Lajla Përnaska, politikane, mjeke, deputete e Partisë Demokratike. Prej dy vitesh Zv,presidente e Partive Popullore Evropiane
Gjithë ecuria e jetës sime është realizuar në mjedise të rëndësishme miqësie. Kjo falë dhe natyrës sime të hapur me njerëzit dhe një marrëdhënie me fokus të pandryshuar ndaj kultivimit të miqësisë. Në kohë të ndryshme edhe miqësitë kanë evoluar dhe më së shumti kam qenë unë një “mendtore” për mikeshat e mia. Por angazhimi dhe jeta politike ka specifikën e saj dhe përballesh me situata nga më të ndryshmet. Mikeshat nuk më kanë munguar, madje kanë mbështetur hapin tim për t’u bërë pjesë e politikës aktive në vend, ose më konkretisht kur u bëra pjesë e garës elektorale parlamentare më 2005. Ishin mjaft mikesha që më mbështetën fort. Duke qenë se për disa vite jam përfshirë në lëvizjen e gruas, sigurisht rrethi miqësor femëror ka qenë i konsoliduar. Nga ky rreth i rëndësishëm do të veçoj një miqësi të hershme me znj.Zana Turku, me të cilën më vonë na bashkoi politika dhe konkretisht, kontributi ynë në Partinë Demokratike që prej vitit 1994. Kjo miqësi është zhvilluar e konsoliduar edhe në situatat mjaft të vështira që PD ka kaluar me kohën e opozitës, e tillë ajo mbetet edhe sot. Angazhimi me shoqërinë civile më ka lidhur me miqësi gjithashtu mjaft të konsoliduara. Do veçoj znj.Jeta Katro, një miqësi e spikatur në vite. Edhe në angazhimin tim politik, Jeta ka qenë pranë duke përcjellë pa u lodhur këshillat dhe opinionin e saj. Ajo që e ka përforcuar miqësinë ka qenë dhe bashkëpunimi i afërt në një terren ku unë kam investuar mjaft, atë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Edhe sot vazhdoj të jem pjesë e delegacionit tonë në Këshillin e Europës ku kam arritur të kem detyra të rëndësishme si Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë e çështjeve sociale ndërsa prej dy vjetësh jam Zv.presidente e Partive Popullore Evropiane.
Botuar në revistën Psikologjia, Prill 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.