Protagonizmi & Ekstravaganca
Protagonizmi subjektiv, ajo që ndodh brenda e nuk duket, madje edhe ekzibicioni si i tillë, janë ato që mbeten interesante te një njeri. Kështu ajo që duket, vetëm nëse është e mundshme dhe prandaj duket, kurse vetëm pjesë të imta të saj kanë dimensionin e së padukshmes që për këtë është edhe më tërheqëse. Pra ajo që për dikë merret si ekzibicion, për vetë protagonistin është vetëm një shfaqe vetëmbrojtjeje dhe është ideale nëse është shfaqje potence. Por një shoqëri e thërrmuar është larg nga një i tillë individ. Dhe më mirë që është kështu.
Poezi & Proza
Për artistin arti shndërrohet gradualisht nga çështje inspirimi, në çështje frymëzimi forme. Nëse forma fillon gërrimin e subjektit tënd kjo do të thotë se ajo kërkon të shfaqet. Ky është një fenomen sa individual aq edhe social dhe shfaqet si artikulim i një hapësire të ndërmjetme, që rastësisht bashkon domosdoshmëri artificialisht të ndara, midis shkrimtarit dhe lexuesit, midis lexuesit dhe lexuesit ku përfshihet edhe shkrimtari.
Muzika & Piktura
Gjuhët e shprehjes tentojnë të jenë të pafundme. Potencialisht kemi aq gjuhë sa dhe kuptime. Nëse një artikulim shteron shfaqet një tjetër. Njeriu është një instrument njohjeje infinit, madje edhe njohja është shpikje e tij dhe ai vazhdimisht krijon njohje të reja, vetëm për të mos mbetur pa njohje. Dhe kjo është kuintesenca e artit.
Divorci & Martesa
Nuk është e rëndësishme nëse je i martuar apo i ndarë. E rëndësishme është nëse ajo që ke zgjedhur buron si liri apo shtypje e vullnetit tënd. Megjithatë gruaja ndryshe nga burri gjen keqardhje që është dhe justifikim i mjaftueshëm, për jetën nën vullnetin apo hyqmin e tjetrit. Ajo e pranon situatën jo nga fataliteti i rastit të saj, por nga fataliteti njerëzor në tërësi, dhe e sheh shpëtimin e vet në rritjen dhe emancipimin e përgjithshëm social, forma e fshehtë dhe fillestare e së cilës është ajo vetë, gruaja. Gruaja gjithmonë ka jetuar dhe jeton përtej fatit të saj dhe për këtë arsye është formuese.
Bashkëshorti & Vajza
Në këtë pikë edhe unë jam si të gjithë njerëzit. Pëlqej gjërat e mia.
Politika & Biznesi
Politika është strofulla e fundit e lirisë së individit. Sepse ajo që mund të kapërcehet me etikë në jetën e zakonshme, duket pothuaj e pamundur në një moment të dhënë të kapërcehet në jetën politike. Ajo është fusha e ekspozimit të plotë, të detyrimit të skemës logjike Po dhe Jo, mirë keq, drejt gabim, fusha e aplikimit të ligjit haptas si interes, dhe gjithkush që ndodhet aty, unë besoj se ndodhet nga shtrëngesa, përderisa e konsideron palën e kundërt si antipodin e vetes. Në jetën normale njerëzit vetëm sa plotësojnë njëri-tjetrin në uebin social, jo vetëm me nevojat por edhe me plotësimin e tyre.
Kruja & Tirana
Kam parë shumë qytete të botës, ndihem qytetare e saj, dhe e kam të vështirë në këtë çast t’i thërras kujtesës aty ku më detyron pyetja jote. Mund të them shkurt se në të parin kam lindur dhe në të dytin jetoj, dhe se më në fund ndihem me fat që është kështu.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.