Dhuna dhe abuzimi duket se janë bërë “trashëgimia” e vendit tonë. Marrë shkas nga kjo problematikë shqetësuese, pedagogia e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta sqaron se mundësia më e mirë që kemi për t’i dhënë fund epidemisë së dhunës është mbështetja me buxhet konkret për Arsimin.
“Për sa kohë buxhetet e cilësisë në arsim do të vijojnë të jenë në nivele kritike, po aq herë shkolla nuk do të përbëjë një mundësi ndryshe për të mirërritur edhe edukuar fëmijët e një shoqërie që vazhdon të jetë me probleme socio-ekonomike të rënda, të shprehura te niveli dhe cilësia e jetesës së familjeve shqiptare”, thekson Keta.
Znj. Keta, cilat janë mjetet që duhen përdorur për nxënësit e mësuesit që të reduktohet dhuna në shkolla?
Duhet të kemi të qartë se dhuna është thjesht pasoja e shumë shkaqeve, të cilat më së shumti janë jashtë shkolle, por edhe në shkollë. Ndërkohë, për të reduktuar dhunën në shoqëri dhe në ambientet shkollore, edukimi mbetet ndër agjentët kryesorë të ndryshimit me kah pozitiv që duam dhe duhet. Në pjesën e parë të cilësimit të mësipërm, kurimi i parë përtej faktorëve familjarë dhe shoqërorë të dhunës është cilësia e konceptit qeverisës, por dhe i shoqërisë në tërësi për edukimin, arsimin. Unë jam partizane e filozofisë që edukimi dhe shkollimi duhen konceptuar si e mirë publike në një shtet, ndaj përkushtimi i qeverisjes duhet të jetë dhe shpallet si prioritet mbi prioritetet nga Kushtetuta e vendit, ligjet dhe strukturat qeverisëse. Sot, në kushtet e një inflacioni politik të togfjalëshit “prioritet i prioriteteve”, i pohuar dhe ripohuar në programe politike nga pothuaj çdo qeverisje shqiptare në 25 vite poskomunizëm, pak gjasa ka për t’u pranuar nga ekspertë dhe publiku si e vërtetë dhe e realizuar. Ka disa tregues, shumë të prekshëm, që lehtësisht mund ta identifikojnë cilësinë e kësaj “e vërtetë nga politika”. Le të fillojmë pas pohimit në Kushtetutë apo Ligjeve mbi edukimin, me analizën e vendit që zë buxheti për edukimin në GDP e vendit. Në 25 vite poskomunizëm në Shqipëri, asnjë qeverisje pohimit mbi prioritetin e prioriteteve nuk i ka bashkëngjitur buxhetim prioritar në shifra. Buxheti i Shqipërisë për arsimin mbetet në shifra kritike krahasuar me rajonin dhe larg minimumeve të standardeve europiane. Për sa kohë buxhetet e cilësisë në arsim do të vijojnë të jenë në nivele kritike, po aq herë shkolla nuk do të përbëjë një mundësi ndryshe për të mirërritur edhe edukuar fëmijët e një shoqërie që vazhdon të jetë me probleme socio-ekonomike të rënda të shprehura te niveli dhe cilësia e jetesës së familjeve shqiptare…
Pra, ju thoni se çdo gjë varet nga buxheti…
Buxheti kritik nuk do të mundë të mbulojë investime që janë të domosdoshme dhe lidhen me statusin, përgatitjen, kualifikimin dhe karrierën e mësuesve dhe akademikëve. Pagat e mësuesve dhe stafeve akademike duhet të jenë më të mirëtrajtuarat nga piramida e pagave në një vend që arsimin e sheh si kuruesen e defekteve të së sotmes dhe garancinë e së ardhmes. Buxhetet e mbijetesës për edukimin nuk mund të ofrojnë cilësinë frymëzuese dhe lehtësuese që duhet të kenë ambientet edukative. Një fëmijë me kushte të diskutueshme ekonomike në familje, kur i ofrohet një institucion edukimi me të gjitha kushtet e lehtësirat për logjikë, kreativitet, prodhimtari dhe novacion ndërsa arsimohet, beson te drejtësia dhe shteti i së drejtës; njeh dhe respekton ligjin sikurse humanizohet në mendimin dhe veprimin qytetar. E kundërta “edukohet” në mungesë të tyre. Buxheti kritik qendror dhe akoma më të limituara ato vendore për edukimin nuk do të tërheqin e të mundësojnë gjetjen e mbështetjes dhe bashkëpunimit nga komunitete prindërore e komunitare për cilësi të shtuara përmes bashkëpërgjegjësive për fëmijët. Nuk vlen vetëm shkrimi i një ligji për arsimin, për çdo nivel të tij, as edhe referenca dhe alibia publike se është model si nga X apo Y vend i botës (kemi udhëtuar nga Meksika në Londër me modele, brenda të njëjtit ligj) për të pohuar se e vërteta mbi cilësinë e edukimit fillon e mbaron te ligji. Të gjithë e dimë që një politikë e mirë në edukim standardizohet nga ligji, përkthehet në buxhet, humanizohet në struktura, fuqizohet nga menaxhimi dhe lidershipi. Politikës i ka pëlqyer t’i shfazojë këto kompetentë dhe pasojat janë këto që kemi, mes tyre dhe shtimi i dhunës në shoqëri e në institucionet e edukimit në veçanti. E ritheksoj, nëse shteti, qeverisja mundësojnë dhe trajtojnë, respektojnë dhe mbrojnë me ligj e buxhete, të cilat frymëzojnë për bashkëveprim faktorin komunitar, qytetar, të gjithë këto të fundit kthehen në superfuqi për edukimin, që në cilësi të arrira kthehet në kurues të fenomeneve të dhunës në shkollë, por edhe jashtë saj, në shoqëri. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria, shteti duhet të pranojë të vetëshprehet që fëmija është interesi më i lartë i tyre. Për fëmijën dhe mirërritjen e tij, ku dhuna është armiku i tyre kryesor, nuk mund të lejojmë që të kemi 2 shtete në funksion të tyre (përfshirë edhe qeverisjen për edukimin). Nuk mund të rrinë moralshëm 1 shtet (qeverisje) i shkruar bukur në letër e web-e, “funksional” për fëmijët, të drejtat dhe shëndetin e tyre mendor, dhe ai tjetri, i përditshmi për jetën e ne të gjithëve, që si tipar ka edhe rritjen e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve në institucionet e mirërritjes dhe edukimit. Edukimi në mision tejkalon misionin e limituar të çfarëdolloj politike dhe politikani, në të mirën dhe të keqen që i shkakton një gjenerate apo kombit në tërësi. Së dyti, por i pari për nga rëndësia, ndër faktorët që do sillte kurimin e fenomenit është respektimi, kujdesi dhe mbështetja e qeverive, mbrojtja nga shteti i të drejtave për femrën, nënat e ardhshme. Unë besoj se ka një binom të pazgjidhshëm në të mirë dhe në të keq të tijin mes fenomenit të keqtrajtimit, dhunës ndaj vajzave dhe nënave dhe dhunës te fëmijët në shoqëri (kur i dhunojnë të rriturit apo dhunohen mes tyre). Ndaj këto dy politika DUHET të ecin paralelisht në konceptim dhe cilësi qeverisëse. Tashmë është i njohur pohimi se “kush hap një derë shkolle mbyll një derë burgu”, por mbi këtë preferoj të pohoj me zë të lartë kush fuqizon një vajzë, një grua, një nënë në shoqëri i ka mbyllur dyert urrejtjes, dhunës, krimit, sëmundjes dhe pse jo dhe luftërave. Së treti, edukimi, arsimi duhet të udhëhiqet nga profesionistët misionarë të sprovuar, vizionarët, kurajozët, zëplotët publikë, jo nga militantizmi politik.
Keni pasur përvoja të tilla në punën tuaj si mësimdhënëse?
Patjetër që kam kaluar dhe kaloj, ndjek dhe përjetoj dhe mundohem që në vendin dhe kohën e duhur të bëj atë që më ka mundësuar ideali im për arsimin, institucionalizmi im, aftësitë e mia apo veprimi im qytetar për ide e zgjidhje. Për mua ky është shqetësim dhe përgjegjësi e përditshme. Si unë ka edhe të tjerë në këtë vend.
Çfarë duhet të ndryshojë për të përmirësuar mbrojtjen dhe shërbimet në dispozicion të fëmijëve?
