Të formosh profesionistin, e mbi të gjitha, qytetarin e metropolit, qytetarin e Europës e atë të botës, përbën një nga sfidat e arsimit në ditët e sotme. Studentët e Letërsisë kanë një tipar të veçantë, ata studiojnë artin e të shkruarit, letërsinë, të bukurën, e cila si shprehje artistike e kulturës së shoqërisë, e edukon estetikisht dhe e emancipon atë. Dëshira dhe e drejta për të fituar profesionin e mësuesit, i cili nuk mund të konceptohet pa qenë qytetar dhe njeri i emancipuar, përbën bazën e marrëdhënieve të studentëve të letërsisë me dijen.
Shumëkush mendon se universiteti është porta e hyrjes në dije, me të cilën “takohemi” sërish në dalje, pas mbarimit të viteve të studimit. Shumëkush pretendon se fakulteti përfshin auditorët e edukimit qytetar dhe profesional. Por në fakt, nuk është krejt kështu; fakulteti vërtet përfaqëson institucionin arsimor të nivelit më të lartë, që organizon mbarëvajtjen e tij përmes ligjesh e rregulloresh, por një pjesë e mirë e normave dhe të sjelljeve të përditshme, që prezantojnë studentin dhe krijojnë imazhin e tij,
nuk shkruhen e nuk mësohen në akte ligjore, por mbruhen tek ai që në vogëli. Ato përbëjnë kodin e etikës, normat e qytetarisë, të cilat organizojnë marrëdhëniet e studenteve me njëri-tjetrin, me pedagogët e me institucionin. Nuk përbën rëndësi fakti nëse në rregulloren e fakultetit janë shkruar ose jo mospërdorimi i aparatëve celularë në leksione, kufizimi i hyrje-daljeve të shpeshta gjatë leksioneve, respektimi i fjalës së tjetrit në
diskutime, përdorimi i veshjeve të përshtatshme në ambientet e fakultetit etj., por e rëndësishme është që të zbatohen këto rregulla, si dhe të tjera, të cilat vlerën e tyre nuk e marrin kur shkruhen, por kur zbatohen.
Studentët i njohin dhe i zbatojnë të drejtat e tyre. Me të drejtë kërkojnë më shumë hapësirë lirie dhe mirë bëjnë, por ata duhet të dinë të ushtrojnë edhe përgjegjësitë që kanë në raport me të tjerët dhe me institucionin.
Kultura qytetare merret prej vogëlie në familje, së cilës, më pas, i shtresohen sjelljet, qëndrimet, praktikat dhe normat morale të ciklit 9-vjeçar, ato të shkollës së mesme e të fakultetit. Në ciklet e arsimit të lartë, qytetaria nuk përfshihet në leksionet e letërsisë shqipe ose asaj të huaj, as në teorinë e letërsisë, edhe pse leksionet në auditor e përcjellin atë përmes treguesish të ndryshëm. Qytetaria nuk përfundon me provimin e sezonit
të verës së një viti studimi e as në një cikël studimi, ajo nuk mbaron me përfundimin e studimeve Bachelor apo Master. Jo rrallë ndodh që rezultatet e larta të studentit të masterit të mos përputhen me përfaqësimin qytetar të tij. Institucioni arsimor nuk synon thjesht të afirmojë profesionalistë të zotë, por mbi të gjitha, individë të përgjegjshëm, me kulturë qytetare dhe sjellje të pëlqyeshme.
Qytetaria nuk është një slogan; përshëndetje-buzëqeshjet e korridoreve, përkuljet e “respektit”, konsumimi i komplimenteve, përsëritja e fjalëve të bukura e të sofistikuara prej origjine aristokratike e të tjera forma “qytetarie” shpesh bëjnë efektin e kundërt, sepse janë vetëm etiketë formale marrëdhëniesh njerëzore.
Po! Kultura qytetare është dhe formë, dhe përmbajtje. Ajo është thelb njerëzor e profesional, të cilën po nuk e pate së brendshmi, vështirë se arrin ta kultivosh në institucionin tempull të dijes. Kultura qytetare përfaqëson një proces të gjatë e kompleks të formimit të njeriut që përshfaqet e përthithet përgjatë gjithë jetës. Përpara se ta kërkojmë ndër studentë, më së pari duhet reflektuar prej nesh. Të formosh breza profesionistësh e të nxjerrësh në jetë mësuesit e ardhshëm është detyra e pedagogut; të ndërtosh qytetarin e shek. XXI, mbetet mision.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.114
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.