Marrëdhënie

July 8, 2016 | 10:09

Dëshmi/ Maya Aliçkaj: Diferencat na bëjnë mirë!

1Në dashuri nuk ka receta, e për më tepër as vend për të dhënë mend apo për të gjykuar se çfarë ka njëri më pak apo tjetri më shumë. Kur duhesh, duhesh, dhe ajo që i bën dy njerëz të lidhen me njëri-tjetrin është ndjenja. Mund të ndodhë në prezantim mes miqsh, apo të jetë një dashuri me shikim të parë. Pa i ditur diferencat e tyre, njohja e Majës me Arbenin erdhi ashtu, e papritur, dhe me shumë gjëra të thëna njëherazi mes dy të rriturish. Nuk kishte vend për prezantime apo mburrje të rastit se ku kishin arritur në perfeksionimin e vetes së tyre. Ama, si dy vlonjatë, dy ish-emigrantë, ajo në Gjermani dhe ai në Itali, gati moshatarë dhe me pritshmëri për jetët e tyre, njohja dhe lidhja në çift ia vlejti. Kanë pothuaj tre vjet nga dita kur në një takim mes miqsh të përbashkët shkëmbyen shikime, të cilat u bënë më të afërta kur gjestikulacionet tërhiqnin vëmendjen, sidomos nga ana e këngëtares. Maja rrëfen se asnjëherë në jetën e saj nuk ka parë apo takuar meshkuj kaq të pashëm, inteligjentë apo të përgatitur, siç erdhi në sytë dhe mendjen e saj Arbeni. “Ndoshta tani në një moshë të rritur më ndodhi kjo gjë. Që në të vërtetë ishte fenomen për mua. I besova rastësisë, jo pa logjikë. Përveç dukjes dhe mënyrës së komunikimit të këtij njeriu mes shumë të tjerëve, u interesova më tej”. Ndoshta mund të përbënte ndasi ideja se ai duhej të ishte shqiptar. Jo për nacionalizëm, tregon Maja, porse në nënvetëdijen e këngëtares një bashkëkombës ishte i denjë për trashëgimin e traditave dhe vlerave shqiptare. “Nuk jam aspak nga ato femra që të tërheq vëmendjen me vetëdije, asnjëherë në botë. Jam natyrë krenare. Kur më thanë se Arbeni ishte nga Vlora, kishte jetuar në Itali shumë kohë dhe ishte rikthyer, kjo pjesë më ngrohu akoma më shumë. Jo se patjetër duhej të ishte ashtu, por kur e ke afër origjinës të duket më i afërt në të gjitha këndvështrimet. Takimet zgjatën rreth një vit, ‘hidh e prit’. Marr një informacion të gabuar sikur ish i fejuar dhe them ‘s’ka ç’më duhet’. Por në një moshë të pjekur ndjenja është e lidhur me logjikën. Me miken gjatë një bisede dëgjojmë se kunati i këtij djali ishte i sëmurë. Por, a ishte kunati vëllai i gruas apo burri i motrës? Kur e pyet mikja ime, ai ia kthen: është burri i motrës. Më erdhi keq, po mirë për mua”. Maja dhe Arbeni flasin me shumë përkushtim për lidhjen e tyre. Pa kurrfarë tabush apo ‘mbrojtje’ mendimesh, duke më treguar në detaje se si arritën në bashkëjetesë. Pas takimit “rastësor”, thotë Maja, plasi bomba. “U zumë sa nuk u rrahëm. Në fakt, jo se u zhgënjeva, por dëshira ime u frenua. Gjatë grindjes, ai i thoshte gjërat sikur isha unë që duhej të vendosja e mandej kërkonte të më zbuste me anën fizike, jo vulgare. Mendoja me vete, ç’është kjo punë? Shkëputemi me mendimin se aq ishte. Por në fakt, Beni më shkruante dhe më merrte në telefon. Unë nuk përgjigjesha. Kisha frikë se do të ndodhte e kundërta”. Dhe, në fakt, ndodhi ajo që dy njerëz të maturuar nuk mund t’i rezistonin dot, ndjenja. Prej atij çasti ata nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin. Prej një viti ata ndajnë të njëjtën çati. Kanë mësuar të përshtaten, të tolerojnë njëri-tjetrin sipas mënyrës së tyre. Këngëtarja jo se nuk e kish dëshiruar një marrëdhënie të tillë, për arsye që dihen në fillime të lidhjes, natyra dhe sjellje të ndryshme etj., porse mendimet ia tundonin arsyen se mund të kishte vështirësi. “Tërë jetën time çdo vendim varet prej meje. Me ardhjen e Benit, prania e tij (që unë nuk e kisha menduar të tillë), ishte largimi i gjithë këtyre anktheve se si mund t’ia bëja. U përshtatëm. E bën dashuria në radhë të parë dhe natyra e Benit, që është shumë i kujdesshëm. Më ndihmon për të gatuar, por për të tjerat jo. Përveçse nuk më bën rrëmujë. E rëndësishme është që qoftë familja, qoftë ngritja e tij profesionale apo mosha, të jenë aty-aty, sepse disniveli i madh krijon probleme. Fatmirësisht te ne janë paralel dhe na e bëjnë marrëdhënien më të lehtë. Këto janë anë pozitive që e bëjnë kompakte lidhjen, se po të flasim për 100% të raportit, mundet të mos jemi në rregull edhe me veten tonë”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top