Nga Orjona Tresa / Foto Soela Zani
Ato janë një ‘trup’, një mendje, kanë një gjuhë komunikimi. Rrezatojnë mirësi dhe sytë u shkëlqejnë kur u duhet të tregojnë për veten. Ngjajnë tek buzëqeshin me njëra-tjetrën. Janë të çlirëta dhe nuk kompleksohen aspak teksa u kërkon të flasin mbi marrëdhënien e tyre si motra. E marrin shtruar dhe nuk duan të lënë pa përmendur asnjë detaj të rëndësishëm të jetës, që u ka kaluar mbi supe. Të dyja janë në moshë. Njëra afër të 78-tave, ndërsa tjetra rreth 72 vjeçe. Profesionet e tyre kanë qenë të kundërta në jetë, por kjo nuk ka ndikuar që lidhja mes tyre të ishte kaq e fortë. Zonjat Margarita Xhepa dhe Anastasi Prifti pranuan me kënaqësi të rrëfejnë raportin që ato kanë me njëra-tjetrën. Por jo vetëm kaq. Historia e veçantë e familjes nga e cila janë rritur, u ka dhuruar një dashuri edhe më të madhe genit që ato trashëgojnë, që sipas aktores Xhepa është “dashuria për njëri-tjetrin”. Ato në fakt, nuk janë vetëm dy. Janë më shumë. Margarita, Marititi, Liria, Gela, Nasta, Arta dhe Luli. Fatkeqësisht njëra prej tyre sot nuk jeton më. Por, edhe pse ky ishte fati, shpirti i tyre vazhdon të mos e ndajë Marititin nga trungu i dashurisë ku ato u rritën. Ky bosht kaq i fortë ka bërë që marrëdhënia e tyre të jetë sa e shëndetshme aq edhe e bukur edhe me motrat e tjera.
Nasta, boshti i jetës sime
Margarita dhe Anastasia janë të lidhura ngushtë që në vogëli. Kur Margarita mbaroi shkollën shtatëvjeçare në Tiranë, iu desh të merrte me vete, dhe motrën e vogël Nastën, për të cilën do të kujdesej si një nënë e dytë. Për Margaritën, Nasta siç preferon ajo ta thërrasë, ka qenë një busull orientimi dhe mbështetëse shumë e zonja jo vetëm në karrierë por edhe në jetën e përditshme. Një nënë shumë e mirë, motër, shoqe dhe vajza të cilën do të kishte dëshiruar të lindte në martesën e saj. Ato e quajnë fat të madh të qenit pranë njëra-tjetrës. Por më shumë, këtë gjë e shpreh Margarita. Nasta ka qenë një peshore për vendimmarrjet e saj në jetë dhe në karrierë. “Ka qenë një ushqim për mua, një motër me botë të madhe, e pakursyer. Kurrë nuk jemi ndarë”, rrëfen aktorja e njohur. Mes tyre nuk ka ekzistuar xhelozia, madje për to kjo gjë as që është çuar ndonjëherë ndërmend. Lidhja e tyre e veçantë ka bërë që dhe brezi i tretë i këtij zinxhiri fisëror të jetë po kaq i fortë. “Ne jemi një trup i vetëm. Është gjë e madhe t’i mungojmë njëra-tjetrës shprehet Margarita, teksa vijon se “derisa vdekja të na ndajë, do të jemi gjithnjë bashkë”.
“Kemi plotësuar çdo gjë bashkë”
Edhe pse në moshë, Margarita dhe Nasta kanë nurin e artë të një pleqërie të mbarë, të bukur, plot dashuri dhe shkëlqim. Ky tipar i trashëguar nga paraardhësit e tyre vlerësohet nga Anastasia si një ogur që e ka ndjekur gjithë jetën. Nasta ndihet krenare dhe flet me pasion për motrën e saj, aktoren e famshme. Për të ka qenë fat të njihej si motra e Margarita Xhepës në ambientin ku punonte në ushtri, në banesën ku jetonte, rrethin shoqëror madje dhe në rrugë kur njerëzit e ngjasonin me Margaritën e saj të dashur. “Ndihesha shumë krenare që shoqërohesha me të. Isha e lumtur. Ime motër ka punuar tërë jetën dhe këtë forcë dhe bukuri që ka edhe tani e ka nga gjithë ajo punë që ka bërë”. Në meditimin tim them se nuk besoj si kam kaluar unë me time motër çdo gjë. Kemi plotësuar çdo gjë bashkë”. Aktorja e njohur është po kaq e dashur dhe në rrethin shoqëror të të dyja motrave. Ajo është kurdoherë e mirëpritur duke u dhënë siç thotë vetë Nasta, “lezetin çdo takimi”. “Ajo ka pasur vërtet mungesën e mamasë, por ka pasur njerëzit që e donin. Lum si ti më thoshin, që ke motër Margarita Xhepën”, rrëfen motra e saj më e vogël.
