Marrëdhënie

May 5, 2016 | 9:44

Dëshmi/ Mariza Ikonomi: Motra ime e madhe…që dikur imitoja

1Fëmijët e dytë, shpesh janë në garë me më të mëdhenjtë… E pastaj, fëmijët e dytë, shpesh janë më të talentuar. Kështu thonë studimet psikologjike. E për t’iu referuar një rasti konkret, kemi biseduar me Mariza Ikonomin, këngëtaren elegante, e cila është fëmija i dytë, ardhur në jetë 3 vjet pas motrës së saj, Ledias. Çfarë ka ndodhur me këngëtaren? A është ajo në fakt një rast tipik i fëmijës së dytë? Apo është përjashtim… le ta shohim:

Talenti

Mjaft të qëndrojmë në atë çfarë shikimi i parë të ofron, duhet të themi se Mariza e plotëson një kriter: është, siç shpesh fëmijët e dytë janë, e talentuar. Ka pasur një prirje artistike që e ka bërë të dallueshme, e ka evidentuar dhe e ka bërë emër publik. Dhe kjo karakteristikë e saj e ka ndihmuar në raste të veçanta, sidomos kur, e vogël, siç edhe vetë e pranon, e ndjente se ndodhej në vend të dytë. I duhej të pranonte edhe autoritetin e prindërve, por edhe të së motrës që ishte më e madhe, që kujdesej për të dhe si “shpërblim”, më e vogla duhej së paku t’i bindej, ta dëgjonte. S’ishte edhe aq pozicion miklues në fakt… ndaj dhe provokonte garën.

Gara

Gara kishte kohë që kishte filluar. Këngëtarja thotë se pikërisht më e madhja e ka mbështetur, e shpesh edhe ndihmuar për të arritur aty ku është sot, për t’u bërë e famshme. E megjithatë, gara kishte filluar. S’mund të shmangej: “Mbaj mend, kur isha e vogël, ende pa hyrë në shkollë, zhvilloheshin parada të ndryshme. Ime motër, duke qenë e përfshirë në to, vishte fustane të bukura… Unë ndihesha shumë keq, isha e vogël, s’mund të merrja pjesë në ato parada. Qaja, mërzitesha… por nuk mund të bëja dot asgjë. Kur Ledia vinte në shtëpi, fustani lahej, kurse unë mezi prisja ta vishja ashtu të lagur në trup dhe imitoja paradat, apo ecja nëpër shtëpi si për të treguar që nuk isha edhe aq e vogël”. Sepse, fundja, të jesh i vogël, ose thjesht më i vogël se dikush… nuk është edhe aq kënaqësi. Ndaj dhe do ta përdorte armën që kishte: Mariza dinte të këndonte dhe pikërisht këtë aftësi e përdorte mirë: dilte përpara prindërve dhe motrës, këndonte, performonte dhe merrte duartrokitjet e të gjithëve. Ky rezultat ia përkëdhelte pa masë sedrën! Qoftë edhe pandërgjegjshëm kishte hyrë thellë në një garë… Fituar? Pse të mos e quajmë edhe fitore? S’ka gjë se motra e madhe nuk është ndjerë aspak e frustruar nga kjo gjë…

Imitimi

Sidoqoftë, një motër e madhe shpesh bëhet objekt imitimi për më të voglën. Është pothuaj e njëjta gjë si me nënën, të cilën fëmija e adhuron tek bën tualetin para pasqyrës, vesh fustane elegante dhe taka të larta, ndërkohë që fëmija përpiqet të bëjë si ajo, duke tërhequr zvarrë në shtëpi këmbët e vogla brenda këpucëve dyfish më të mëdha. Kështu edhe Mariza, shpesh e ka gjetur veten duke imituar motrën (ashtu siç kurrë nuk ka bërë në rrugëtimin e saj profesional) që ishte më e madhe, dinte më shumë, kuptonte më shumë… Dhe kishte ç’të imitonte. Pikërisht duke “imituar” të motrën, ka gjetur një përparësi: “Përpiqesha të flisja si ajo, të komunikoja bukur me njerëzit si ajo… dhe kjo më ka ndihmuar që e vogël të luftoja drojën”.

Liria

Por, rasti i Mariza Ikonomit nuk është rasti tipik i fëmijës së dytë, duke qenë se njëkohësisht është edhe fëmija i fundit. Më e vogla, pra që do të thotë njëkohësisht e përkëdhelura. E përkëdhelur nga prindërit, por e përkëdhelur edhe nga motra më e madhe. Kjo i jepte një hapësirë lire, të cilën që ia zmadhonte edhe më aftësia që kish, talenti. Sepse, me kalimin e kohës, talenti e ndihmoi drejt pavarësisë… “Udhëtoja për në aktivitete jashtë shtetit, ikja me orë të tëra nga shtëpia për shkak të provave… Kjo më ndihmoi të bëhesha e zonja e vetes. E në të njëjtën kohë më privilegjonte në lidhje me punët e shtëpisë. Vetëm një herë në javë duhet të merrja pluhurat, të laja enët, e sigurisht të rregulloja krevatin tim… Por në shumicën e herëve këto i bënte ime motër”. Ja dhe një avantazh tjetër për vajzën e dytë e të talentuar njëkohësisht: liria dhe pavarësia.

Sot

Sot, të dyja motrat ndihen të realizuara. S’ka gjë se Mariza lindi me talentin për të kënduar dhe u bë publikisht e njohur dhe Ledia jo. Fundja, motrat kanë bërë zgjedhje të ndryshme: “Për, për vite me radhë, Ledia ka punuar në një fondacion të huaj, ku ka pasur poste pune të rëndësishme. Ajo ka punuar fort për t’u realizuar dhe për të ndërtuar një karrierë profesionale”, thotë motra e vogël. Tashmë, kur diferenca në moshë nuk ndihet më dhe të dyja motrat i kanë shtruar rrugët e karrierave të tyre, e madhja dëgjon shpesh t’i thonë: Oh, ti je motra e Marizës! Ashtu si gjithmonë në vogëli, veç Mariza dëgjonte t’i thoshin: motra e Ledias. Sidoqoftë, koha e garimit ka kaluar. Garim fëminor gjithsesi, sepse: “tek ne të dyja nuk ka pasur kurrfarë zilie… E tani, secila prej nesh është realizuar sipas mënyrës së saj”, shprehet Ikonomi.

Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top