Në fokus

March 4, 2016 | 11:03

Dëshmi/ Moikom Zeqo: Duhani… më frymëzon, më mban larg stresin

Për shkrimtarin Moikom Zeqo, tymosja nuk është thjesht një ves, i mirë apo i keq. Në bisedë me të, ai më bind se kjo ‘kulturë’ e ka një zanafillë. Dhe tregimi është i gjatë, për t’i mëshuar mandej asaj gjëje se përse u lidh kaq fort pas duhanit. Dhe një njeri si ai të lë pa fjalë kur të shpjegon lidhjen zinxhir që i bën së shkuarës qindravjeçare me të tashmen individuale, produktive, në të shkruarit dhe jo vetëm. Akademiku rrëfen se duhani i shndërruar tashmë në industrinë kolosale botërore e që hyn te fitimet më të mëdha, zë një periudhë historike që nga viti 1492, para se Kristofor Kolombi të zbulonte kontinentin e ri, Amerikën. Pas udhëtimit të tij bota u njoh me pataten, domaten, misrin dhe duhanin. Por konsumimi nga shqiptarët lidhet me periudhën e perandorisë otomane, në kohën e tymosjes me nargjile. Shumë nga piktorët evropianë, si Zherom, i paraqesin shqiptarët duke e pirë në këtë formë duhanin. Një ves kombëtar, që vijon të mbetet i tillë sa i takon konsumit dhe zgjerimit të përdorimit. Ndërsa për Moikomin, duhani duket se është bërë për kënaqësi, e siç e shpjegon ai, “është si pirja e rregullt e ujit pas një etjeje të madhe”.

Ai vetë duhanin e ka filluar në moshën 33-vjeçare. Trashëgimi e ndoshta një lidhje krejt e natyrshme për t’iu ofruar qenies së tij me nota pozitive kundrejt krijimtarisë.

“Burrat në fisin tim e kanë pas qejf duhanin. Ndërsa në familje, nga tre vëllezër që jemi, i dyti e pi më shumë se unë, ndërsa i treti fare. Fjala ‘ves’ ka kuptim të rëndë, element i sjelljes dhe veprimit të njeriut që është bërë pjesë e metabolizmit, pavarësisht nga ndërgjegjja se duhani ka të këqija të tmerrshme”.

Por tek Moikomi vjen me doza kënaqësie, pavarësisht çështjes propagandistike të tregut botëror.

Mua më krijon një lloj kënaqësie, luftë ndaj stresit dhe më të domosdoshëm e kam në kohën që jam në proces krijues, kur shkruaj. Për më tepër që tek unë ka një lloj kuptimi edhe më të gjerë se kaq. Pirja e duhanit ka qenë një formë për të kaluar kohën. Meqenëse ka nikotinë, ajo ka ndikimin e një lloj droge të lehtë në trupin e njeriut. Duke e pirë rregullisht bëhet pjesë e metabolizmit. Ashtu si të gjitha elementet e tjera, kripa apo sheqeri, që janë pjesë e ushqimeve, edhe nikotina bëhet pjesë e tij”.

E në ndërgjegjen retorike, ku fjalët janë memece, për akademikun kthim prapa nuk ka, dhe as do të ketë. Pavarësisht rrezikut që ia di, Moikomi thekson se duke qenë që format e të pirit duhan tashmë i ka provuar, ka vendosur të mos e lërë pa kurrfarë kushti, qoftë dhe komprometues familjar.

“Unë e kam provuar duhanin me llullë, të dredhur, ndërsa tani provoj më të keqin, atë ‘Slims’. Në rininë time kam qenë zhytës dhe kjo mesa duket më ka ndihmuar për frymëmarrje të shëndetshme. Kohët e fundit m’u lut djali për kontroll të mushkërive, dhe shkova. U vizitova dhe rezultoi se mushkëritë e mia ishin të padëmtuara për një arsye, se unë nuk bëj thithjen e thellë të duhanit, pra e shmang dëmtimin brenda. Jam përpjekur në fakt disa herë ta lë, para 5-6 vjetësh. U betova para fëmijëve që do ta lija duhanin, por s›e kam mbajtur fjalën. Ndërsa tani, përfundimisht nuk kam ndërmend ta lë asnjëherë, derisa të vdes”.

 

Botuar në revistën Psikologjia , Tetor 2012

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top