Mirëqenie

February 21, 2017 | 11:05

Dëshmi Meri File: Lapsi, fuqia ime shpirtërore

Miku i saj i ngushtë, ai që do ta shoqëronte në këtë rrugëtim interpretues të veprës së saj, i pat premtuar herët: talenti yt vlen! Ajo nuk e braktisi, duke i bërë rezistencë një “lufte” që kish ngarkesë jo me pak haraçe rrugës. Luftoi me mish e me shpirt, u përpoq dhe e mbajti fjalën. Nuk mund të mos i qëndronte besnike atij që i besoi talentit foshnjërak, por që me kalimin e kohëz ngjizi një epokë të vyer e lakmuese deri për vetë profesorët e saj. Sot njihet si piktorja e nudove, guximtarja Meri që provokon përmes kësaj gjinie të pikturës, duke sjellë risi në një fushë ende tabu për shoqërinë tonë. Por a e dini se ç’mendon Meri? Arti siç sjell ndryshimin psikologjik te njeriu, krijon një forcë ndryshimi edhe në shoqëri. Meri thotë se “pa eros nuk ka një zanafillë” dhe e ngacmuar nga gjërat e shëmtuara apo situata kaotike ku ajo e sheh Shqipërinë, erosi sipas saj ishte arma e duhur për të zbërthyer mes veprës së saj artin si terapi.

meri-file

Çfarë ju ngacmoi në gjininë e nudos?

Duke qenë vetë femër sigurisht që provoj dhe ndjej siç ndjen çdo femër. Kuptova që këtë ndjenjë kaq të pastër, femrën e ndrojtur e të mbuluar në shoqëri, ta hedh në letër me laps e ta ktheja në një formë krejtësisht të vërtetë, sepse ne të vërtetat gjithmonë i ndrydhim, nuk i pranojmë. Kam lexuar herët për psikologjinë e intimitetit, anën faktike të psikologjisë femërore se çfarë ndodh kur ndjen për një mashkull, që do të bëjë seks, kur ndjen një pasion të heshtur, kur e ka të ndaluar një dashuri apo kur e ndjen mashkullin e vet, ose edhe një femër. I ndava në disa etapa: një heteroseksuale, një lesbike, një biseksuale, një pedofil, një parafil. Mendova që edhe në Shqipëri ekzistojnë gjëra të tilla e pse jo të mos i nxjerr të vërtetat e tyre. Unë jam sulmuar pse merrem me këto gjëra. Por mua më pëlqen të pamundurën ta bëj të mundur.

Çfarë ndodh kur ti futesh në këtë botë?

Është një luftë në vetvete, sepse brenda meje ekziston një Meri tjetër, që do të thotë: bie, lufton, kryen marrëdhënie deri në një moment të fundit sa e arrin atë etapë dhe, e mbyll. Kjo pjesë arrin me finalizimin e pikturës apo vizatimit.

Pra ti plotësohesh brenda të tërës?

Nuk e them dot pasi ka pjesëza të ndryshme. Finalizimi ndoshta do të jetë një ekspozitë ku unë do të nxjerr anën ndijore, edhe më e fuqishme dhe e habitshme për njerëzit.

Teksa punon për një vepër, çfarë ndodh me trupin dhe mendjen tuaj?

Lapsi është “shoku” im më i ngushtë. Me të flas shumë me veprën. Kur jam para saj më duket sikur kam një pasqyrë e flas me të. Është pjesa ndijore, e pavetëdijshme që flet në një moment të caktuar. Për mua është dyfish, sepse kur reagoj me veten, reagoj ashpër, por mimika hesht, që do të thotë se brenda meje ziej, luftoj, saqë e vetmja gjë që mund të dalë paq është një buzëqeshje. Dhe kur unë mbaj lapsin, e gjithë fuqia ime shpirtërore është vetëm tek linja.

piktura-meri

Cila është rruga që çoi drejt nudos?

Literatura e sime motre në fushën e gjinekologjisë më shtyu të dija më shumë për anën psikologjike të femrës dhe mashkullit. Fillova të vizatoja, u bëja skica shoqeve të mia, më hyri në zemër kjo gjë. Fillova pjesën psikologjike të njeriut, kokën, por pa trupin njeriu nuk ekziston. Kështu që 10 vite studiova dhe punova në heshtje. Një moment i kërkoj bashkëshortit kohë punë një vit në shtëpi që t’i jepja vetes time një forcë. Viti u mbush, mblodha dosjen dhe takova një kurator për t’i shprehur kërkesën për të hapur ekspozitë. Nuk më pranuan. Shkova në shtëpi duke qarë. Atëherë vendosa t’i publikoj në facebook. Që në nudon e parë pati impakt.

A mund të pohohet plotësisht se “Arti e ka emrin FEMËR”?
Në qoftë se të gjithë artistët do të ishin meshkuj dhe një mashkull do të pikturonte një mashkull tjetër, a do të kishte impakt? Jo, ndërsa  nga një femër krijohet kontradita: po si e ka bërë, jeton në Shqipëri, si e ka lënë bashkëshorti të shoh një mashkull tjetër? Kur bëhet fjalë për art, nuk ka kufi. Ne krijojmë në art një revolucion të ri, sidomos në kontraditat e artit shqiptar. E zëmë një femër që nuk lind, nuk është pjellore, po arti mendon se do të ishte i tillë pa një femër?!

Në psikologji arti është i barasvlershëm me një terapi te psikologu.

Kam patur mundësi të jem në qendra rehabilitimi me njerëz të sëmurë nga dashuria. Ngjyrat që ata zgjidhnin ishin të errëtat. Jo se ishin të tillë në brendinë e tyre, por kufizonin veten. Në momentin që unë u bëja figura gjeometrike, ata trembeshin. Rrethi apo katrori i kufizonte, i mbyste brenda kornizës. Dhe në momentin që çliroheshin, atëherë dilnin nga ajo vijë dhe vendosnin të merrnin një ngjyrë tjetër. Arti në përgjithësi e ka formën e vet, por të dalësh nga forma do një lloj ndjesie, qoftë ajo edhe e errët. Çdo njeri e ka një anë të errët, dhe kjo mbetet gjithmonë e fshehur, dhe në momentin që del, del në një formë që as vet nuk e kupton. Është unike, që mundohet të zbërthejë njeriun, ta çlirojë atë dhe të dalë në sipërfaqe. Atëherë ia ke arritur qëllimit. Arti është ndihmues. Piktorë të famshëm në momente depresive kanë bërë kryevepra madhështore.

piktura-meri1

Ju ka bërë më tolerante arti?

Më bën më të sigurt te vetja, kam arritur atë që gjithmonë njeriu kur mundohet të bëjë diçka të mirë, ka nevojë për një forcë të madhe për të vazhduar edhe më tej. Gjithmonë janë interesuar pse punoj bardhezi e jo me ngjyrë, (ekspozita e parë do të vijë së shpejti). Mendoj që çdo gjë nis nga lapsi, e paskëtaj ngjyrat janë të më thjeshta. Unë kolorin e shon në natyrë, bardhezinë jo, por në shpirtin e njeriut po. Mundohem ta bëj edhe gri. Piktura më ka bërë shumë tolerante, më ka rritur vetbesimin.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 106

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top