Kritike e ‘rreptë’ për personazhet
Anastasia ka qenë një udhëzues shumë i mirë në karrierën e Margaritës. Lidhja e afërt e gjakut ka bërë që ajo të jetë gjithashtu një kritike, suflere dhe pse jo personi me të cilin mund të këshillohej më shpejt për rolet e saj të shumta. Nasta tregon se si për motrën e saj aktore ka afruar një ndihmesë kreative në punën e Margaritës duke e ndjekur mbi gjysmë shekulli pas personazheve të saj. “Unë i kam parë të gjitha shfaqjet që ka dhënë ime motër. Që nga Hamleti, Ofelia, Ezopi, Romeo dhe Zhulieta. E shihja me detaje pasi unë e njihja shumë mirë libretin e tyre. I kisha të mësuara përmendsh”, rrëfen Nasta. Kjo shtyllë kaq e rëndësishme për aktoren e njohur, sigurisht që ka qenë një ndihmesë e madhe pasi siç tregon Xhepa, “unë e shikoja si një spektatore të afërt, kritike e mirë që ma thotë jo për të më bërë qejfin. Unë ndjeja pulsin, shijen e saj si si mund të ishte personazhi im. Nasta mi thoshte vërejtjet, e jo vetëm i merrja parasysh por edhe vazhdoja ta pyesja”. Margarita tregon se si motra e saj e vogël sugjeronte dhe pamjen vizuale të saj brenda rolit. Ajo e shikonte motrën e saj në të gjitha aspektet. Në lidhjen e shamisë, përparëses, të modelit të flokëve, siç ishte dhe roli i fundit i nënës në filmin “Pylli i Lirisë” apo dhe tek ai i Gjergj Xhuvanit i cili ende nuk është shfaqur. “Diskutimet e motrës janë shumë objektive. I ka shumë të drejta vërejtjet se është ushqyer me këtë. Për mua ka qenë gjë e madhe” tregon Margarita. Pjesëmarrëse gjatë gjithë këtyre viteve, Nasta është mjaft e kënaqur për gjithë këtë. Nuk ndihet aspak keq që nuk ka ndjekur rrugën e saj apo të ishte e njohur aq sa Margarita Xhepa. “Unë nuk e kam pasur talent. Përkundrazi, kisha shumë kënaqësi që ime motër ishte e tillë, pasi punonte shumë. Ime motër të gjitha gratë e lagjes sonë në Lushnjë i ka përfshirë në personazhet e veta. Gratë myzeqare janë shumë fisnike, janë punëtore”, rrëfen Nasta.
Luljeta na zgjon kujtimet e atit tonë të mençur
Ato janë shumë të lumtura të flasin dhe për motrat e tjera. Siç rrëfen aktorja e njohur, nuk gjenden fjalët për të shprehur dashurinë që ato kanë për njëra-tjetrën, dhe lidhjen e veçantë që kanë krijuar pas martesës së dytë të babait, kur familja e tyre u shtua në dhjetë fëmijë, mes tyre dhe katër vëllezër. Por ajo që i bën të ngjallë kujtimet e mëdha për figurën fisnike e me karakter të fortë të babait, është motra që jeton në Greqi, Luljeta. Tek e pyesim për lidhjen me të, Margarita e cila nuk e ndan nga vetja, madje dhe një foto të saj e mban gjithnjë në çantë, rrëfen se ajo është gjithçka nga shëmbëlltyra e të atit. Ia kujton atë sa herë e takon në Greqi, i ngjan me zërin e tij, forcën logjike, dhembshurinë dhe mirësinë që ai diti të falë në jetën e tij plot të papritura. Aktorja memoria e të cilët është kaq e freskët, ashtu si në fillimet e saj, rreket të na citojë një poezi që e përmend sa herë i kujton familjen e saj të madhe. “Pavarësisht se jemi larg, dashuria është akoma më e madhe”. Tek i vijnë shumë kujtime në mendje, dy motrat, Margarita dhe Nasta rrëfejnë: “Ne jetuam me babanë, sepse nëna na la shumë shpejt. Dashurinë e nënës e morëm nëpërmjet nënës së dytë që na erdhi në familje”. Për Margaritën, kjo dashuri ishte mjaft e gjerë pasi i ka zëvendësuar një boshllëk, sepse atë që bën nëna, sipas saj, nuk e bën kush. Nga kjo martesë, thjeshtra e saj do t’i dhuronte dhe dy motra të tjera, njëra prej të cilave është Luli që jeton në Greqi.
Një ditë e zakonshme…..
I pari që bën lidhjen e tyre, është telefoni. Në rast se ndonjëra nuk përgjigjet, tjetra nxiton ta marrë në celular për t’iu gjendur pranë. Pastaj organizojnë ditët ashtu siç bëjnë prej vitesh të dyja bashkë. “Kurrë nuk kemi vizita të ndara nga njëra-tjetra. Ndërsa e diela është e ligjëruar që do të jemi të gjithë tek unë”, rrëfen Margarita.
Botuar në revistën Psikologjia, Janar 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.