Unë kam qenë me fat që në kohën kur kam drejtuar arsimin e Tiranës 2003-2005, patëm mundësinë e ngritjes së strukturave të para të shërbimit psikologjik. Vetëm DAR Tiranë ishte në pararojë që ta shtrinte shërbimin edhe në atë social, pasi kuptoi rëndësinë e ndërthurjes së tyre në një qytet multikulturor, në zgjerim e sipër dhe në kushtet e një prirjeje qeverisëse decentralizuese. Në bashkëdrejtim me pasionantët ekspertë të sektorit të kualifikimit (ku Irida Agolli ka një vend të veçantë), DAR Tirana, si njësia më e madhe e edukimit në vend, pati mundësi që të tregojë ndikimin që sjell ky shërbim për cilësi të shtuara në edukim pas një bashkëpunimi perfekt të politikës arsimore me strukturë rajonale, (DAR Tirana) me akademikët e universitetit (Fakultetin e Shkencave Sociale) dhe shoqërinë civile (një projekt i Bankës Botërore i drejtuar nga Ylli Pango). Kështu u prodhua harta e parë e shërbimit psiko-social në qytetin e Tiranës, jo vetëm në shërbim të fëmijëve dhe nxënësve, por edhe të komunitetit prindëror. Personalisht, pas rrotacionit 2005, kam lobuar bashkë me Znj. Bregu e të tjerë, që këto struktura të konsideroheshin ashtu siç ishin ngritur dhe të përmirësoheshin dhe zgjeroheshin më shumë. Sot, pas 12 vitesh shoh me sy kritik çfarë është bërë dhe nuk është bërë, çfarë nuk shkon mirë apo nuk konceptohet drejt, që ky shërbim të kishte qenë më rezultativ në fenomenin që ju vini në fokus. Unë sot krenohem me emra profesionistësh ku besova ndërtimin e shërbimit në Tiranë si Irida Nasufi, Ledi Asabella, Sonila Mulgeci, Valbona Treska, Eledjona Murati, Etel Telezi, Rezarta Basha, Elda Bujari, Eda Luzi, Jeta Toçilla, etj, që shkëlqejnë në akademizëm, shërbim të specializuar në qendra klinike, shërbime gjyqësore, menaxhim projektesh kombëtare për këtë shërbim apo në media, POR në konceptim qeverisës, institucionalizim kompetencash, konsiderim dhe rendiment kemi humbur terren dhe rendiment si shërbim.
• Së pari, ndërsa pas 12 vitesh kemi fituar status, si profesione të rregulluara, me ligj të punonjësit social dhe psikologut, vazhdon të ketë një “luftë” mes tyre për përfshirjen në institucionet e mirërritjes dhe edukimit (shërbimi psikologjik dhe ai social). Ato vetë duhet të bashkëmbështesin njëritjetrin. Për mua duhet tejkaluar ky ngërç dhe advokacinë e këtij konceptimi menaxherial duhet ta bënte ministria e arsimit dhe pushteti vendor.
• Së dyti, ndërsa Shqipëria rëndohet në profilin social të saj dhe në fenomene kritike për fëmijët, siç është dhuna apo abuzimi seksual, etj, qeverisja nuk ka shtuar as studime, as struktura dhe as buxhete qendrore dhe vendore për ta. Ne varemi nga studime që donatorët bëjnë për të justifikuar buxhetet e veta që thithin nga taksapagues të shteteve prej nga vijnë, pa normuar institucionet tona për sasinë dhe cilësinë e analizës dhe raportimit publik, pse jo dhe llogaridhënës.
• Së treti, gjykoj se ka një keqkonceptim të rolit të psikologut apo punonjësit social në institucionet e edukimit dhe trajtimit të fëmijëve. Atyre u drejtohet gishti si fajtorë ndërsa denoncohen fenomene të dhunës apo keqpërdoren ndërsa shihen si shtojca stafesh mësimore në dokumentacion shkollor duke u cenuar rëndë parime të etikës profesionale. MES, DAR Tirana, pushteti vendor dhe të tjerë, në raportet dhe analizat e tyre nuk flasin më për shërbime psiko-sociale në komunitet, ndonëse nën inflacion fjalësh politike flitet për shkollën komunitare. Unë i kam ftuar dhe vazhdoj t’i ftoj të kthehen edhe me sy kritik në përvojat e para se do ishin shumë më mirë se janë sot, ndërsa prodhojmë ligjërisht edhe statuse profesionesh.
• Së katërti, kualifikimet dhe karrierat e këtyre punonjësve në shërbim të edukimit duhet të modelohen, ndërtohen dhe monitorohen edhe nga akademizmi i profilizuar dhe menaxherët e arsimit dhe jo t’u besohen projekteve të individëve të preferuar nga donatorë jo seriozë dhe shoqatave pa ndikim e shtrirje kombëtare. Shqipëria, edukimi shqiptar edhe në këtë fushë, por edhe për donatorët strategjikë të këtij lloj shërbimi, DUHET të ishte në kohën e institucionalizimit të politikave të tilla në koncept qeverisës, buxhete dhe struktura pa nënvleftësuar analiza dhe refleksione nga aktorët vendas dhe donatorët vetë. Është koha që Shqipërisë së gjeneratave të reja t’i bashkëngjitet një koncept dhe praktikë qeverisëse për këtë lloj shërbimi që duhet të jetë jashtë lojës klanore, mediokre, politike, jo etike për shtetfunksionimin dhe aspak rezultative siç na nevojitet në këto kushte të shqetësimit mbarëshoqëror për shumë gjendje kritike të statusit psikologjik e social të fëmijëve sot.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.110
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.