Në larminë e roleve që karakterizojnë figurat e interpretuara prej tij, ai, me gjuhën skenike zhvesh mjeshtërisht personazhin e cilësdo vepër të rëndësisë së vogël apo të madhe. Trupi i tij ‘flet’ ndonjëherë më shumë se fjala e shpesh me po të njëjtën peshë me të, ashtu sikundër ndodh te “Romeo dhe Zhulieta” apo së fundmi “Edipi Mbret”, një nga veprat e shkëlqyera të mitologjisë greke. Është një komunikim joverbal, që ndijshëm e bën të përçohet te spektatori në sallë dhe të duartrokitet deri në fund. Për aktorin Lulzim Zeqja, të flasësh me gjuhën e trupit nuk është thjesht një përkufizim i sjelljeve me anë të gjesteve. “Komunikimi që ne kemi me anë të fjalës shoqërohet me mimikë, gjeste në mënyrë të pavetëdijshme nga ana jonë. Të gjitha këto përfaqësojnë gjuhën e trupit. Po të kemi parasysh fëmijët e vegjël para se të fillojnë të flasin, ata përdorin gjuhën e trupit për të bërë të mundur komunikimin e tyre. Absolutisht që edhe unë si çdo njeri tjetër e gjej veten në situata të tilla, por herë pas here mundohem të kontrolloj gjestet e tepërta, se profesioni im, ai i aktorit, më ka mësuar ta përdor në mënyrë të mirë trupin tim dhe ta kem nën kontroll. Në fund të fundit, trupi është një instrument i yni, i aktorëve. Më ndodh shpesh të shoh njerëz dhe t’i studioj si personazhe për të nesërmen në ndonjë rol. Gjuha e trupit është e shprehur më qartë me gjeste më të forta dhe më të pasura në momente tensioni të lartë ose të një lumturie të madhe. Janë çastet më delikate të njeriut që e bëjnë të ketë edhe shpërthime më të mëdha me anë të trupit dhe fjalës. Në punën time jam shumë i prirë të komunikoj me publikun me anë të gjuhës së trupit. Që të mishërosh një personazh, patjetër që duhet të kuptosh anën plastike të tij: si ecën, si rri, çfarë e karakterizon më shumë në gjeste etj. Di të them që në të gjitha personazhet kërkoj vazhdimisht të përqendrohem te plastika që do përfaqësoj atë personazh. Roli im tek ‘Edipi Mbret’, për shembull ai i bariut, ishte i prirë të ruhej i tëri nga një plastikë. Pothuajse në pjesën më të madhe të kohës, roli është mbajtur në gjuhën e trupit. Deri tani ky ka qenë një nga rolet më të vështira.”
Marrëdhënia në çift është më intime dhe e drejtuar fort nga ndjenja, ndaj është më e thjeshtë që çdo impuls sado i vogël i gjuhës së trupit të jetë më i lexueshëm nga partnerët. Se edhe fillesat e kësaj marrëdhënieje i kanë impulset e para të forta prej gjuhës së trupit. Besoj që edhe unë e partnerja ime jemi të prirë ta kuptojmë më shpejt njëri-tjetrin dhe t’i qëndrojmë afër. Kjo na bën që herë pas here të mendojmë të dy në të njëjtën kohë.
Botuar në revistën Psikologji, nr.74
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.