. Ka gjithmonë një femër në krahët e mi, ashtu si ka çdo mashkull tjetër i zakonshëm. Për aq kohë sa ka harmoni, sinqeritet, respekt, ka dhe pak dashuri. Pastaj kur gjërat fillojnë e bëhen problematike, fillon xhelozia, interesat, aty pastaj unë jam pak “brutal”. Pranoj të ul kokën e të largohem me dhimbje. Këto shoqëritë e bukura e kanë këtë, por jam i bindur se nesër në mëngjes kur të çohem do të pi kafenë në ballkon, të shoh Malin e Dajtit në është zmadhuar apo zvogëluar, të marr veten të mirë dhe t’i them Kujtimit fillo nga e para. Se në këtë jetë je ti. Nuk ka lindur, nuk ka rënë nga qielli kjo vajzë apo grua që të thotë: tani unë do jem bashkëshortja jote. Pse? Për të pritur një trashëgimtar?! Po nuk doli?

Mbase kjo ndodh ngaqë jeni egoist?

Shumë…. (qesh). Natyrisht kam pasur 3-4 lidhje të rëndësishme, që njeriu i mban mend gjatë. Lidhje shumë, shumë të bukura. Kur kaluan në fazën e “krisjes” së raportit i kam përjetuar keq. Dikujt i kam kushtuar edhe këngë. Gjithsesi kam gjetur forcën për ta kaluar.

Dhe nuk e keni ulur hundën?

S’ka se si. Jam kolonjar unë, më shumë se ç’duhet. Jam tip tolerant, ndoshta në doza të mëdha. Por kam parimet e mia dhe ato përpiqem t’i mbaj.

Ju mendoni se prania e dikujt tjetër në jetën tuaj është frikë e humbjes së vetvetes nga kjo marrëdhënie?

Unë kam një partnere. Ajo ka apartamentin e saj dhe unë timin. Jemi në një marrëdhënie që nuk më ka ndodhur kurrë më parë. Jemi shumë shokë, miq dhe të dashur. Punojmë bashkë, hamë një drekë bashkë, ose dhe darkë. Shkojmë me pushime bashkë. Por, në marrëdhënien tonë nuk ka: ku ishe, ku vajte, pse s’erdhe, pse nuk pagove telefonin, qiranë. Asgjë nga këto!

Cilat janë temat e bisedave mes teje dhe partneres?

Diskutojmë për gjithçka. Është i vetmi person që kam takuar në këtë jetë që nuk ka tentuar në asnjë moment të përpiqet ose ta çojë nëpër mend që ky njeri duhet ndryshuar. Absolutisht jo. Njeriu pranohet ashtu siç është. Në momentin që kërkon ta ndryshojë, aty fillojnë divergjencat, problemet dhe aty ka marrë fund gjithçka, dhe vijmë te kënga: “Me sytë nga dera” që tregon largimin.

Të jetosh vetëm, është sinonim i lirisë dhe i mundësisë për ta marrë jetën ashtu siç vetë ti dëshiron?

Të jetuarit vetëm është gjëja më e mrekullueshme. Unë çohem në mëngjes e dua të jem vetëm. Pi kafenë. Më pëlqen të konsumoj atë orën e tualetit e gjithçka, më pëlqen ta hap derën e ballkonit vetëm, të pi kafenë vetëm përballë Malit të Dajtit, të vesh një palë tuta sportive e ta dal nga “Liqeni Artificial” vetëm për një orë e tridhjetë minuta si ç’bëj çdo ditë. Thjesht, më pëlqen vetmia..

Mund të na listoni anët pozitive dhe negative të kësaj jetese?

Anë negative akoma nuk gjej. Larja e pjatave dhe gatimi nuk më ngjan se duhen mësuar. Ç’rëndësi ka. Dal në supermarket, blej ca gjëra të vogla dhe kur më hahet një supë shkoj në restorant, pi një gotë birrë dhe e kaloj. Këtë që kam zgjedhur unë e dua ta bëj, e kam bërë vite më parë.

A ju ka favorizuar fakti i të qenit beqar?

Thjesht është zgjedhja që je i lirë, nuk ke shumë detyrime siç kanë njerëzit e tjerë.

Kjo gjë të bën të ndihesh pak më i veçuar nga turma?

Nuk e di. Mua më bën të ndihem Kujtimi. Ka opinione të ndryshme për mua, por që nuk më shqetësojnë fare.

Sa i realizuar ndjeheni ju duke mos pasur detyrimet familjare. A ju ka ndihmuar kjo që ju të ecni në karrierë?

Unë kam një nënë që e dua shumë, kështu që po e quaj: Kjo është familja ime. Unë kam detyrime familjare, por kjo sa i përket të shtrenjtës mamasë sime.

Po pengje a keni?

Po. Kam një që është shumë i madh. Ai ka natyrë artistike, më tepër se personale. Shqipërinë do ta krahasoja me xhunglën. Një vend ku artisti është totalisht i mohuar, ku mungon e drejta e autorit. Ku me artistin abuzohet dhe kjo nuk ndodh as në vendet më të varfra të botës. Ti je një artist dhe duhet të vlerësohesh për atë që bën. Në Shqipëri nuk ndodh. Ky është pengu im. Muzika dhe arti janë vetë jeta ime, dhe nëse ato më cenohem, ndihem i fyer shpirtërisht.

Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top